Arbëri

PDK-ja i konteston në Kushtetuese katër çështje për seancën konstituive

PDK-ja proteston, deputetët rrinë në sallë pas dështimit të seancës

Foto: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së katër veprimeve gjatë seancës konstituive të Kuvendit më 29 qershor dhe vazhdimeve më 1 e 3 korrik, të tri seanca të mbajtura pas aktgjykimit të 26 qershorit të Kushtetueses.

Në një njoftim për media, PDK-ja ka lajmëruar se ka kontestuar “kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë, hedhjen në votim të këtij komisioni, vetë votimin e komisionit dhe ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit”.

“Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në reagim të PDK-së.

PDK-ja ka kërkuar nga Kushtetuesja ta shpallë antikushtetues çështjen e votimit të komisionit të fshehtë, vendimin për ndërprerjen e seancës dhe të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën deri në zgjedhjen e kryeparlamentarit me votim të hapur.

“Ky hap është thelbësor për të ndalur tendencën për përmbysje të rendit demokratik dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën”, thuhet në njoftim të PDK-së.

Më 26 qershor, Kushtetuesja obligoi deputetët që ta mbyllin seancën konstituive për 30 ditë. Ngërçi është krijuar te çështja e votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Në seancat e para Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve ka dështuar të sigurojë shumicën për propozimin që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare. Më pas, u propozua nga kryesuesi Avni Dehari që të kalohet në votim të fshehtë.

E aktgjykimi i Kushtetueses u interpretua ndryshe prej LVV-së dhe ndryshe prej partive të tjera. Përderisa VV-ja pretendon se vendimi konstaton që lejohet ndryshimi i mënyrës së votimit, e kundërta pretendohet nga partitë tjera.

Pas këtij aktgjykimi, Dehari prapë ka vazhduar me propozimin për votim të fshehtë. Sërish deputetët e partive opozitare nuk votonin.  

Kërkesë për sqarime në Kushtetuese kanë paralajmëruar edhe LVV-ja e Lidhja Demokratike e Kosovës.