Partia Demokratike u është kundërpërgjigjur deklaratave të fundit të AAK-së, duke thënë se vendit i duhet një president i denjë që nuk shkakton polarizime të brendshme e nuk e izolon vendin jashtë. Betonimet e qëndrimeve rreth postit të kreut të shtetit kanë bërë që LDK-ja të mos e thërrasë ende tryezën e paralajmëruar me partitë politike. Njohës të zhvillimeve thonë se do të jetë vështirë arritja e konsensusit, marrë parasysh polarizimet dhe akuzat e ndërsjella, dhe opsioni më real po konsiderohen zgjedhjet e jashtëzakonshme
Prishtinë, 9 dhjetor - Kanë vazhduar përplasjet në distancë mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, subjekte këto që kanë shprehur synime për postin e presidentit. Pas deklaratave të Ramush Haradinajt se e kishte shpëtuar PDK-në për të mos kaluar në opozitë në vitin 2017, zyrtarë të kësaj të fundit e kanë quajtur të padenjë kandidaturën e Haradinajt për president.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë të mërkurën se vendit nuk i duhet një president që thellon përçarjet brenda dhe e izolon jashtë Kosovën.
“Partia Demokratike e Kosovës nuk shantazhohet dhe as nuk do të lejojë që dikush ta marrë peng shtetin e Kosovës. Jemi të gatshëm që të ulemi dhe të bisedojmë me çdo parti politike parlamentare që ta tejkalojmë krizën institucionale në vend dhe ta zgjedhim një president dinjitoz që i shërben unitetit të brendshëm dhe thellon partneritetin me aleatët tanë. Por PDK-ja nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Ai ka përsëritur qëndrimin se kushdo që i kërkon votat e deputetëve të PDK-së duhet ta pranojë edhe propozimin e kandidatit që del prej kësaj partie.
Polemika AAK-PDK u ndez pasi Haradinaj deklaroi se me gjithë kritikat kishte vendosur të bashkëpunonte, siç i ka quajtur ai, me “hajnat e Prontos”. Me këtë i është referuar kohës kur ishte kryeministër i koalicionit PAN. Haradinaj, i cili prej muajsh ka shpallur kandidaturën për president, nuk e ka mbështetjen as të partnerit në koalicion, LDK-së.
Megjithëkëtë, zyrtarë të AAK-së e kanë bërë të qartë se nuk heqin dorë nga kandidatura e Haradinajt edhe me çmimin që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Duke iu kundërpërgjigjur PDK-së rreth kandidaturës së Haradinajt, deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka thënë se në rrethanat aktuale nuk ka kandidat më të denjë se Haradinaj.
“Nëse nuk ka konsensus me u përkrah kandidatura e Haradinajt, atëherë është qëndrim i partive tjera të cilat po e dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme. Është demokratike edhe ky qëndrim i tyre. Si AAK, jemi të gatshëm edhe për opsionin e zgjedhjeve”, ka thënë Selmanaj për KOHËN.
S’ka datë për tryezën e partive, edhe Hoti i përmend zgjedhjet
Betonimet e qëndrimeve rreth presidentëve kanë bërë që LDK-ja të mos e thërrasë ende tryezën e paralajmëruar me partitë politike. Kryeministri i Kosovës, njëherësh nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti, nuk ka qenë në gjendje të japë ndonjë datë se kur do të mbahet tryeza e partive politike për çështjen e presidentit.
“Unë pres që sa më parë të organizohet tryeza e partive politike, për të parë gatishmërinë e partive politike për të gjetur një zgjidhje për presidentin e vendit. Nëse ka gatishmëri tek pastaj ne duhet të ulemi dhe të bisedojmë cilën qasje duhet ta ndjekim. Çfarë propozime, ne kemi dëgjuar në media që janë dhënë propozime të ndryshme nga disa prej partive politike, por ne duhet të ulemi në tryezë të partive politike parlamentare për të bërë pyetjen elementare”, ka thënë Hoti pas vizitën në Komitetin Olimpik të Kosovës. Ai ka shtuar se ka gatishmëri për gjetur zgjidhje për president, “për të cilën do të caktojmë kriteret, qasje për të dalë tek emri konkret i presidentit”.
“E nëse nuk ka gatishmëri, ne duhet të dakordohemi për datën e zgjedhjeve”, ka theksuar Hoti.
Pa 14 votat e deputetëve të Aleancës, LDK-ja dhe PDK-ja e kanë të pamundur ta zgjedhin presidentin vetëm me përkrahjen e komuniteteve joshumicë. Sipas Kushtetutës, presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, por me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim.
Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë të marrë pjesë, duke insistuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Njohës të zhvillimeve thonë se do të jetë vështirë arritja e konsensusit marrë parasysh polarizimet dhe akuzat e ndërsjella.
“Diskursi i ditëve të fundit e ka polarizuar edhe më shumë skenën politike, duke e pasur parasysh që njëri partner i koalicionit veçse ka shpallur kandidaturën për president, mirëpo që nuk e ka mbështetjen as të vetë koalicionit. Po ashtu, njëra prej partive opozitare nuk e mbështet atë, kurse tjetra kërkon që të shkohet direkt në zgjedhje. Besojmë se është shumë e rëndësishme që këto parti të arrijnë tek një emër konsensual dhe të mos bëhen pazare me postin e presidentit”, ka thënë Allen Meta (D4D).
“Marrë parasysh këto, ne e shohim që opsioni më i mirë në fund të ditës do të ishin zgjedhjet. Do të ndryshonin numrat në legjislaturën e ardhshme dhe do të mund të krijohet një precedent i ri dhe të diskutohet edhe për presidentin. Nëse nuk do të arrihet pajtueshmëri, atëherë zgjedhjet do të ishin opsioni më i mirë”.
Moszgjedhja e presidentit deri në prillin e vitit të ardhshëm prodhon krizë institucionale dhe kushtetuese. Posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”. Vjosa Osmani i ka mbushur më shumë se një muaj prej se ka marrë detyrën, pas dorëheqjes së Thaçit.
Edhe pse Kushtetuta nuk e përcakton kohën brenda së cilës duhet të shpallen kandidaturat, pas dorëheqjes së kreut të shtetit, procedurat mund të nisin menjëherë. Ndërkaq 60 ditë është afati brenda të cilit duhet të zgjidhet presidenti, në momentin që fillojnë ato. Në rast të dështimit, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.