Arbëri

Pasoja ndërkombëtare nëse Qeveria tërhiqet njëanshëm nga marrëveshjet

Pasoja ndërkombëtare për Kosovën kanë paralajmëruar juristët nëse qeveria tërhiqet njëanshëm nga marrëveshjet e Brukselit apo zotimet e dhëna në Uashington nga qeveria e kaluar. Derisa qeveria deri tani nuk ka treguar nëse do të zbatohet ndonjë prej marrëveshjeve të trashëguara, njohës të së drejtës ndërkombëtare thonë se duhen ndjekur procedura për anulimin e tyre

Vazhdojnë paqartësitë sa i përket zbatimit të marrëveshjeve që janë arritur deri tash në kuadër të negociatave Kosovë-Serbi, ndërsa është paralajmëruar një takim tjetër mes Kurtit e Vuçiqit.

Pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti se është kundër Asociacionit etnik për serbët, në dyshim është vënë edhe zbatimi i zotimeve të Uashingtonit, disa prej të cilave janë në proces zbatimit. Ato kishte marrë përsipër t’i implementojë ish-kryeministri Hoti më 4 shtator të vitit të kaluar.

Njohës të së drejtës ndërkombëtare thonë se qeveria nuk mund t’i shmanget kësaj marrëveshjeje, në mënyrë të njëanshme.

“Nuk mund të tërhiqemi nga ajo marrëveshje pa pëlqimin e amerikanëve.

Marrëveshja e Uashingtonit është zotim ndaj të cilit Kosova ka detyrim dhe tërheqja eventuale mund të bëhet vetëm në marrëveshje me palën para së cilës është bërë ai zotim. Në këtë rast nuk çojnë peshë problemet e brendshme apo se kush ka qenë në qeveri, kur është nënshkruar ajo marrëveshje”, ka thënë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. “Nëse vjen deri te një dëm nga moszbatimi i marrëveshjes është standard ndërkombëtar që ai dëm duhet të kompensohet. Kosova ka marrë zotime dhe në kuadër të tyre, ta zëmë realizimi i fizibilitetit tregon caqet e marrëdhënieve tona me Serbinë sa u përket disa çështjeve, këtë rast shfrytëzimin e ujërave ndërkombëtare. Pra, çfarëdo tërheqje ka kosto ndërkombëtare për shtetin”.

Me gjithë ndryshimet në administratën amerikane, në Agjencinë federale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë se po punohet me Departamentin e Shtetit dhe Kongresin në strategjinë e përgjithshme të DFC-së edhe nën administratën e presidentit të ri amerikan, Joe Biden.

Dokumentet e nënshkruara nga Kosova dhe Serbia në shtatorin e vitit të kaluar përmbajnë disa projekte që ndërlidhen me ndërtimin e autostradave dhe hekurudhave. Në programin e qeverisë nuk përmenden këto projekte e as zotimet e tjera.

Dokumentet e Uashingtonit janë specifike dhe mes tjerash, theksojnë zbatimin e marrëveshjes për autostradë Beograd-Prishtinë dhe marrëveshjen hekurudhore Beograd-Prishtinë të nënshkruara, më 14 shkurt, 2020.

Përveç kësaj, palët ishin zotuar të angazhohen për një studim të përbashkët fizibiliteti mbi opsionet për lidhjen e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port të detit në Adriatik.

Dy javë pas arritjes së marrëveshjes, një delegacion i qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i udhëhequr nga kryeshefi i Korporatës Financiare, Adam Boehler dhe ish-emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell vizituan Kosovën. Ata premtuan mbi 1 miliard euro investime për projektin e Autostradës së Paqes, hekurudhave dhe Qendrës së Skijimit në Brezovicë.

Korporata Financiare ishte themeluar në vitin 2018 gjatë administratës së ish-presidentit, Donald Trump. Me 60 miliardë dollarë si kapacitet financiar, DFC-ja ka për detyrë lehtësimin e kapitalit dhe aftësive të sektorit privat në zhvillimin e shteteve më pak të zhvilluara. Në themelimin e saj, ajo pati thënë se ka marrë rol të rëndësishëm në ndihmën e avancimit të politikës së jashtme të SHBA-së. Në shtator të 2020-s, kjo korporatë hapi zyrën e parë rajonale në Beograd, si pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha të premten se dokumenti i Uashingtonit është i njëanshëm dhe se nuk e ka vlerën e natyrën juridike të një marrëveshjeje, pasi nuk është votuar në Kuvend. Si argument ka përmendur edhe kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti, duke thënë se ishte qeveri pa legjitimitet. Ndaj këtyre deklaratave reaguan partitë opozitare, që kanë kërkuar seriozitet në raport me partnerët ndërkombëtarë.

“Në pozitën e të parit të qeverisë, do të duhej të jetë më serioz dhe të ketë një koordinim më të fuqishëm përmes ambasadës me ShBA-në, sepse ne e dimë historikisht se pas përfshirjen e ShBA-së, asnjë marrëveshje nuk ka qenë në favor të Kosovës. ShBA-ja janë partneri ynë strategjik, më i rëndësishmi, garanci që Kosova të ketë një përfundim të dialogut dhe marrëveshje finale në favor. Kjo sjellje e pakoordinuar me administratën e ShBA-së nuk i bën nder dhe nuk i ndihmon Kosovës”, ka thënë anëtarja e kryesisë së LDK-së, Teuta Sahatqija.

Mision i pamundur po konsiderohet edhe zhbërja e marrëveshjeve të Brukselit, për të cilat kryeministri Kurti tha se po i marrin energjinë më të madhe.

Por Qeveria nuk ka treguar nëse do të ketë nismë për shfuqizimin e marrëveshjeve të përmendura nga Kurti.

Në programin qeverisës nuk përmendet zhbërja e marrëveshjeve, por vetëm thuhet se ato do të trajtohen për të parë shkallën e përmbushjes dhe ndikimin e tyre.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se procedura që kërkohet për anulimin e marrëveshjes së 19 prillit është gati e pamundur të implementohet. Sipas tij, edhe parafimi i marrëveshjes, siç është ajo e vitit 2013 përbën njërën prej pesë mënyrave si merren obligimet ndërkombëtare dhe se e njëjta vlen edhe për Serbinë, pavarësisht se nuk e ka ratifikuar në kuvend.

“Marrëveshjet ndërkombëtare nuk lidhen me atë nëse palët janë të njohura reciprokisht, por lidhen me atë nëse ato janë shtete në rendin juridik ndërkombëtar dhe sigurisht se Kosova është shtet”.

Neni 18 i Kushtetutës së Kosovës flet për amendamentimin ose tërheqjen nga marrëveshjet ndërkombëtare.

“Amendamentimi ose tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare do ta ketë të njëjtën procedurë të vendimmarrjes sikur ajo e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare”, thotë pika 4 nga neni 18 i kushtetutës. Sipas po të njëjtit nen, është Kuvendi i Republikës së Kosovës që me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: (1) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake; (2) të drejtat dhe liritë themelore; (3) anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare; (4) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës”, thotë pika 4 e këtij neni.

Rinisja e dialogut me takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel shpërfaqi dallimet mes palëve. Derisa Kurti propozoi katër tema për dialog, Serbia vazhdon të insistojë në zbatimin e atyre që janë arritur. Kryesorja është marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por sipas Kurtit, nuk mund të ketë një asociacion etnik në Kosovë. Pavarësisht dallimeve, një takim tjetër është paralajmëruar për në korrik.

Njohësi i integrimeve, Demush Shasha, thotë se diskutimet janë thelbësore për adresimin e çështjeve të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ky rund negociatash pastaj diplomatike do të ishte le të themi, përgatitje e terrenit për takimin e ardhshëm Kurti-Vuçiq, ku dy liderët do të mund të konfirmonin negociatat diplomatike, ose të mbyllnin një rund të dakordimeve që janë bërë, ose të përmbyllin gjithë rundin negociator”, ka theksuar Shasha.

Shumë prej marrëveshjeve nga dialogu i deritashëm nuk janë përfshirë edhe në programin e qeverisë aktuale, të cilat kryeministri i ka cilësuar të dëmshme për vendin.