Arbëri

Partitë politike me zgjidhje të vjetra për sfidat e reja ekonomike

Zgjidhje të vjetra dhe të dështuara për sfidat e reja ekonomike po ofrojnë partitë politike në fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Rritje të pensioneve prej 30-40 për qind, rritje të pagës minimale në 300 euro, rritje të pensioneve të veteranëve, si dhe 500 milionë euro për sektorin privat për rimëkëmbje, janë premtimet më të shpeshta që po ofrohen në këtë fushatë.

Sipas ekonomistit Kujtim Dobruna, që është udhëheqës i konsulencës ECIKS, premtimet e partive janë thjesht një manifestim i dëshirës së tyre për të vazhduar qeverisjen me burimet ekzistuese të vendit.

Sipas tij, asnjë parti politike nuk po ofron zgjidhje për sfidat sociale dhe problemet strukturore të ekonomisë së Kosovës.

“Është një ndjenjë e çuditshme të shohësh se si partitë politike, të cilat e projektojnë veten si centriste ose të krahut të djathtë, ofrojnë propozime që normalisht do t'i përshtateshin qasjes së ekstremit të majtë ose anasjelltas”, ka thënë ai.

Ka shtuar se bazuar në atë që partitë po ofrojnë, nuk pret një përqendrim në nevojat e qytetarëve dhe se nuk mund të priten zgjidhje për çështjet e ngushta ekonomike dhe sociale, me të cilat përballet Kosova.

Të vjetruara dhe të parealizueshme i duken këto premtime zgjedhore edhe kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai thotë se të tilla i kanë dëgjuar që nga 2011-a.

“Qeveritë Thaçi, Kurti, Hoti dhe Haradinaj kanë premtuar në fushatë që paga minimale do të jetë 250 dhe 350 euro, por e gjitha kjo ka rënë në ujë, pasi deri më tani nuk është zbërthyer”, ka thënë ai.

Sipas tij, partitë kishin premtuar edhe vende të reja të punës dhe zbatim të ligjit dhe marrëveshjes kolektive, po që punëtorët e sektorit privat nuk e kanë ndier as lehtësinë më të vogël.

Azemi ka shtuar se në këtë fushatë zgjedhore ka pasur thirrje nga partitë politike që të diskutojnë për përmirësimin e kushteve, po që nuk kanë pranuar, për shkak të, siç ka thënë ai, gjatë gjithë mandatit të tyre nuk kanë diskutuar për gjendjen e këtyre punëtorëve.

Nga milionat që janë përmendur në pakon emergjente dhe në atë të rimëkëmbjes, sipas tij, 70 për qind kanë shkuar në xhepa të pronarëve të kompanive, derisa punëtorët nuk e kanë ndier në asnjë mënyrë dorën e shtetit.

Ndërkohë, si ka theksuar Azemi, afër 100 mijë punëtorë e kanë humbur vendin e punës.

“Zyrtarisht edhe ATK-ja ka thënë se në tremujorin e dytë i kanë humbur vendet e punës mbi 60 mijë punëtorë dhe kjo të bën me dije që është një numër shumë i madh. Megjithatë, nuk kanë pasur mbështetje. Është ndarë një 10-milionësh, që do të paguhet për punëtorët, por vetë fakti që 10 milionë mund t’i stimulojë vetëm 11 mijë punëtorë dhe pjesa dërrmuese e tyre do të mbetet pas asnjë mbështetje”, ka thënë ai.

As qytetarët nuk u besojnë premtimeve të partive. Avdi Trolli, qytetar i Prishtinës, ka thënë se janë mësuar qe 20 vjet me premtime, siç i ka quajtur, boshe.

“Do të thotë, deri sot shumë pak kanë bërë. Rinia doli jashtë, ne të vjetrit s’kemi ku të shkojmë. Me ju besua, nuk ju besojmë. Çka i gjet këta që brenda 2 jave kaq shumë premtime, kah do t’i marrin ato. Edhe ata që janë kanë, edhe këta që do të vijnë, hala më të këqij se ata, unë besim nuk kam”, ka thënë ai.

Edhe një bashkëqytetar i tij, Bajram Dema, ka thënë se nuk u beson këtyre premtimeve.

“Këto janë premtime të fushatës zgjedhore dhe duke pasur parasysh që unë jam qe 7 vjet në pension, kësaj nuk i besoj. Nuk munden me u realizua, duke e pasur parasysh ekonominë e Kosovës që ka rënë zero dhe ne anën tjetër pandemia”, ka thënë ai.

Premtimet e dhëna do ta rrisnin barrën buxhetore për skemat sociale dhe pensionale. Vetëm për këto skema, sipas premtimeve, shuma do të rritej për rreth 200 milionë euro, duke e çuar faturën për këtë kategori në afro 690 milionë.

Ekonomisti Dobruna ka thënë se pas këtyre zgjedhjeve vendit i duhet stabilitet.

“Ai është më i nevojshëm se kurrë. Kosova po përjeton një nga krizat më serioze dhe më të thella që nga viti 1999”, ka theksuar ai.

Sipas tij, tkurrja ekonomike për vitin 2020 ishte rreth 8 për qind, dhe kjo mund të vazhdojë edhe më 2021.

“Mutacionet e reja të virusit Covid-19 ka shumë të ngjarë ta zgjasin pandeminë. Ekzistojnë disa variabla të rëndësishme dhe shumë të pasigurta që duhet të merren parasysh dhe ngërçi i mundshëm politik është një prej tyre”, ka thënë Dobruna.

Paqëndrueshmëria politike, sipas tij, mund të përkeqësojë menaxhimin edhe ashtu të dobët të pandemisë.

Kjo ka thënë se ndikon edhe që investimet, qofshin ato publike, private apo të huaja të mbesin të ulëta, duke e çuar në një rënie të konsumit dhe në falimentime të reja në sektorin privat.

“Papunësia, varfëria dhe pakënaqësia sociale do të rriten. Prandaj Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe stabile, me një shumicë solide shqiptare, që është e përkushtuar ndaj reformave dhe mirëqenies ekonomike të qytetarëve të vendit”, ka thënë ai.

Bazuar në buxhetin 2021, premtimet nuk kanë mbulueshmëri financiare. Kjo për faktin se buxheti nuk përmban as koston e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, që parasheh 200 milionë euro për sektorin privat. Për rimëkëmbje janë vetëm 222 milionë euro, ku 40 milionë janë për vaksina dhe 20 milionë euro për shtesa të personelit shëndetësor.

Ndërkohë buxheti sa u përket investimeve kapitale, 91 për qind i ka të kontraktuara që janë vazhdim nga viti 2019, ndërsa vetëm 9 për qind janë projekte të reja.