Arbëri

Paqartësitë ligjore për kandidatët e dënuar, në VV thonë se nuk ka pengesa për Kurtin

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për votën e Etem Arifit ka shpërfaqur paqartësitë ligjore te mekanizmat që janë kompetentë për të garantuar ligjshmërinë dhe integritetin e zgjedhjeve. Përveç Arifit, në proceset e kaluara janë zgjedhur edhe deputetë të tjerë, megjithëse ndaj tyre ka vendime të plotfuqishme gjyqësore. Kjo ka ndodhur si pasojë e një vendimi të Gjykatës Supreme më 19 shtator 2017 kur kishte vendosur se “askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar në zgjedhje nëse një e drejtë e tillë nuk i është hequr me vendim gjyqësor”.

Por në aktgjykimin e Kushtetueses thuhet se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në asnjë dispozitë nuk kërkon që personave të dënuar me vepra penale t’u hiqet e drejta me vendim plotësues. Mjafton vendim përfundimtar i gjykatës në tre vjetët e fundit për t’ua pamundësuar kandidatëve të zgjidhen deputetë.

“Gjykata konsideron se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme nuk kërkon që personave të dënuar për vepra penale t’u shqiptohet medoemos si dënim plotësues ‘heqja e së drejtës për t’u zgjedhur’, në mënyrë që ata të mos lejohen të kandidojnë në zgjedhje parlamentare”, thuhet në aktgjykim. “Kjo, meqë sipas nenit 29.1 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ndër të tjera, parashihen edhe këto dy baza: (i) heqja e së drejtës për të qenë kandidat në zgjedhje me vendim të PZAP-it dhe gjykatës; si dhe (ii) pamundësia për të qenë kandidat, për shkak të shpalljes fajtor për një vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit. Këto janë baza të ndryshme/të ndara që shkaktojnë pamundësinë/papërshtatshmërinë për të qenë kandidat. Gjykata është e mendimit se ky interpretim përputhet edhe me leximin e ndërlidhur të neneve 45, 55 dhe 71 të Kushtetutës”.

Në VV thonë se vendimi nuk vlen për Kurtin

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, lidhur me ndalimin e personave të dënuar që të marrin pjesë në zgjedhje, nuk do të ketë ndikim sa i përket kandidimit të liderit të kësaj partie, Albin Kurti. Më 18 shtator të vitit 2018, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi ishin dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit.

“Kjo pikë vetëm sa e qartëson situatën dhe për LVV-në nuk paraqet asnjë lloj pengese në lidhje me kandidaturën eventuale të deputetëve apo kandidatëve që do t’i propozojmë në listën tonë... Ne besojmë që në këndvështrimin juridik kjo çështje nuk paraqet pengesë për zotëri Kurtin, pasi për veprën për të cilën është ngarkuar ka qenë i dënuar me kusht”, ka thënë deputeti i kësaj partie, Artan Abrashi. “Pra, dënim alternativ i cili nuk prodhon pasoja juridike dhe në rastin në fjalë ne besojmë kemi të bëjmë me vepra penale që parashohin edhe heqjen e lirisë. Marrë parasysh edhe peshën e veprës me të cilën është akuzuar zotëri Arifi, atëherë konsiderojmë se këto dyja nuk janë të barazvlershme dhe janë dy situata të kundërta”.

Por, Ehat Miftaraj nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se vendimi ia ndalon kandidimin edhe Kurtit dhe të tjerëve.

“Pasoja juridike kanë vetëm dënimet me burg, ndërsa dënimet me kusht dhe dënimet me gjobë nuk kanë pasoja juridike në raport me qytetarët e thjeshtë. Për juristët dhe për atë çfarë ka dashur të thotë Gjykata Kushtetuese ka të bëjë me integritetin e Kuvendit dhe deputetëve të saj që mund të zgjidhen si rezultat i zgjedhjeve të përgjithshme”, ka thënë Miftaraj. “Në këtë drejtim, Gjykata Kushtetuese nuk e ka bërë shpjegimin, nuk e ka bërë ndarjen mes dënimeve me burgim efektiv dhe dënimeve me kusht. Atyre u ka dhënë rëndësi të njëjtë dhe i ka konsideruar si vepra penale të cilat në njëfarë mënyrë e cenojnë integritetin e Kuvendit dhe deputetit”, ka thënë Miftaraj.

Paqartësitë normative rreth kësaj pike janë konstatuar edhe në përgjigjet që kanë dhënë trupat përkatëse të Kuvendit dhe Komisioni Qendror Zgjedhor gjatë shqyrtimit të çështjes nga Kushtetuesja.

Mungesa e koordinimit cenoi integritetin e zgjedhjeve

Në lidhje me këtë, Gjykata ka potencuar nevojën që Kuvendi i Republikës së Kosovës me komisionet e tij, në bashkëveprim me institucionet gjegjëse, duke përfshirë edhe KGJK-në dhe KQZ-në, të qartësojnë dhe konsolidojnë bashkëpunimin ndërinstitucional dhe aspektet normative që kanë të bëjnë me kandidimin në zgjedhje parlamentare dhe ushtrimin e mandatit të deputetit, nga ana e personave të dënuar për vepra penale.

“Kjo është e domosdoshme për të shmangur situatat paradoksale, nga këndvështrimi kushtetues, ku një person, pasi është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë sikurse parashihet me nenet përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve, i lejohet të kandidojë në zgjedhje parlamentare, të zgjidhet deputet, t’i verifikohet mandati, si dhe të vazhdojë të ushtrojë funksion e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, madje edhe gjatë vuajtjes së dënimit me burgim. Ndërkohë që Kushtetuta dhe ligjet përkatëse vënë barriera të qarta normative për të mos lejuar personat e dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale, që të zgjidhen deputetë dhe të ushtrojnë mandatin e deputetit”, thuhet në aktgjykim.

Artan Abrashi, që është anëtar i Komisionit për Legjislacion, thotë se një qartësim i tillë është i domosdoshëm.

“Mendojmë që pas analizës që e kemi bërë të vendimit fillestar, në nenin 16 aty kemi vërejtur edhe një fenomen që e kemi adresuar vazhdimisht - pra dështimi ndërinstitucional që ka sjellë punën deri këtu. Synimi i Gjykatës Kushtetuese është që të vendosë një standard, duke u bërë thirrje institucioneve relevante që të mos tolerojnë raste të tilla si rezultat i neglizhencës, sepse besojmë që faktori që solli punën deri këtu ka qenë një neglizhencë ndërinstitucionale”, ka deklaruar ai.

Vendimi i Supremes që kishte rikthyer në garë të decertifikuarit

Ndërkaq, në KQZ thonë se deri në nxjerrjen e aktgjykimit vetëm është respektuar vendimi i Gjykatës Supreme, sipas të cilit në zgjedhjet e vitit 2017 ishin detyruar që kandidatët e decertifikuar t’i rikthejnë në listat e kandidimit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, ishin decertifikuar rreth 90 kandidatë nga subjekte të ndryshme politike.

“Këtë vendim KQZ-ja e kishte marrë me qëllim të zbatimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Nenit 29, germa Q), ku parashihet pamundësia për të qenë kandidat nëse një person është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit. Ndaj këtij vendimi, një kandidat ishte ankuar dhe rasti kishte shkuar deri në Gjykatën Supreme”, ka thënë Elezi. Sipas tij, më 19 shtator 2017, KQZ-ja kishte vendosur se askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar në zgjedhje, nëse një e drejtë e tillë nuk i është hequr me vendim gjyqësor.

“Kjo do të thotë se kandidati duhet me vendim të formës së prerë të shpallet fajtor dhe gjykata t’i ketë shqiptuar dënimin plotësues heqjen e së drejtës për t’u zgjedhur. Prandaj, KQZ-ja ka respektuar këtë vendim të Gjykatës Supreme dhe kujtoj se kandidatët e decertifikuar ishin rikthyer sërish në listat e kandidimit”, ka theksuar Elezi.

Ky është shpjegimi që Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e kishte dhënë në seancën dëgjimore të organizuar nga Gjykata Kushtetuese gjatë shqyrtimit të çështjes në fjalë.

Seanca dëgjimore rreth kushtetutshmërisë së votës përcaktuese për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, ka nxjerrë në pah faktin se në vitin 2017 kur janë mbajtur zgjedhjet nacionale dhe ato lokale, ishin amnistuar nga ndjekja penale 87 kandidatë.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka arsyetuar certifikimin e Arifit, duke thënë se gjatë kohës së zgjedhjeve, e kanë të pamundur ta verifikojnë nëse kandidatët i përmbushin kriteret për t’u certifikuar.

Kandidatët që i futen garës zgjedhore, qoftë në nivelin lokal apo qendror, duhet të vërtetojnë se i plotësojnë kriteret e kandidimit, të listuara në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

E, pika “q” e këtij neni saktëson se nuk mund të certifikohet si kandidat, kushdo që është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës, në tre vjetët e fundit.