Arbëri

Paqartësitë kushtetuese mund ta thellojnë krizën për shkak të presidentit

Vendi mund të futet në krizë institucionale dhe paqartësi kushtetuese nëse partitë politike nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin e ri deri në prillin e vitit të ardhshëm.

Sipas Kushtetutës, “posti i ushtruesit të detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj”. Vjosa Osmani e ka marrë detyrën më 5 nëntor, ditën kur presidenti Thaçi dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Kushtetuta rri e heshtur përkitazi me situatën kur ushtrueses së detyrës i përfundon afati, e pasuesi i saj mungon.

Akti më i lartë juridik rri i heshtur për kohën brenda së cilës duhet të zgjidhet presidenti në një situatë të tillë.

Por ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se zgjedhja e presidentit të ri nuk ndërlidhet me afatet që ka pasur Thaçi si president i zgjedhur me mandat të plotë, por me afatin gjashtëmujor që tani ka Osmani.

“Presidenti, përkatësisht ushtruesi i detyrës së presidentit është organi legjitimues i Qeverisë dhe i një sërë organeve të tjera kushtetuese, prandaj nëse kjo nuk ndodh për gjashtë muaj, ushtrues i detyrës nuk mund ta ushtrojë atë post dhe është problem, sepse nuk ka kush ta mandatojë Qeverinë pas zgjedhjeve”, ka thënë Hasani.

“Afatet kushtetuese nuk ndryshojnë, janë ato që janë. Ajo çka ndryshon është gjashtëmuajshi i ushtrueses së detyrës, sepse për të ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e ka precizuar saktë se çka mund të bëjë e çka s’mund të bëjë. Brenda këtij gjashtëmuajshi duhet të kryhen të gjitha procedurat për zgjedhjen e presidentit të Republikës”.

Hasani ka rikujtuar se në aktgjykimin për rastin Jahjaga patën thënë se mund të shkohet edhe me tre muaj, por kjo u referohet situatave të pamundësisë së presidentit për ta ushtruar postin, që ky nuk është ngjashëm me rastin e fundit.

“Në qoftë se nuk kryhen procedurat dhe shkohet në zgjedhje pa president, kjo do të ishte me u bo horë, sepse po e shkatërron një institucion. Nëse kjo ndodh, duhet të zgjidhet presidenti dhe ai ta zgjedhë qeverinë pastaj”, ka theksuar Hasani.

Edhe pse Kushtetuta nuk e përcakton kohën brenda së cilës duhet të shpallen kandidaturat pas dorëheqjes së kreut të shtetit, procedurat mund të nisin menjëherë. Ndërkaq 60 ditë është afati brenda të cilit duhet të zgjidhet presidenti, momentin që fillojnë ato. Në rast të dështimit, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Akti më i lartë juridik i shtetit e njeh rrethanën e mungesës së përkohshme të presidentit, në të cilën situatë ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij kryetarit të Kuvendit, derisa të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive. Por jo edhe rrethanën kur shefi i shtetit jep dorëheqje nga ky post.

“Në rast se presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to. Presidenti i Republikës së Kosovës do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit”, thotë neni 90 i Kushtetutës.

Kurse neni pasues që flet për shkarkimin e presidentit thotë se mund t’i ndërpritet mandati nga Kuvendi “nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”.

Megjithëkëtë, Enver Hasani i është referuar rastit të ish-kryetarit të Komunës së Rahovecit, Qazim Qeska, për të argumentuar se dorëheqja nënkupton edhe fundin e mandatit të presidentit.

Më 1 korrik 2010, Qeska u ishte drejtuar publikisht qytetarëve të Komunës së Rahovecit, përmes një komunikate, duke njoftuar për dorëheqjen e tij të parevokueshme.

Kurse ish-presidenti Fatmir Sejdiu me datën 27 gusht 2010 i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pyetjen - “cili institucion i Republikës së Kosovës është përgjegjës për të vlerësuar efektshmerinë dhe validitetin e dorëheqjes dhe për të konstatuar përfundimin eventual të mandatit të kryetarit të një komune në bazë të një komunikate drejtuar qytetarëve, paqartësia e së cilës ia bën të pamundur presidentit veprimin e mëtejshëm në përputhje me parimin kushtetues për zgjedhje të lira dhe të barabarta?".

Me këtë rast, Kushtetuesja kishte vendosur se dorëheqja e cilitdo kryetar komune është përfundimtare dhe definitive, me të cilën i jepet fund mandatit të kryetarit të komunës.

“Kushtetuta nuk mund t’i parashohë të gjitha situatat, sepse atëherë do t’i kishte 1000 nene. Çështjen e dorëheqjes dhe natyrën juridike të saj e kemi shpjeguar në rastin Qeskaj dhe kemi thënë që ajo ka efekt të njëjtë, kudo qoftë e kurdo qoftë. Po ashtu, Fatmir Sejdiu ka dhënë dorëheqje dhe ka pasur efekt të menjëhershëm të parevokueshëm”, ka potencuar Hasani.

AAK e PDK synojnë postin e presidentit

KOHA ka raportuar në vazhdimësi se LDK-ja do të tentojë arnimin e Qeverisë duke e përfshirë PDK-në, së cilës është e gatshme t’ia ofrojë postin e presidentit dhe disa ministri. Kryetari i LDK-së, para disa ditësh i kërkoi kryeministrit Avdullah Hoti që t’i nisë konsultat me partitë politike.

Me gjithë paralajmërimet, kryeministri Avdullah Hoti ende nuk ka caktuar takime me liderët e partive për çështjen e presidentit. Drejtoresha e Zyrës për Komunikim me Publikun në Qeverinë e Kosovës, Antigona Baxhaku, përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se nuk ka asgjë konkrete.

“Nëse do të ketë ndonjë zhvillim gjatë javës, ju njoftojmë”, ka thënë ajo.

Deri tani synimet për postin e shefit të shtetit i kanë shprehur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike. Prej disa muajsh, Ramush Haradinaj ka shpallur kandidaturën, por që nuk ka gjetur mbështetjen tek partneri kryesor i koalicionit - LDK-ja.

Ndërkaq PDK do të japë votë për presidentin vetëm me kushtin që propozimi të dalë prej tyre.

Ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë se nuk përkrah asnjë kandidat për president të vendit, pa zgjedhje të reja.

Mungesa e votave

Partitë në koalicion të vetme nuk mund ta zgjedhin presidentin. Ato e përbëjnë vetëm gjysmën e deputetëve të Kuvendit, ndërsa për t’u konsideruar kushtetuese zgjedhja, kërkohet mbështetja e dy të tretave të ligjvënësve.

LDK-ja dhe PDK-ja e kanë të pamundur ta zgjedhin presidentin vetëm me përkrahjen e komuniteteve joshumicë, pa 14 votat e deputetëve të Aleancës. Sipas Kushtetutës, presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, por me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim.

Në dy raundet e para kërkohet që të zgjidhet me dy tretat, pra 80 vota, ndërsa në të tretin kërkohen 61 vota, me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim. Nëse në votimin e tretë asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë ditësh.

Sipas nenit 86.3 secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për president të Republikës së Kosovës, “nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president të Republikës së Kosovës”.

Thaçi bëhet presidenti i dytë që jep dorëheqje pa i përfunduar mandati. Ish-presidenti Fatmir Sejdiu ishte dorëhequr nga posti i tij më 27 shtator 2010 pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se ai ndodhej në shkelje kushtetuese, meqë njëkohësisht ka ushtruar funksionin e kreut të shtetit dhe atë të kryetarit të partisë. Atëbotë, ushtrues i detyrës së presidentit ishte caktuar ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili po ashtu akuzohet për krime nga lufte nga Gjykata Speciale.

Përplasjet mes partnerëve

Brishtësia e koalicionit ka bërë që të mos sigurohen as votat minimale të shumicës së thjeshtë për t’i kaluar projektligjet. Për pasojë, kanë disa herë rresht të miratohen shumë ligje, përfshirë ato që ndërlidhen me pandeminë COVID-19.

Mospajtimet dhe mungesa e komunikimit mes Hotit dhe partnerëve të tij në Qeveri u konfirmua edhe me disa vendime të fundit. Ato u shpërfaqën pas dekreteve të nxjerra nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që udhëhiqet prej Meliza Haradinajt (AAK) për emërimin e konsujve të përgjithshëm. Rasti i fundit është dekretimi i Flakron Shalës, djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, për të cilin Hoti tha se nuk ka pasur koordinim në vendimmarrje.

Pas raportimit të KOHËS, ushtruesja e detyrës së presidentit shfuqizoi dekretin për Shalën dhe tre të emëruar të tjerë. Ndërsa Hoti paralajmëroi rishikim funksional për të gjitha misionet diplomatike. Vota e Haxhi Shalës kishte qenë vendimtare për formimin e Qeverisë Hoti më 3 qershor. Vetëm një ditë më herët ai kishte paralajmëruar të votonte kundër, por ndryshimin e bëri pasi në konak i kishin shkuar në mesnatë ish-presidenti Thaçi e ish-kryeministri Haradinaj.