Arbëri

Pandemia i dha “hov” borxhit publik, alarmohet për rrezikun e qëndrueshmërisë fiskale

Mbulimi i hendekut mes të hyrave dhe shpenzimeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19, ka ndikuar në rritjen e borxhit publik. Borxhi tashmë ka mbërritur në 1.5 miliardë euro dhe sipas ekonomistëve vendi rrezikon qëndrueshmërinë fiskale dhe ngarkon gjeneratat e ardhshme. Ata thonë se borxhi duhet të orientohet në projekte produktive

Përballja me COVID-19 i ka dhënë hov rritjes së borxhit publik. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti borxhi u rrit për mbi 90 milionë euro, duke bërë që niveli i përgjithshëm i tij të arrijë vlerën mbi 1.5 miliardë euro.

Rritja e vitit të fundit është arsyetuar me zbutjen e hendekut mes të hyrave dhe shpenzimeve, e që ka qenë më i larti që ka shënuar Kosova deri më tani. Por ky borxh pritet të rritet ende dhe brenda 2-3 vjetësh mund të arrijë tavanin që e kufizon ligji.

Sipas ekonomistit Kujtim Dobruna vendi rrezikon qëndrueshmërinë fiskale në njërën anë dhe pamundësinë të sigurojë burime të reja të financimit për projektet produktive.

“Deficiti buxhetor është tejet i lartë dhe vjen në radhë të parë edhe si rrjedhojë e pandemisë. Ky deficit nënkupton që Kosova do të hyjë në borxhe të reja. Pra, do të huazojë para nga gjeneratat që vijnë, për të përmbushur caqet buxhetore”, ka thënë Dobruna.

Si rrjedhojë e kësaj, sipas tij, do të ketë rritje të lartë të borxhit shtetëror.

“Para pandemisë lartësia e borxhit shtetëror ishte e pranueshme: 17,5 % e BPV-së. Gjatë vitit që lamë pas ky borxh u rrit në 24,8% , ndërsa në këtë vit, pra me 2021, do të arrijë në 28,7 %”, ka theksuar ai.

Borxhi, sipas Dobrunës, duhet të orientohet në projekte produktive, pasi vetëm kështu gjenerohet një zhvillim ekonomik që sjell të hyra buxhetore dhe lehtëson kthimin e borxhit.

“Natyrisht, që investimet në infrastrukturë kanë po këtë efekt. Por vonesat në implementimin e projekteve kanë efekt tepër negativ, jo vetëm se kreditë duhet të kthehen pavarësisht nëse projekti është implementuar apo jo, por edhe se pamundësohet financimi i projekteve të tjera që presin në radhë”, theksoi Dorbuna.

Krahasuar me vitin 2019, borxhi u rrit mbi 327 milionë euro. Rritje më të madhe pësoi borxhi i brendshëm për 219 milionë euro, ndërsa ai ndërkombëtar është mbi 107 milionë më shumë se në 2019.

Pëllumb Çollaku nga Instituti Riinvest thotë se shkaku i resurseve të pakta për mobilizimin e mjeteve në kohë krizash, deri në krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të mobilizimit, si fole e fundit shpëtimi Qeverisë së Kosovës i mbetet huazimi i borxhit.

Borxhi i përgjithshëm publik aktual gjatë tremujorit të parë të vitit 2021 ka arritur vlerën prej 21.78% në raport me Bruto Prodhimin Vendor, që tregon rritje prej 4.27% prej fundvitit 2019, koha kur filloi pandemia.

Sipas Çollakut, një pjesë e konsiderueshme e këtij borxhi është borxh i brendshëm i siguruar nga niveli qendror përmes emetimit të letrave me vlerë, ndërsa pjesa tjetër e siguruar nga kreditorë të ndryshëm, siç janë bankat zhvillimore dhe garanci bankare.

“Me rënien e investimeve kapitale, rënies së të hyrave dhe rritjes së shpenzimeve, politika fiskale duket të ketë shtrëngime në të ardhmen, gjë që u reflektua së fundi edhe me vendimet e fundit të Qeverisë për ulje të shtesave të pensioneve”, ka theksuar ai.

Në shikim të parë, sipas tij, borxhi publik nuk duket shqetësues konform vlerave të sugjeruara.

“Mbetet shqetësues trendi i rritjes së tij. Zakonisht shtetet huazojnë për financim të programeve dhe projekteve të ndryshme zhvillimore. Në periudhën e fundit të rritjes së borxhit një gjë të tillë në Kosovë nuk e kemi parë. Aq më keq, p.sh. ka pasur raste kur është huazuar nga qeveritë për financim të pagave dhe mëditjeve në ndërmarrje të ndryshme publike”, ka thënë Çollaku.

Thotë se një praktikë e tillë nuk është produktive, sepse investimi i mjeteve të huazuara nuk prodhon normën e mjaftueshme të kthimit në investim që do të servisonte shërbimet e borxhit dhe do të krijonte efektet pozitive në ekonomi.

“Është pikërisht kjo gjë që e bën një borxh të qëndrueshëm dhe që në rastin e Kosovës deri më tani nuk shihet”, thotë ai.

Sipas tij, tani duhet shikuar borxhi i ardhshëm.

“Meqë jemi në kohë krize të kërkesës, politikat ekonomike që rrisin ofertën, dhe investimet e ardhshme duhet të jenë projekte të studiuara mirë dhe në detaje në terme të kthimit nga investimi, pasi që duhet të prodhojnë kthim të atillë që të servisojnë jo vetëm borxhin e marrë, por gjithashtu edhe pjesën barrë të borxhit aktual, e veçmas në punësim. Në të kundërtën, gjeneratat e ardhshme do të paguajnë shtrenjtë për pakujdesinë e sotme”, thekson Çollaku.

Kjo, sipas tij, tregon që duhet një kujdes shumë i shtuar me veprimet të cilat lehtas mund të shtrojnë rrugën për lëkundje të stabilitetit fiskal gjatë dhe pas pandemisë në të ardhmen.

Që nga marsi i vitit të kaluar, krahas emetimit të letrave me vlerë, Qeveria kreditoi 215.33 milionë euro në institucione ndërkombëtare. Ajo lidhi 10 marrëveshje ndërkombëtare për kredi, 6 prej të cilave janë marrë specifikisht për çështje që lidhen me pandeminë COVID-19.

Programi për Reforma në Ekonomi 2021-2023 ofron projeksionin se në vitin 2021 borxhi i përgjithshëm pritet të shkojë në 2 miliardë e 243.2 milionë euro, kurse në vitin 2023 të mbërrijë në 3 miliardë e 57.5 milionë euro, përkatësisht 38.93 për qind të BPV-së. E Ligji për borxhin publik përfshin dispozita që saktësojnë se borxhi nuk mund ta tejkalojë limitin prej 40 për qind të BPV-së.

Në krahasim me vendet e rajonit Kosova ka një borxh më të ulët shtetëror.

Por, në mbledhjen e fundit të Qeverisë Kurti është thënë se objektivi kryesor është financimi i deficitit buxhetor me një kosto sa më të ulët të mundshme, me një nivel të pranueshëm të ekspozimit ndaj rreziqeve financiare.

Në buxhetin e 2021-s është paraparë një deficit prej më shumë se gjysmë miliardi euro, e që është sa dyfishi i mesatares së viteve të parapandemisë.

Në Ministrinë e Financave tregojnë se hendekun mes të hyrave dhe shpenzimeve, që sivjet është minus 560 milionë euro, do ta mbulojnë kryesisht me borxh.

Sipas informatave që ka ofruar Ministria e Financave, borxhi ndërkombëtar i kontraktuar për këtë qëllim është 284.90 milionë euro. Sipas saj, në Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim u morën 22.30 milionë euro për Projektin për fuqizimin e sektorit financiar; edhe 46 milionë të tjera në këtë Asociacion për projektin emergjent COVID-19 për Kosovën; në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës 35 milionë euro në kuadër të Instrumentit për financim të sektorit publik për reagim emergjent ndaj COVID-19; në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim u mor kredia e likuiditetit të urgjencës së infrastrukturës vitale, në vlerë 30 milionë euro; në Fondin Monetar Ndërkombëtar u morën 41.3 milionë euro në kuadër të Instrumentit për financim të menjëhershëm; si dhe 100 milionë euro u morën në Bashkimin Evropian, si ndihmë makro-financiare për Kosovën.

Ndërsa katër kredi të tjera janë marrë për mbështetje të projekteve specifike. Në Asociacionin për Zhvillim Ndërkombëtar janë marrë 14.6 milionë euro për projektin për kadastër të patundshmërisë dhe infrastrukturë gjeohapësinore, në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim u kredituan 10 milionë euro për projektin e zhvillimit të infrastrukturës së ujërave të zeza në Komunën e Gjilanit, e po për Komunën e Gjilanit u morën 11 milionë euro për projektin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, si dhe 25.1 milionë euro u morën në Asociacionin për Zhvillim Ndërkombëtar nga programi “Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurinë e ujit”. Por marrëveshja për kredinë e fundit nuk është ratifikuar në Kuvend.

Borxhi publik mund të rritet nëse lidhen marrëveshje financiare me institucione të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bazuar në dokumentin e zotimeve që ish-kryeministri Avdullah Hoti e ka firmosur në shtatorin e vjetshëm në Shtëpinë e Bardhë.

Pas ceremonisë pati thënë se me firmën e vendosur, vendi do të sigurojë investime më shumë se një miliard dollarë për projektet e përmendura në zotim, që janë Autostrada e Paqes, Lidhja hekurudhore midis Prishtinës dhe Merdarit; Lidhja hekurudhore midis Prishtinës dhe Nishit; sigurimi i financimit për të mbështetur kreditë e kërkuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe projektet bilaterale shtesë.