Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që urgjentisht të veprojë duke siguruar fondet e mjaftueshme për mbulimin e të gjitha shpenzimeve për mbrojtjen e sa më të dinjitetshme të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë.
OVL e UÇK-së përmes kësaj letre dërguar ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësimin e thellë mbi mungesën e mbështetjes financiare institucionale për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, raportoi KSP.
“Fatkeqësisht, mungesa e mjeteve financiare për të siguruar këtë mbrojtje po krijon një situatë serioze, e cila jo vetëm që cenon të drejta elementare të të akuzuarve, por rrezikon që i tërë procesi të zhvillohet në mënyrë të pabarabartë dhe të padrejtë. Kjo na bënë të dyshimtë se pas kësaj vonese qëndron një qëllim i paramenduar i mosmbështetjes, i cili bie ndesh me parimet kushtetuese të mbrojtjes së qytetarëve dhe garantimit të një procesi të drejtë ligjor”, thuhet në letër.
Organizata e Veteranëve e Luftës së UÇK-së ka kërkuar me urgjencë sigurimin e menjëhershëm të mjeteve të nevojshme për mbrojtjen juridike të të burgosurve në Hagë, krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm, që të bëjë mbikëqyrjen profesionale të gjykatës, si dhe angazhim direkt institucional për të garantuar që të gjithë të akuzuarit të kenë qasje të barabartë në mbrojtje të kualifikuar dhe të pavarur.
Mosreagimi i institucioneve në këtë drejtim thuhet se do të përbënte neglizhencë serioze me pasoja të rënda, duke dëmtuar jo vetëm individët konkretë, por edhe dinjitetin e luftës për liri.
Ministria e Drejtësisë pati bërë të ditur se nga fillimi i procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë e deri më datë 24 korrik 2025, janë realizuar pagesa të rregullta në përputhje me marrëveshjet dhe obligimet e përcaktuara paraprakisht, në funksion të përkrahjes së mbrojtjes juridike.
Sipas kësaj ministrie, nga fillimi i procesit në total janë paguar 32 milionë e 944 mijë 287 euro. Nga kjo shumë, për mbrojtjen e Hashim Thaçit thuhet se janë shpenzuar mbi pesë milionë e 300 mijë euro.