Arbëri

OVL-ja thotë se Gjoka nuk ishte në UÇK, Serbia e ndalon për 48 orë

Një ditë pasi autoritetet serbe ndaluan zyrtarin e ATK-së, Marjan Gjoka, pas disa orësh marrje në pyetje, Gjykata në Serbi i ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë.

Me dyshimet se ka kryer veprën penale të terrorizmit Gjoka është ndaluar këtë të diel në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, raporton KTV.

Sipas ligjeve të ish-Jugosllavisë, përkatësisht neni 115 që flet për terrorizimin, thuhet se “ kushdo që shkakton eksplodim, zjarr ose ndonjë veprim tjetër të rrezikshëm nga motive armiqësore kundër RSFJ-së, ose kryen ndonjë akt dhune që mund të krijojë ndjenjën e pasigurisë te qytetarët ose një grup qytetarësh, duhet të dënohet me burgim jo më pak se 5 vjet”.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme thonë se ata janë duke monitoruar rastin përmes zyrës ndërlidhëse në Beograd dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me familjen e Gjokajt.

Liridon Llapashtica, këshilltar politik në MPJ, ka thënë se kanë kërkuar që Serbia të ndalojë këtë formë të maltretimit të qytetarëve të Kosovës.

Derisa vetë ministri Behgjet Pacolli, përmes një letre drejtuar përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Federica Mogherinit , i është ankuar për arrestimet e vazhdueshme të qytetarëve të Kosovës.

E se zyrtari i ATK-së, Marjan Gjoka, nuk ishte pjesë e luftës në Kosovë e ka konfirmuar edhe kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati.

Ai, nëpërmjet telefonit, ka thënë se i kanë shikuar listat, por emri i Gjokajt nuk gjendet në këto lista.