Presidentja Vjosa Osmani të mërkurën ka takuar liderët e partive parlamentare për të gjetur një zgjidhje për bllokadën në Kuvendin e Kosovës. Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e 26 qershorit obligon deputetët që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh. Liderët qenë takuar pas publikimit të aktgjykimit, por s’pati dakordim për zgjidhjen e situatës.
Egzon Osmanaj nga Fondacioni “Friedrich Ebert” ka thënë se për tejkalimin e kësaj situate duhet vetëm vullnet politik.
“Duke filluar nga lideri i partisë fituese e pastaj liderët e tjerë, të gjithë janë barrikaduar me qëndrimet e tyre dhe nuk duket se do të ketë ndonjë zgjidhje... Është komplet bllokadë politike, për tejkalimin e së cilës duhet vullneti”, ka thënë ai në “60 Minuta” në KTV.
Sipas tij, procedurat janë shumë të qarta dhe s’ka nevojë për ndërhyrje tjetër nga Kushtetuesja.
“Nuk ka asgjë më të rëndësishme dhe jetike për republikën tonë sesa themelimi i institucioneve dhe madje këtu mund të kontestohen hapat e mëvonshëm. Nuk ka nevojë për ndërhyrje të radhës të Gjykatës Kushtetuese, gjërat janë të qarta”, ka thënë ai.
Osmanaj është shprehur se partitë më të vogla po marrin detyra që nuk iu takojnë, sipas tij, duke tentuar të imponojnë zgjedhjet e tyre. Ka theksuar se nuk është detyrë e tyre derisa janë parti që nuk kanë fituar zgjedhjet e as nuk kanë dalë të dytat.
“Te ne po i ngatërrojnë pak, partia e tretë ose e katërt po e luan rolin e partisë së parë ose kryesore fituese të zgjedhjeve. Nuk është detyrë e partive më të vogla që as nuk kanë fituar zgjedhjet por as nuk kanë dalë partia e dytë që kanë me udhëheqë me opozitën që me tentu të imponojnë zgjedhjet e tyre. Qasja e partive të cilave partia fituese u është ofruar ka qenë e pakuptimtë, mbase edhe e dëmshme për demokracinë sepse kemi pasur bllokim në pozicione pa i jap mundësi çfarëdolloj dialogimi”, ka deklaruar ai.
Osmanaj e vlerësoi të paprecedentë që LDK-ja të refuzojë koalicionin as pa pranuar që të diskutojë fillimisht.
“Është e paprecedentë prej çfarëdo zgjedhjeve që kam përcjellë në vendet tjera që një parti që nuk i ka fituar zgjedhjet i ofrohet mundësia t’i bashkohet qeverisë, refuzon apriori, pa ndonjë arsye substanciale. Te rasti i LDK-së është komplet e pakuptimtë sjellja e tyre dhe e kam të vështirë ta kuptoj se cili është rezultati që ata po duan të arrijnë”.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij do të bëjë çmos për të përfunduar konstituimin deri në fund të korrikut, në frymën e bashkëpunimit mes partive politike. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se i takon partisë së parë, LVV, të krijojë shumicën parlamentare dhe që të respektojë procedurat kushtetuese. Edhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se pret nga Kurti që të ndryshojë qëndrim sa i përket kandidates për kryeparlamentare. Teksa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka insistuar në kthimin e votimit të hapur dhe të mos vazhdohet me përpjekjen për votim të fshehur.