Misioni i OSBE-së në Kosovë ka riafirmuar mbështetjen për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Misioni i OSBE-së ka thënë se vendimet e Kushtetueses duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht, pa pasur ndikim apo ndërhyrje të panevojshme.
Gjykata Kushtetuese të martën ka vendosur se Kuvendi i Kosovës nuk është i konstituuar dhe se duhet të zgjidhet nënkryetari nga radhët e komunitetit serb. Deputetëve iu është dhënë afat 12 ditë, pasi të publikohet aktgjykimi, që ta konstituojnë Kuvendin. Vendimi është marrë pas ankesës së Listës Serbe.
OSBE-ja ka thënë se pavarësia e institucioneve gjyqësore janë gurthemel i shoqërisë demokratike.
OSBE-ja ka shprehur shqetësimin për deklaratat kundër Gjykatës Kushtetuese.
“Misioni vëren me shqetësim deklaratat e fundit publike dhe iniciativat që, direkt apo indirekt, synojnë ta sfidojnë apo diskreditojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Përpjekjet për ta politizuar punën e Gjykatës dhe sistemin më të gjerë gjyqësor minojnë besimin publik në institucionet e Kosovës. Gërryejnë besimin në sundimin e ligjit dhe mund të vënë në pikëpyetje zhvillimin demokratik të Kosovës. Misioni i OSBE-së nënvizon se pavarësia e gjyqësorit është domosdoshmëri demokratike”, thuhet në reagimin e OSBE-së.
OSBE-ja ka thënë se përfaqësuesit politikë dhe institucionet mbajnë përgjegjësi për ta respektuar autoritetin e Gjykatës, duke forcuar besimin e publikut në kornizën kushtetuese të Kosovës dhe në sistemin e drejtësisë në përgjithësi.
“Misioni u bën thirrje të gjithë akterëve politikë ta mbështesin konstituimin e Kuvendit në përputhje me kornizën ligjore dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë ngushtë me Kuvendin dhe deputetët e tij pasi të jetë konstituuar plotësisht”, thuhet në reagim.