Akuza ndaj pushtetit për presione në procesin e avancimeve në Fakultetin e Mjekësisë adresuan të mërkurën nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA. Përfaqësues të saj, nëpërmjet një konference për media, thanë se presione kaq të shumta mbi arsimin e lartë nuk janë nga asnjë qeveri tjetër e mëhershme. E në Ministrinë e Arsimit i mohuan këto akuza tek pretenduan se koha e favorizimeve ka përfunduar
Përfaqësues të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, të mërkurën i dolën në mbështetje dekanes së Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, në përplasjen që po zhvillohet në Universitetin e Prishtinës rreth procesit të avancimeve në pozita.
Rron Gjinovci, drejtor i ORCA-s, në një konferencë për media i akuzoi Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit për presione në këtë proces. Ai vlerësoi se asnjë qeveri e mëhershme nuk ka ushtruar presione kaq të mëdha sikurse kjo aktuale.
“Ne i kemi të gjitha mjetet si institucion, prej aksionit simbolik te protesta, deri te greva e urisë që është opsioni i fundit, me u vendos në Rektorat apo në Ministri të Arsimit, të mos dalim nga aty derisa të adresojmë çështjen... Kryeministrit Kurti i duhen vetëm gjashtë muaj që ta shkatërrojë komplet arsimin e lartë”, ka thënë Gjinovci.
E dekania Manxhuka-Kërliu, në një përgjigje për KOHËN, thotë të mos ketë pasur presion të drejtpërdrejtë nga Qeveria, porse nga individë që ajo i quajti me influencë në shoqëri.
Ndërkaq në Ministrinë e Arsimit i mohuan akuzat e ngritura nga ORCA.
“Universiteti i Prishtinës është institucion i pavarur dhe ne e respektojmë autonominë e tij. Mbështetja e Qeverisë dhe e MASHTI-it për institucionet e arsimit të lartë është më e madhe se asnjëherë tjetër. Ne do të vazhdojmë ta respektojmë autonominë e të gjitha institucioneve të arsimit të lartë, ndërkaq koha e favorizimeve ka marrë fund përfundimisht”, ka thënë MSH-ja.
Tek i numëroi akuzat, Gjinovci i përmendi asistentët Driton Vela e Pranvera Zejnullahu, për të cilët tha se pushteti synon që t’i avancojë në pozita profesorësh.
Zejnullahu nuk u është përgjigjur thirrjeve të KOHËS për koment, ndërsa Vela i mohoi pretendimet, teksa tha që grupi i asistentëve për avancim përbëhet nga persona të përgatitur dhe që i plotësojnë kriteret.
“Grupi ynë përbëhet prej 30 asistentëve. Të gjithë janë doktorë shkence, të gjithë i plotësojnë kriteret e statutit të Universitetit të Prishtinës për t’u avancuar në pozitën e profesorit asistent. Këtu përfshihen drejtorë të klinikave, shkencëtarë të vitit, pjesëtarë të stafit akademik me punime shkencore në cilësinë e autorit të parë... Një asistent ka punime për katër profesorë”, ka thënë Driton Vela, asistent në Fakultetin e Mjekësisë.
Katër nga asistentët treguan për KOHËN se i kanë adresuar kërkesë Drejtorisë së Krimeve Ekonomike për hetime ndaj dekanes Manxhuka-Kërliu rreth pengimit të avancimeve.
Përplasjet verbale midis asistentëve e dekanes rreth çështjes nisën qëkur rregullorja e re, e miratuar nga Këshilli Drejtues e që e përfshin ndryshimin e normës së orëve dhe rritjen e grupimeve, nuk është zbatuar nga menaxhmenti i Fakultetit.
Dekania e pati kualifikuar rregulloren në kundërshtim me akreditimin e fituar dhe që e rrezikon mbylljen e disa programeve.