Arbëri

Opozita zhvendos betejën me pushtetin në Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese

Të gjitha ligjet për të cilat partitë opozitare nuk kanë fuqi politike që t’i stopojnë, kanë vendosur t’i kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese. Aktualisht kjo gjykatë është duke trajtuar gjashtë ligje me ndikim të rëndësishëm te qytetarët. Por vlerësimi i kushtetutshmërisë nga Gjykata po shkon ngadalë, vlerësojnë njohës të çështjeve kushtetuese

Edhe një ligj tjetër të miratuar nga pushteti në Kuvend, opozita e ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese. Të martën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dërguar për vlerësim të kushtetutshmërisë Ligjin për Pagën Minimale, që u miratua një javë më parë. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se në kërkesën e tyre drejtuar Gjykatës kanë argumentuar se me këtë ligj janë diskriminuar disa kategori të shoqërisë.

“Presim nga Gjykata Kushtetuese që ta vlerësojë dhe jemi të bindur që ky rast do të jetë rast i cili do t’i thyejë dy padrejtësi. Padrejtësia e parë lidhet me mashtrimin flagrant të shumës së pagës minimale dhe e dyta lidhet po ashtu me dinjitetin e veteranëve të UÇK-së, lidhet me të drejtat e njeriut”, ka thënë Tahiri.

Përveç Ligjit për Pagën Minimale, në Kushtetuese opozita ka dërguar edhe Ligjin për zyrtarët publikë, Ligjin për vendosjen e çmimeve tavan, Ligjin për Këshillin Prokurorial, si dhe Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ndërsa nga Avokati i Popullit është kontestuar Ligji për Pagat e nga Gjykata Supreme Kodi i Procedurës Penale. Deri më tash nga Gjykata është vendosur vetëm për Ligjin për KPK-në. E për të tjerat, në Kushtetuese kanë thënë shkurt se janë ende në trajtim.

“Këto kërkesa janë ende duke u shqyrtuar nga Gjykata dhe sapo të merren vendimet, për këtë do të njoftohen me kohë të gjitha palët parashtruese dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Disa nga kërkesat e dorëzuara deri më tash në Kushtetuese janë parashtruar prej vitit të kaluar e nuk është marrë kurrfarë verdikti për to. Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, tregon afatet në bazë të të cilave Gjykata duhet të marrë vendim.

“Kërkesat të cilat janë parashtruar tash, në bazë të Ligjit mbi gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e Gjykatës Kushtetuese, duhet të kenë përgjigje brenda 60 ditëve ose dy muajve. Afati prej 60 ditësh konsiderohet afati prej kur Gjykata i mbledh të gjitha dokumentacionet faktet e palëve”, ka deklaruar Kryeziu.

Por Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve kushtetuese, shpreh kritikën për vonesa të paarsyeshme të Gjykatës për t’u dhënë epilog këtyre rasteve.

“Është evidente që vonesat janë të paarsyeshme. Në raste të caktuara madje shumë të paarsyeshme. Dhe sikur të mos ishte askush aty. Nëse diçka trajtohet me vonesë, jo vetëm që e humb kuptimin, e humb efektin dhe e humb thjesht qëllimin pse është drejtuar një çështje”, ka thënë ai.

Baraliu ka theksuar se duhet të jepet përgjegjësi nga Qeveria për përgatitjen sipërfaqësore të ligjeve, gjë e cila, siç tha ai, po lë hapësirë për kontestim, zvarritje e hedhje poshtë të tyre.

“Edhe në qeverisjet e kaluara, por edhe në këtë qeverisje kemi shumë ligje të rëna e të kontestuara në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo do të duhej të ishte brengë e kësaj Qeverie dhe do të duhej të merreshin masa. Ato dikastere qeverisëse, ligjet e të cilave i përgatisin për qeveri dhe parlament dhe vijnë në Gjykatë Kushtetuese, aty do të duhej të ketë përgjegjësi”, është shprehur Baraliu.

Në Kushtetuese, te enjten Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar edhe vendimin e kreut të Kuvendit për caktimin e seancës plenare, në të cilën një javë më parë ndodhi përleshja fizike e ku u miratuan disa ligje, në mesin e tyre edhe paga minimale.

Kryeziu thotë se nëse seanca e 13 korrikut shpallet e jokushtetuese për mënyrën se si është caktuar, ligjet e miratuara mund të anulohen.

“Nëse konsideron gjykata dhe ka fakte relevante që gjatë procedurës, gjatë miratimit të ligjeve është shkelur procedura, atëherë mund të përsëritet procedura e nxjerrjes së Ligjit për pagën minimale në këtë rast”, është shprehur ai.

Nga AAK-ja është paralajmëruar se do ta ballafaqojnë për vlerësim në Kushtetuese sërish edhe ligjin për Këshillin Prokurorial në rast se miratohet në Kuvend.