Partitë opozitare janë treguar optimiste se deri në fillimin e sesionit të ri të Kuvendit do të sigurohen votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Përfaqësues të këtyre subjekteve politike kanë theksuar se deri në shtator, pro mocionit mund të sigurojnë vota edhe te deputetë të caktuar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Partitë opozitare shprehën synimin të premten që në shtator t’ia shkurtojnë mandatin Qeverisë Kurti, ndonëse nuk e kanë saktësuar se si mund ta mbërrijnë këtë. Mocioni i mosbesimit është përmendur si opsion, e opozitarët kanë shprehur pritjen që në vjeshtë të gjejnë deputetë edhe te partia kryesore në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që do ta mbështetnin me votë mocionin.
Në Lidhjen Demokratike (LDK) thanë se Kosova nuk duhet e as nuk mund ta përballojë këtë lloj qeverisjeje.
Shefi i grupit parlamentar të këtij subjekti politik, Arben Gashi, ka thënë se shteti nuk mund të vazhdojë me një Qeveri të sanksionuar e të ekskomunikuar nga partnerët ndërkombëtarë.
“Ne presim që në vjeshtë të kemi një situatë komplet të re, pasi që kjo qeveri nuk duhet të vazhdojë”, është shprehur ai.
Por, për ta bërë këtë ndryshim politik, LDK-ja nuk ka prezantuar opsione të tjera, pos nëpërmjet mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë të iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për suksesin e të cilit kanë ende dyshime.
“Do të shohim a do të ketë brumë edhe brenda LVV-së në vjeshtë, që do të dalin dhe do të votojnë një mocion për ta rrëzuar Qeverinë. Përndryshe, është e pamundur. Duhet të ketë njerëz edhe nga brenda LVV-së që do ta rrëzojnë Qeverinë”, ka thënë Gashi.
Por, Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të AAK-së, pari që është iniciuese e këtij mocioni, është shprehur i bindur se do t’i mbledhë votat e 61 deputetëve për ta shkarkuar Qeverinë.
“Diskutimet që i kam pasur me opozitën, ata kanë një gatishmëri, mirëpo nuk i kanë vendosur nënshkrimet. Mendoj se kjo gatishmëri do të jetësohet në shtator dhe pastaj përmes mocionit do ta shkarkojmë”, ka thënë Tahiri.
E kryetari i grupit parlamentar të subjektit politik kryesor në opozitë, Partisë Demokratike (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se ai dhe kolegët e tij do të angazhohen në këtë drejtim duke bërë përpjekje që të sigurojnë vota nga disa deputetë të LVV-së.
“Unë besoj që do të kemi njerëz që i thërrasin arsyes, mendjes së shëndoshë dhe bëhen pjesë e një koalicioni më të madh dhe e dërgon vendin në zgjedhje, ndërsa koalicionin ‘Zdravo’ e dërgon në shtëpi”, ka deklaruar Tahiri.
Për rrëzimin e Qeverisë Kurti opozita është deklaruar se nuk mbështetet në votat e Listës Serbe. Përfaqësuesit e të tria partive opozitare aktualisht i kanë 42 deputetë. E, që mocioni të jetë i suksesshëm, u duhen edhe votat e 19 ligjvënësve të tjerë.
Deklarimet për mësymjen e rrëzimit të Qeverisë, shefat e grupeve parlamentare i kanë bërë në një konferencë për media pas dështimit të seancës së fundit të sesionit pranveror, për mungesë kuorumi.
Mungesa e deputetëve shtyu për shtator trajtimin e mbi 20 pikave të rendit të ditës, në mesin e të cilave edhe projektligje e marrëveshje ndërkombëtare.
Kuorumin nuk e bënë as ligjvënësit e pushtetit të cilët për dallim prej opozitës, i kishin dhënë mbështetje mbajtjes së kësaj seance në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit. Pas më shumë se një orë pritjeje, kryesuesja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, e konstatoi mungesën e kuorumit.
“Ka kaluar një orë prej kur e kemi pasur të paraparë të fillojmë me seancën. Ende nuk kemi kuorum. Unë propozoj që ta mbyllim për këtë sesion”, ka thënë ajo.
Por, shtyrja e saj për sesionin vjeshtor u vlerësua si e qëllimshme nga ana e opozitës. Deputetë të subjekteve politike opozitare e akuzuan pushtetin se mbylli seancën për ta pamundësuar diskutimin rreth audioincizimeve në të cilat dëgjohet shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tek diskuton me përfaqësues të Listës Serbe. Në to, Kusari-Lila e pranon se ka pasur komunikim edhe me Millan Radojçiqin, pas kohës kur është lëshuar fletarrest për të, nën dyshimin se është i përfshirë në vrasjen e politikanit serb të veriut të Kosovës, Oliver Ivanoviqit.
Abelard Tahiri është ankuar se pushteti nuk deshi t’u japë hapësirë për këtë diskutim as në pikën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, pasi ka theksuar se nuk u aprovua kërkesa në Kryesi të Kuvendit për debat lidhur me këtë çështje.
“Sot në mënyrën më të turpshme të mundshme ky koalicion, koalicioni ‘Zdravo’ e mbylli këtë seancë për të cilën ishim ftuar që të jetë seanca e fundit e sesionit pranveror dhe e mbyllën këtë seancë vetëm për të na pamundësuar që të diskutojmë rreth çështjes së aferës ‘Zdravo’”, ka thënë Tahiri.
Edhe Gashi i LDK-së tha se diskutimi mbi përgjimet, që përveç Kusari-Lilës e ish-shefit të deputetëve të Listës Serbe, Slavko Simiq, përfshijnë edhe të akuzuarin për disa vepra penale në Kosovë, Milan Radojçiq, janë arsyeja pse është shtyrë kjo seancë për shtator.
“Pasi është deklaruar në Kryesi se nuk do të ketë eskalime të dhunës, por vetëm diskutime dhe kërkim sqarime... Si duket LVV-ja ka preferuar heshtjen dhe ikjen nga përgjegjësia institucionale në këtë rast”, ka thënë Gashi.
Mbylljen e seancës, të qëllimshme e quajti edhe Tahiri i AAK-së, duke thënë se pushteti nuk pati guxim të përballet me diskutimet për përgjimet, të cilat rreth dy javë më parë çuan në përleshje fizike të deputetëve të PDK-së me anëtarë të kabinetit qeveritar.
“Sot jeni dëshmitar të anulimin të qëllimshëm të një seance vetëm e vetëm me i ikë përgjegjësisë së skandalit ‘Zdravo’”, ka deklaruar Tahiri.
Akuzave të opozitës iu kundërpërgjigj deputeti i Vetëvendosjes Armend Muja, duke thënë se nuk i ikin debatit. Megjithëkëtë, ai nuk arriti ta arsyetojë mungesën e kolegëve të tij në seancë, ani se u pyet disa herë.
“Seanca duhet të ketë kuorumin e nevojshëm për të filluar. Ishin deputetët e shumicës edhe nga opozita, por mjerisht nuk ishin mjaftueshëm për të filluar. Ne kishim planifikuar të qëndrojmë, pasi kemi pasë edhe ligje që do të duhej të kalonin në këtë sesion”, ka thënë Muja.
Me këtë seancë të dështuar, është përmbyllur sesioni pranveror. Partitë opozitare e vlerësuan si të dobët punën parlamentare që ka bërë kjo legjislaturë gjatë këtij sesioni.
Për rreth 7 muaj, Kuvendi ka miratuar mbi 40 ligje, një numër prej të cilave janë kontestuar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese. Në procedurë, deputetëve u kanë mbetur edhe 47 projektligje të tjera.
Deputetët do të kenë pushim deri të hënën e dytë të muajit shtator, kur edhe do të kthehen për fillimin e sesionit vjeshtor.