Arbëri

Opozita e shkoordinuar kundër Qeverisë

Liderët opozitarë, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj

Liderët opozitarë, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj

Në përpjekjen për ta rritur presionin ndaj Qeverisë pas situatës në veri, partitë opozitare kanë realizuar takime me strukturat e brendshme të tyre dhe me grupe të ndryshme të shoqërisë, por jo edhe mes vete. Njohës të çështjeve politike, por edhe eksponentë të opozitës thonë se aktualisht nuk ka një alternativë për ta rrëzuar Qeverinë

Partitë opozitare ndaras kanë ndërmarrë nisma e aktivitete me qëllimin për t’i bërë presion Qeverisë që t’i pranojë kërkesat ndërkombëtare për shtensionimin e situatës në veri.

Kanë realizuar takime me strukturat e brendshme partiake e me grupe të ndryshme të shoqërisë, por jo edhe mes vete.

Njohësi i çështjeve politike, Gazmir Raci, vlerëson se opozita po formëson qëndrime për situatën, tek pas reagimit të shteteve aleate.

“Po shihet që opozita është totalisht e çakorduar, nuk ka koordinim mes tyre dhe opozita po reagon post festum, pasi që po ndodhin ngjarjet dhe zakonisht po reagon pasi që po ka reagime nga ambasadorë të shteteve të QUINT-it”, ka thënë Raci.

Në Partinë Demokratike thanë se u takon liderëve të subjekteve politike të bëhen bashkë për rrugën para.

E sa për nismën e këtij subjekti politik për zgjedhje të parakohshme, më shumë shpresat i mbajnë te dorëzimi i mandatit nga Qeveria sesa te shkarkimi i saj në Kuvend nëpërmjet mocionit.

“Për të shkuar në zgjedhje duhet të ketë edhe një dakordim me deputetët e mazhorancës. Sepse, e tërë opozita të bëhet bashkë nuk i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë. Mirëpo, kjo qeveri duhet t’i thërrasë mendjes dhe ta ndërpresë këtë keqqeverisje, këtë degradim, sepse Kosova po shkon keq e më keq çdo ditë”, ka thënë Haxhiu.

KOHA ka adresuar pyetje edhe në Lidhjen Demokratike dhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për seriozitetin e mobilizimit të tyre dhe për mundësinë e koordinimit me njëra-tjetrën, por nuk ka marrë përgjigje nga zyrtarë të tyre.

Të tri partitë opozitare janë deklaruar se do ta bojkotojnë punën në Kuvendin e Kosovës për ta pamundësuar funksionimin e mazhorancës dhe për ta sjellë situatën deri në shpërndarjen e Kuvendit, rrethanë që do të sillte edhe zgjedhje të parakohshme. Por, ky skenar që synim ka zgjedhjet e reja nuk po shihet me seriozitet nga analisti Raci.

Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk do t’i përshtateshin asnjërës prej partive parlamentare opozitare, prandaj thotë se po mungon edhe deklarimi i tyre pro ose kundër mocionit të thirur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Pos, opozitës, ai thotë se në situatën aktuale zgjedhjet nuk i konvenojnë as shtetit të Kosovës.

“Të dy partitë që janë më të mëdha se AAK-ja e kanë parasysh numrin e votave dhe nuk hyjnë në këso lloj aventurash dhe mirë është që nuk po shkohet me mocion, sepse nuk i kanë votat. Nuk është momentumi i duhur për ta çuar vendin në zgjedhje. Koncentrimi duhet të jetë tek zgjidhja për veriun dhe zbatimi i planit franko-gjerman”, ka thënë Raci.

Për veprimet e Qeverisë në veri të Kosovës e mungesën e koordinimit me ndërkombëtarët, AAK-ja ka më shumë se një muaj që ka iniciuar mocion mosbesimi.

Të tri partitë opozitare kanë bashkërisht 42 deputetë, 19 më pak se sa duhen që mocioni të jetë i suksesshëm. Në rast të dështimit të tij, Rregullorja e Kuvendit thotë se një mocion tjetër i mosbesimit mund të bëhet vetëm pas nëntëdhjetë ditëve të ardhshme.