Albin Kurti udhëtoi për në Bruksel, pa pasur paraprakisht dialog të brendshëm me serbët, pa kërkim-faljen e Serbisë, pa konsensus ndërpartiak. Në prag të takimit me presidentin serb, Vuçiq, qeveria nuk ka prezantuar asnjë Platformë të shkruar dhe strategji për dialogun.
Megjithëkëtë, sipas zëdhënësit të qeverisë, takimi i së martës mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, nuk është takim i dialogut, por për dialogun e ardhshëm.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka udhëtuar për në Bruksel për takimin e paralajmëruar për ditën e nesërme në mes tij dhe Aleksandër Vuçiqit. Siç kemi thënë në vazhdimësi, takimi i nesërm nuk është takim i dialogut, por takim për dialogun, për dialogun e ardhshëm. Aty kryeministri Kurti do të paraqesë vizionin dhe qëndrimet tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për të, e i cili duhet të jetë parimor dhe i drejtë, në shërbim të popujve të të dy vendeve dhe i shkëputur nga ai i kaluari. Pra, nga takimi synohet dakordim rreth kapitullit të ardhshëm të dialogut dhe agjendës së tij, pas diskutimeve shteruese të ditës së premte në Kuvendin e Republikës së Kosovës për dialogun e mëparshëm dhe dëmet e shkaktuara nga ai”, ka shkruar Përparim Kryeziu.
Sipas njoftimit të BE-së, do të ketë takime bilaterale, të ndara, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e pastaj edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kurse një tryezë e përbashkët plenare është planifikuar për në orën 11:00. Për ecurinë e takimit, Lajçaku do ta mbajë një konferencë për media.
Konjufca: Dialog ndryshe me Serbinë
Një ditë pra takimit është deklaruar edhe Kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se dialogu me Serbinë do të jetë ndryshe prej atij të zhvilluar deri më tani.
“Dialogu me Serbinë duhet të gjykohet në bazë të asaj që ka ndodhur më 14 shkurt, rezultatit të madh politik. I përkthyer i bie që nuk mund të ketë dialog të njëjtë në takimet e Kosovës dhe Serbisë. Dialogu i vitit 2011 ka qenë i gabuar. Dialog që në fushat vitale të jetës institucionale të Kosovës ka shkaktuar dëme të mëdha, sidomos në fushën e drejtësisë. Të tilla gjëra më nuk do të ndodhin. Na duhet një përfaqësim dialogues i ri, që i jep garanci popullit të Kosovës se të tilla gjëra më nuk do të ndodhin. Jam i bindur që kryeministri Kurti në ditën e nesërme në takimet që ka atje do të përfaqësojë dinjitetshëm atë që ka ndodhur më 14 shkurt kur qytetarët i kanë thënë stop shumë gjërave si dialogut me Serbinë”, ka thënë Konjufca.
Sipas tij, është substanciale që në dialog të kërkohet njohja e Kosovës, por procesi nuk duhet të lidhet me liberalizimin e vizave.
“Dialogu nuk duhet të lidhet me liberalizimin e vizave, sepse kushdo që e bën, i bën një dëm të madh liberalizimit të vizave. Meqenëse kriteret për plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizim të vizave Kosova i ka përmbushur në vitin 2017. Dialogu mund të zgjasë me vite të tëra”, ka thënë ai.
Pavarësisht insistimit të Kurtit se takimi do të jetë njoftues, përfaqësues të shoqërisë civile nuk i përjashtojnë befasitë nga takimi i parë Kurti-Vuçiq.
“Ndoshta nuk është edhe larg mendsh që edhe në takimin e parë ndonjëra palë të hedhë në tavolinë ndonjë temë apo të paktën të tentojë ta ndezë diskutimin me propozime të ndryshme, siç mund të jetë edhe tema e Asociacionit nga zotëri Vuçiq”, ka thënë Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).
“Por nëse shkojmë në rrjedhën logjike siç do të duhej të ishin takimet e para mes dy liderëve, të paktën duhet të krijohet një bazë se ku dëshirohet të vazhdohet tutje dhe të merren qëndrimet e të dyja palëve. Kësisoj, ndërmjetësuesi i BE-së ta ketë një plan më afatgjatë tutje”.
Kryeministri i Serbisë tha së fundi se Kurti nuk ka pse vjen në takim nëse mendon të mos diskutojë për Asociacionin e serbëve brenda Kosovës. Themelimi i këtij mekanizmi me kompetenca ekzekutive vazhdon të jetë kërkesa kryesore e serbëve edhe pse Gjykata Kushtetuese pati konstatuar shkelje të të gjithë kapitujt e marrëveshjes së gushtit të vitit 2015.
Sipas kryeparlamentarit Konjufca, nuk duhet të negociohet për asociacionin.
“Sa i përket asociacionit, qëndrimet e institucioneve janë të qarta dhe pozicioni është ky: që asociacionin e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese. Duhet të krijohen më shumë mekanizma për pjesëmarrje më aktive të deputetëve në seanca”, ka theksuar Konjufca.
Marrë parasysh qëndrimet e palëve, Fetahu e sheh të vështirë arritjen e një marrëveshjeje finale dhe gjithëpërfshirëse.
“Por, me një presion ndërkombëtar dhe me një alternativë që do t’i kënaqte të dyja palët ndoshta është e mundshme. Tani duhet të jemi të kujdesshëm në caktimin e afateve se këtë vit do të ndodhë marrëveshja finale, për shkak se është tentuar edhe në të kaluarën. Në vitin 2018, u tha se do të jetë viti final sidomos nga ana e SHBA-së. Tani gjë pozitive është se kemi një koordinim më substancial mes SHBA-së dhe BE-së, që mund të jetë ogur i mirë për përshpejtim të negociatave dhe ndoshta një marrëveshje përfundimtare, por që koha është vështirë të përcaktohet tash”, ka thënë Fetahu.
“Është e udhës që Qeveria e Kosovës t’i japë drejtim këtij procesi, ta trajtojë me seriozitet, pasi problemi me Serbinë është bërë i pakapërcyeshëm për Kosovën. Jemi duke pasur probleme edhe me vendet njohëse, kështu që një zgjidhje dhe alternativë e mirë dhe një qëndrim dinjitoz që të ketë opsione, mund të arrihet marrëveshje nëpërmjet së cilës Kosovës i hapen dyert dhe thyhet izolimi 20-vjeçar, qoftë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, qoftë për tërheqje të investimeve”.
“BE-ja nuk sheh zgjidhje tjetër, pos njohjes reciproke”
Zyrtarë të BE-së deri tash kanë mbajtur qëndrim neutral për statusin e Kosovës dhe nuk janë deklaruar për përmbajtjen që duhet ta ketë marrëveshja finale midis Kosovës dhe Serbisë. Por, në një raport që Skënder Hyseni e kishte përgatitur sa ishte koordinator nacional për dialogun, kishte shkruar se në një takim, Miroslav Lajçaku i kishte thënë se BE-ja nuk sheh zgjidhje tjetër pos njohjes reciproke.
Ndonëse Lajçaku citohet të ketë thënë se këtë s’mund ta thotë publikisht, Qeveria Kurti e ka publikuar të premten raportin me këtë përmbajtje. BE-ja e lehtëson procesin e dialogut që ka nisur prej një dekade. Por, deri tash, as Lajçaku dhe as zyrtarë të tjerë në Bruksel nuk kanë folur publikisht për zgjidhjen finale që e synojnë.
Raporti 29-faqesh ishte hartuar fund vitin e shkuar dhe flet shkurtazi për pjesëmarrjen e Hysenit në dialog, e në disa raste edhe për takimet e nivelit të lartë.
Mes tjerash, në të tregohet se si Avdullah Hoti sa ishte kryeministër, kishte pranuar të diskutohej për Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, bisedat nuk ishin zhvilluar, shkaku i kundërshtive në Prishtinë.
Mbështetur në këtë dokument, në rundet e deriatëhershme, si në nivel të koordinatorëve për dialog, ashtu edhe në nivel të lartë, ishte diskutuar për të pagjeturit dhe të zhvendosurit, raportet ekonomike dhe kishte nisur të trajtohej edhe çështja e obligimeve financiare dhe pronës. Derisa për elementet e tjera të marrëveshjes, ishte arritur pajtimi në parim. Dallime të mëdha kishte për obligimet financiare dhe pronën.