Arbëri

Ndërtime pa leje, pa pronësi e pa kritere në “Bjeshkët e Nemuna”

Shteti i Kosovës nuk po ia del ta mbrojë pasurinë e bujshme natyrore në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”. Ndonëse ky park ka mbi 8 vjet që mbrohet me ligj, ai nuk ka gjetur zbatim. Drunjtë e moçëm po priten, rrugët po hapen, habitati i egër po shkatërrohet, për të mundësuar ndërtimin e vilave luksoze nga njerëz që nuk janë fare pronarë të tokës

Përpjeta që të çon nëpër Bjeshkën e Lumbardhit e deri në majën e saj nuk është e dendur me drunj, siç është mbajtur mend dikur. Ata vende-vende janë prerë për t’u bërë hapësirë ndërtimeve ilegale në Bjeshkët e Nemuna. Ndërtuesit janë përkujdesur që ato parcela megjithatë të mbesin të rrethuara me gjelbërim, në afërsi të krojeve, uji i të cilave historikisht ka çarë shkëmbinjtë për të krijuar burime që i japin jetë atij vendi. Edhe rrugë janë ndërtuar për qasje më të lehtë nëpër hijeshinë e tokës së shtetit, që është pjesë e parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, të mbrojtur me ligj që nga viti 2012. Atje hija e lisave të gjatë më nuk i bën hije habitatit të egër, i cili çdo ditë e më shumë po ikën lart e më lart bjeshkëve, që t’i bëjë vend njeriut. Betoni nuk është kursyer për vendosjen e themeleve, e tullat për ngritjen e mureve të shtëpive e vilave luksoze nëpër Bjeshkën e Lumbardhit. Ndonëse pa leje ndërtimi e pa “tapi”, ajo është mbushur me më shumë se 20 objekte, disa prej të cilave janë ende në themel e të tjerat dy-trekatëshe. Ndërtimet kanë kapluar shumë pjesë të Bjeshkëve të Nemuna deri në thellësi të saj, në pronë publike, pa leje e pa kërkesa për to nga asnjë instancë e shtetit.

Parku Nacional është shtëpia e shumë bjeshkëve që emrin e kanë marrë nga fshatrat banorët e të cilëve dekadave të kaluara i kanë çuar bagëtitë për të kullotur muajve të verës. Bjeshka e Lumbardhit, Bjeshka e Belegut, Bjeshka e Strellcit, Bjeshka e Milishevcit, Bjeshka e Isniqit e shumë të tjera janë tokë e shtetit brenda “Bjeshkëve të Nemuna”, ku banorët e atyre fshatrave dikur kishin ngritur stane nga drurët e gurët e i kishin mbuluar me najlona për t’u mbrojtur nga shiu i verës gjatë tre-katër muajve. Bagëtitë kanë kullotur, të zotët kanë nxjerrë qumështin, djathin, kosin e produkte të tjera të bulmetit. Pastaj janë kthyer në shtëpitë e veta, në tokën e vet, në fshatrat të cilave u takojnë. Por që nga paslufta e kryesisht viteve të fundit, statusi i këtyre banorëve ka ndryshuar. Ata i janë kthyer përsëri bjeshkës, por kësaj radhe jo për t’ia lëmuar kurrizin. Tokën e kanë gërryer, drunjtë i kanë prerë, rrugën e kanë zgjeruar dhe kushtet për të ndërtuar pamëshirshëm i kanë plotësuar pa kurrfarë pengesash. Ligji për parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” nuk ka krijuar kurrfarë garancie që t’u dalë zot këtyre bjeshkëve.

Ndalja e ndërtimeve dhe ruajtja strikt e natyrës, sipas institucioneve shtetërore, po varet nga një plan hapësinor, i cili ka mbi 4 vjet që është duke u hartuar e finalizimi i tij duke u zvarritur. Ambientalistët kanë ngritur dyshime se zvarritja po ndodh me qëllim, për t’i mbyllur sytë ndaj ndërtimeve e pastaj edhe për të gjetur mënyra për legalizimin e tyre.

Paralelja mes pronarëve dhe uzurpuesve

Nga ana tjetër, në territorin e parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna” janë të përfshira edhe 13 fshatra, banorët e të cilave pavarësisht se janë pronarë të tokave, edhe ndërtimet e tyre po kategorizohen si ilegale ngjashëm sikurse ato që po ndodhin në pronë të shtetit.

“Në fshatrat që gjenden brenda parkut kombëtar lejohet ndërtimi e rindërtimi i shtëpive, bujtinave, objekteve hoteliere dhe rekreative vetëm pasi të kalojë Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar. Ndërkaq zonat e thella të bjeshkëve janë prona publike që janë shfrytëzuar nga banorët e zonave të ndryshme dhe shfrytëzimi i këtyre tokave për bagëti lejohet vetëm pasi të kalojë ky plan. Ende nuk dihet a do të ketë rrënim apo legalizim, por këto ndërtime do t’u nënshtrohen procedurave ligjore si ndërtime pa leje, gjë të cilën jemi duke e bërë aktualisht”, ka thënë Fatmir Morina, që ushtron pozitën e drejtorit në Zyrën për Administrimin e Parkut Kombëtar.

Pavarësisht se të gjitha ndërtimet në zonën e mbrojtur të parkut janë pa leje, asnjë prej tyre deri më tash nuk është rrënuar. Kallëzimet penale që Zyra e Administrimit të Parkut i ka deponuar në Prokurorinë Themelore të Pejës ndaj ndërtuesve, janë e gjitha që është bërë, në përpjekje të ndaljes së degradimit të natyrës nga ndërtimet pa leje në prona private e publike.

Ilir Morina, nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, thekson se i gjithë ky kaos do të mund të rregullohej nëse plani hapësinor arrin të shkojë dhe të miratohet në Kuvend. Sipas tij, shumë shpejt drafti i këtij plani do të shkojë për votim në Parlament.

“Ministri ( Blerim Kuçi) është duke e shqyrtuar dhe përmirësuar këtë plan me kryetarët e komunave që gravitojnë në këtë park dhe Institutin e Planifikimit Hapësinor, dhe ka premtuar që do ta shtyjë këtë plan në Qeveri dhe Parlament”, ka thënë Morina.

Buldozerët hapin rrugë

Në majën e Bjeshkës së Lumbardhit dielli është më afër. Mjegulla që kishte rënë mbi të vështirësonte pamjen në largësi, por atë e përbironin ngjyrat e ndezura të fasadave të vilave që për nga stili dallonin nga njëra-tjetra. Disa më të vogla e disa gjigande. Disa të veshura me drunj, disa me gurë e fasadë, e disa ende në tulla e beton. Ndërkohë hapja e rrugëve vazhdonte me buldozerë e kamionë.

Besfort Kosova, nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Green Balkan Foundation”, thekson se në rast të lejeve për ndërtim, sidomos në këto zona të mbrojtura, duhet të plotësohen një mori kriteresh si nga ana e banorëve ashtu edhe nga investitorët e jashtëm, në mënyrë që ndërtimet të mos bëhen jashtë stilit tradicional që mban ai park.

“Investitori por edhe banorët të cilët bëjnë ndërtime në zona të caktuara duhet që në fillim të sigurohen që zona e tyre përkon me planin zhvillimor, të plotësojë kushtet për ndërtim që janë në rregull me mjedisin dhe që nuk kanë ndonjë ndikim negativ në mjedis, pastaj duhet të kenë parasysh edhe nga ana arkitektonike dhe nga ana e ndërtimit të arkitekturës, që të jenë në përputhje me standardet të cilat përkojnë me atë zonë”, ka thënë ai.

Për shkak të mbrojtjes së vlerave natyrore, ekosistemeve pyjore e habitateve të llojeve të rralla, me Ligjin për parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” janë vendosur disa regjime të zonave të mbrojtjes. Dhe, dhënia e lejeve për ndërtim duhet të bëhet në përputhje me këto regjime në mënyrë që të mos degradohet biodiversiteti në florë dhe faunë.

Kundër ndryshimit ligjor

Sipas Luan Nushit, drejtor i Institutit për Planifikim Hapësinor, për pjesën më të madhe të territorit të parkut Plani Hapësinor parasheh kushte specifike të ndërtimit. Autoriteti përgjegjës për lëshimin e lejeve do të jetë Ministria, përveç ndërtimeve në prona private (vendbanime), për të cilat përgjegjësia maksimale do t’u takojë komunave përkatëse. Nushi ka thënë se kushteve të Planit Hapësinor duhet t’u përshtaten të gjitha ndërtimet, duke përfshirë edhe ato ekzistuese.

“Plani Hapësinor për PK ‘BN’ do të ndihmojë në rregullimin e situatës hapësinore në park, duke përfshirë edhe ndërtimet. Sa u përket objekteve pa leje, ato do të jenë subjekt i Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, por që në rastin e PK ‘BN’ aprovimi i Planit Hapësinor do ta lehtësojë shumë trajtimin e tyre, duke ulur në minimum arsyet për rrënim”, ka deklaruar ai.

Por, pikërisht mundësia për mosrrënimin e të gjitha objekteve që janë ndërtuar pa leje është ajo që i ka revoltuar aktivistët për mbrojtjen e ambientit. Ardian Nrecaj nga Grupi për Mbrojtjen e Ujërave dhe Mjedisit, thekson se grupe të caktuara janë duke u munduar që të bëjnë ndryshime në hartimin e legjislacionit të Planit Hapësinor, në mënyrë që personat apo bizneset që kanë ndërtuar në pronë publike brenda parkut të mos preken nga mundësia e rrënimit të objekteve të tyre.

“Sipas disa informatave që ne kemi, është duke u bërë një ndryshim i legjislacionit që të krijohet pajtueshmëri dhe të merret harmonizimi i kërkesave të disa komunave, të disa banorëve lokalë, dhe disa investitorëve. Por, ne jemi kundër çdo ndryshimi ligjor, i cili cenon zonën e mbrojtur në parkun kombëtar, sepse kjo bie ndesh me vetë principin e shpalljes së asaj zone park kombëtar. Këto ndryshim-plotësime të legjislacionit janë duke u bërë për t'i favorizuar disa persona të caktuar dhe disa biznese të caktuara në atë zonë”, ka thënë Nrecaj.

Pronë private apo pronë publike

Ndërkaq aktivisti Fatos Lajçi, nga organizata “Veprim me përgjegjësi ndaj mjedisit”, thotë se është e rëndësishme që shteti të mos i trajtojë njëjtë, banorët e fshatrave brenda parkut që kanë ndërtuar në prona private dhe që kanë ngritur stane në prona publike lart në bjeshkë, me banorët e zonave të tjera që kanë bërë ndërtime në pronë të shtetit, në territor të zonës së mbrojtur me ligj.

“Kjo punë duhet të zgjidhet ligjërisht se cili është statusi i këtyre banorëve aty. A janë okupues të pronës publike apo janë taksapagues si pronarët e pronave private. Mendoj që kjo çështje duhet të zgjidhet juridikisht. Shteti duhet të intervenojë ndaj palëve apo qytetarëve, të cilët ndërtojnë edhe pa pronësi, por edhe në zona që janë strikte të parashikuara. Këto probleme duhet të evidentohen”, ka pohuar ai.

Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje do t’i trajtojë si ilegale të gjitha ndërtimet të cilat janë ndërtuar apo kanë filluar të ndërtohen para hyrjes në fuqi të këtij ligji në shtator të 2018-s. Kësisoj Servet Spahiu, drejtor i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim, ka thënë se këto ndërtime pa leje do të futen në “Listën e pritjes” dhe më pas do të trajtohen sipas programeve dhe kritereve të veçanta, të cilat ende nuk janë hartuar nga Ministria.

“Përfshirja në listën e pritjes e një ndërtimi nuk e paragjykon vendimin përfundimtar për trajtimin e atij ndërtimi. Pra, në këtë fazë nuk mund të paragjykojmë se cilat do të jenë ato kritere për trajtimin e ndërtimeve pa leje që gjenden në parqet kombëtare”, ka thënë Spahiu.

Një ndër problemet themelore në këtë park, sipas aktivistëve të mjedisit, janë edhe ndërtimet pa leje të hoteleve, të cilat nuk janë rrënuar, por vetëm janë gjobitur pronarët me gjoba tepër të vogla e të cilat janë në kontradiktë të madhe me dëmet e pariparueshme që kanë sjellë ndërtimet. Një gjë e tillë, sipas tij, përbën precedent të rrezikshëm për ndërtuesit e tjerë, të cilët mund të bëjnë të njëjtën gjë.

Për një kohë të shkurtër, në mënyrë që të ndalen ndërtimet ishte ndaluar bartja e materialit ndërtimor përgjatë parkut, mirëpo në mungesë të inspektimit të tyre punimet prapë po vazhdojnë.