Kosova nuk u ka dhënë fund strukturave paralele të Serbisë në veriun e populluar me shumicë serbe, as pas dialogut disavjeçar me Beogradin zyrtar. Prezenca e tyre dhe presionet politike që vijnë nga Beogradi veçmas në kohë zgjedhjesh janë konfirmuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e publikuar së fundmi. Se ka probleme me ligjin e ka pohuar edhe presidentja Vjosa Osmani
Konstatimin e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për vazhdimësi të prezencës së strukturave paralele dhe bandave serbe në veri, e ka konfirmuar të enjten edhe presidentja Vjosa Osmani. Sipas saj, në komunat që popullohen me shumicë serbe ka probleme të sundimit të ligjit.
“Në veri të vendit, për fat të keq, ka probleme të sundimit të ligjit të cilat janë krijuar nga banda ilegale të cilat financohen dhe mbështeten nga Serbia. Pra, problemi kurrë nuk është me qytetarët që janë aty, qytetarë serbë, qytetarë shqiptarë, të komunitetit rom, ashkalinj, egjiptianë, turq e boshnjakë. Problemi gjithnjë ka qenë me qytetarët, të cilët ilegalisht kanë kryer krime, kanë frikësuar qytetarët, ua kanë mohuar atyre shpeshherë edhe të drejtën e lirë në votim”, ka thënë Osmani.
Në raportin e publikuar dy ditë më parë nga Departamenti Amerikan i Shtetit thuhet se Qeveria e Serbisë vazhdon të operojë me struktura të paligjshme edhe në zonat e banuara prej komuniteteve të tjera.
“Qeveria serbe vazhdoi të operojë me struktura të paligjshme paralele qeveritare në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti goran. Qeveria serbe shpesh i përdorte këto struktura për të ndikuar në komunitetet serbe dhe kosovare-gorane në funksion të përfaqësuesve të tyre politikë”, shkruan në raport.
Aty përmenden presionet dhe frikësimet brenda komuniteteve pakicë në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit të kaluar, për ta mbështetur subjektin që është instrument i Beogradit në Kosovë.
“Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe të pavarur, si dhe përfaqësuesit e grupeve të pakicave etnike vunë re presione dhe frikësime brenda komuniteteve të pakicave etnike për të mbështetur partitë e rreshtuara krah Listës Srpska, një parti e lidhur ngushtë me Qeverinë serbe. Disa serbë të Kosovës gjithashtu raportuan se u është bërë presion që të mos mbështesin parti të tjera përveç Listës Srpska”, shkruan në raport.
Pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në nëntor të vitit 2013 palët ishin marrë vesh që trupat e përkohshëm të zëvendësohen me organet e reja komunale. Por, përkundër konstituimit të tyre, Serbia jo që nuk i ka shuar, por vetëm i ka ripërtërirë ato. Madje, ka zyrtarë të cilët punojnë për institucionet e Serbisë dhe ato të Kosovës.
Përjashtim nuk bëjnë as administratat ilegale serbe të cilat operojnë sipas ligjeve të Serbisë në komunat e populluara me shumicë serbe. Nëpunësit civilë serbë që shërbejnë në administratën ilegale të Leposaviqit, të Zubin-Potokut e Zveçanit marrin paga nga buxheti i Kosovës që nuk është burimi i vetëm i të ardhurave të tyre. Edhe institucionet e tjera të arsimit e shëndetësisë drejtohen nga njerëz të emëruar në Serbi. Sipas të dhënave të mëhershme të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, janë plot 29 organe të përkohshme në Kosovë, me më shumë se 5 mijë të punësuar.
Shuarjen e veprimtarisë së administratave ilegale, Serbia e kishte ndërlidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Madje, sipas marrëveshjes së parimeve mbi Asociacionin të vitit 2015, palët ishin dakorduar që këta shërbyes të përfitojnë nga statusi i punësimit në bazë të ligjeve të Kosovës – Ligjit të punës ose Ligjit për shërbimin civil. Por kjo pikë dhe disa të tjera u gjykuan të jenë në kundërshtim me aktin më të lartë juridik nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Megjithëkëtë, kërkesat e ndërkombëtarëve, qeveria aktuale ka refuzuar të ndërmarrë veprime për themelimin e Asociacionit.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit flet edhe për dështimet e institucioneve të Kosovës që t’i zbatojnë ligjet.
“Autoritetet nganjëherë nuk arritën t’i zbatojnë vendimet e gjykatës, duke përfshirë edhe ato të Gjykatës Kushtetuese. Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës pohuan se institucionet qeveritare dështuan në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore në favor të serbëve të Kosovës, veçanërisht në mosmarrëveshjet që lidhen me pronën”, thotë raporti.
DASH-i i është referuar refuzimit të Komunës së Deçanit për ta zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, i cili ia njeh manastirit të Deçanit pronësinë në mbi 24 hektarët e kësaj komune.
“Autoritetet qendrore dhe lokale në Deçan vazhduan ta refuzojnë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që konfirmon pronësinë e Kishës ortodokse serbe mbi më shumë se 24 hektarë tokë ngjitur me manastirin e Deçanit. Në shtator, Gjykata Kushtetuese vuri në dukje refuzimin e vazhdueshëm të qeverisë për të zbatuar vendimin e gjykatës dhe ia referoi çështjen prokurorit të shtetit. Deri në dhjetor, prokuroria nuk kishte filluar procedimin penal”, konstaton raporti.
Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të QUINT-it dhe përfaqësuesve të BE-së, vendimi nuk është zbatuar.
e kishte njoftuar shtatorin e vitit të kaluar Prokurorinë e Shtetit lidhur me moszbatimin e vendimit për manastirin e Deçanit. Në letrën dërguar kryeprokurorit, Gjykata Kushtetuese ka thënë se “nuk ka kompetencë për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatimin e aktgjykimeve të lartcekura nga autoritetet përgjegjëse”. Sipas institucionit më të lartë që është i thirrur për ta interpretuar Kushtetutën, i takon Prokurorisë së Shtetit t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme, sipas autorizimeve ligjore.