Arbëri

Mustafa kërkon kundërpeshë për postin e kryeministrit

Isa Mustafa ka zyrtarizuar kërkesën për kundërpeshën që Lidhja Demokratike (LDK) të cilën e udhëheq, e kërkon për postin e kryeministrit, për të cilin është pajtuar se i takon Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Ai ka thënë se, në këtë fazë, të dyja subjektet që synojnë të bashkëqeverisin, duhet të merren vesh edhe për postin e presidentit, shkruan sot Koha Ditore.

Mustafa e ka thënë këtë të premten, ditën kur “Koha Ditore” ka raportuar se LVV-ja nuk do t’ia ofrojë LDK-së asnjë ministri si kundërpeshë për postin e kreut të Qeverisë.

“Parimisht jemi shprehur para fillimit të zgjedhjeve që ne do ta pranojmë që kryeministrin ta ketë partia e cila del e para dhe ne do t’i përmbahemi atij parimi. Mirëpo, në qoftë se ne i përmbahemi këtij parimi nuk do të thotë se çështja pastaj e kryeministrit është çështje e përfunduar në pikëpamje, të themi, të peshës që ka kryeministri dhe pozitat e tjera shtetërore”, ka thënë Mustafa në një konferencë për media, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së. “Për këtë do të flasim në një takim që do ta kemi me liderin e Vetëvendosjes”.

Mbështetur në rezultatet përfundimtare të publikuara një ditë më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja ka siguruar 26.15 për qind të votave, e pasuar nga LDK-ja me 24.45 për qind. Kjo përqindje, të pares ia siguron 32 deputetë, e të dytës 29. Kësisoj, subjektet që në mandatin që ndodhet në përmbyllje ishin në opozitë, tani bashkërisht kanë siguruar shumicën prej 120 ulëseve sa i ka Kuvendi.

Edhe për kah numri i votave që kanë siguruar kandidatët për deputetë që ishin të nominuar për kryeministër, prin ai i LVV-së. Albin Kurti ka marrë gjithsej 183.868 vota, ndërsa e nominuara e LDK-së, Vjosa Osmani, 176.188 vota.

Besnik Bislimi, nënkryetar i LVV-së, i ka thënë gazetës një ditë më parë se do të refuzohet çfarëdo negociate që lidhet me kundërvlerën për pozitën e të parit të ekzekutivit.

“Posti i kryeministrit në asnjë rrethanë nuk është pjesë e diskutimeve. Ky post nuk negociohet meqë është përcaktuar me votë. Rrjedhimisht as mund të tregtohet e as balancohet me diçka tjetër”, ka thënë Bislimi.“Në rast të një balancimi, kjo nënkupton që krahas një pozicioni qeverisës që është zgjedhur me votë direkte të qytetarit, do të qëndronte një post në ajër dhe i pafituar, por i negociuar. Andaj, edhe nuk mund të ketë balancim apo kundërpeshim për të”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)