Pothuajse një vit u është dashur institucioneve në nivel qendror dhe atë komunal të sqarojnë se kush duhet të marrë veprime në zonën e Batllavës. Sqarimet, sipas tyre, janë bërë në një takim në fund të prillit. Ky takim u realizua pas interesimit të KOHËS se çfarë masash kanë ndërmarrë Agjencia e Pyjeve dhe Ministria e Mjedisit për ndalimin e ndërtimeve pa leje në zonën e Liqenit të Batllavës
Rreth një vit u është dashur institucioneve të shtetit që të sqarohen me njëra-tjetrën se kush është përgjegjës për ndalimin e ndërtimeve pa leje në pyjet rreth zonës së Liqenit të Batllavës.
Krejt kjo periudhë është shfrytëzuar nga ndërtuesit për ngritjen e vilave e shtëpive, duke degraduar pyjet pranë Liqenit.
Përgjegjësitë e njëra-tjetrës thuhet të jenë sqaruar tek në fund të prillit, në një takim mes zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë së Pyjeve dhe Komunës së Podujevës.
Ky takim është mbajtur pas interesimit të KOHËS për veprimet që kanë marrë Agjencia e Pyjeve dhe Ministrja e Mjedisit për ndalimin e degradimit të pyjeve në atë pjesë. KOHA ditë më parë ka raportuar për një raport të Auditorit të Brendshëm të Agjencisë së Pyjeve. Në të ishte kontestuar se drejtori i Drejtorisë Qendrore për Pylltari dhe Gjueti, i cili vepron në kuadër të APK-së, Besim Zogu, nëpërmjet urdhëresës dhënë inspektorëve që lënda të bartet në Ministri kishte dyshime se është tentuar që të iket nga përgjegjësia për marrjen e masave adekuate ligjore për ndalimin e aktiviteteve të paligjshme për këtë rast.
Sipas raportit, me këtë është penguar inspektori në ushtrimin e detyrave të tij ligjore.
Por, se cili institucion ka keqpërdorur detyrën ose i ka ikur përgjegjësisë, do të vërtetohet nga organet e drejtësisë, pasi ky raport dhe dokumentacionet e tjera kanë përfunduar në Prokurori.
E drejtori i DQPGJ-së, Besim Zogu, ka mohuar edhe një herë ikjen nga përgjegjësia. Në një përgjigje tjetër për KOHËN, ai tha se në takimin e 21 prillit është sqaruar se Ministria e Mjedisit dhe Komuna janë përgjegjëse për zonën rreth Liqenit.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës me vendim mund ta shpallë një tokë pyjore apo pyll si zonë të një rëndësie të veçantë dhe me po atë vendim pronën e destinon për një qëllim tjetër, duke specifkuar edhe përgjegjësitë e organit lidhur më atë pronë, pasi pronar i këtyre pronave është shteti i Kosovës.
“Këto janë sqaruar edhe në takimin e datës 21.4.2022, dhe sikur kjo të mos ishte kompetencë e MMPHI-së dhe e Komunës së Podujevës, ato do ta kontestonin zyrtarisht bartjen e lëndës tek ky institucion dhe aq më tepër nuk do t’i hartonin vendimet për rrënim në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe nën mbikëqyrje të inspektorëve të ndërtimit të MMPHI-së”, ka thënë ai.
Në takim ai ka thënë se janë paraqitur dokumentacionet e kontrolleve të organizuara nga inspektorët e rajonit të Prishtinës që janë të qershorit, korrikut dhe gushtit të vitit të kaluar, dhe se pas konstatimeve se janë zona të mbrojtura ujore, lënda është bartur te MMPHI-ja.
“Në takim kërkova të njoftohem se a është hartuar plani i veprimit për zbatimin e masave të mbrojtjes nga MMPHI-ja sipas pikës 10 të këtij vendimi dhe sqarova se sipas Nenit 36 dhe 37 të UA Nr. 15/2017 për kriteret për përcaktimin e zonave të mbrojtura sanitare të burimeve të ujit, MMPHI-ja është përgjegjëse për mbikëqyrjen e zonave të mbrojtura sanitare dhe për zbatimin masave mbrojtëse në pajtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe me vendimin e Qeverisë për përcaktimin e zonave të mbrojtura sanitare, kurse komunat janë përgjegjëse që planet e zhvillimit t’i hartojnë dhe rishikojnë në pajtim me dispozitat e kësaj urdhërese administrative (UA) dhe e vendimin e Qeverisë, duke ndërmarrë edhe masat e tjera mbrojtëse të zonave sanitare të burimeve të ujit”, ka thënë Zogu.
Sipas tij, neni 93 i Ligjit nr. 04/L-147 për ujërat e Kosovës specifikon se mbikëqyrjen inspektuese për zbatimin e këtij ligji e kryejnë inspektorët e ujërave të MMPHI-s dhe neni 112 i po këtij ligji specifikon se me hyrjen në fuqi të këtij ligji zëvendësohet dhe shfuqizohet çdo dispozitë e ligjeve në fuqi që nuk është në përputhshmëri me këtë ligj.
Po ashtu, thotë se ka sqaruar edhe obligimet nga neni 24 i Ligjit nr. 2003/3 për pyjet e Kosovës, ku specifikon se APK-ja mund të hyjë në marrëveshje me Qeverinë për të asistuar në administrimin ose menaxhimin e parqeve dhe tokave të ngjashme, ku shërbimet e APK-së mund të jenë të dobishme.
Kjo, pasi, sipas tij, APK-ja nuk është pronare e pyjeve dhe tokave pyjore, por shteti i Kosovës dhe Qeveria me vendim apo ligj tjetër mund t’ia bartin pjesën e menaxhimit një institucioni tjetër sikur është vepruar në këtë rast me parqet nacionale.
“Pas këtyre sqarimeve kishte dakordim që Komuna e Podujevës-Inspektorati, të marrë masat e ekzekutimit të vendimeve për rrënim që veç ishin hartuar, për çka ishte i informuar edhe prokurori i shtetit, kurse inspektorët e MMPHI-së do t’ju asistojnë në ekzekutimin e vendimeve për rrënim konform përgjegjësive ligjore që kanë”, ka thënë ai.
Ardian Ndrecaj, aktivist për mbrojtjen e mjedisit, thotë se shkaku i moskoordinimeve mes ministrive ka pasur shkelje të mëdha ligjore, siç janë ato me ndërtimet në Liqenin e Batllavës.
“Kjo ka qenë një praktikë e keqe që ka ndodhur për vite të tëra. Përgjegjëse janë të gjitha ministritë, përgjegjëse është Ministria e Mjedisit, që duhet të mbrojë Liqenin e Batllavës dhe zonat që sjellin ujin, pasi Liqeni është akumulues. Ministria e Bujqësisë dhe Pyjeve është përgjegjëse për pyjet dhe me prerjen e atyre druve krijohet erozion dhe kjo do të ndikojë në kanalet e ujit që sjellin ujin në Liqen. Këtu nuk është përgjegjësia vetëm e një ministrie, por e të gjithave dhe nuk është mirë që ta fajësojnë njëra-tjetrën dhe të mos marrin hapa në mbrojtjen e Liqenit”, ka theksuar Ndrecaj.
Sipas tij, në atë pjesë do të duhej që të vendoseshin edhe tela me gjemba, pasi uji i atij liqeni përdoret për pije.
Ndrecaj ka thënë se çdo aktivitet në atë pjesë mund të ndikojë në liqen.
Sipas tij, për çdo shkelje ligjore duhet të parashihen ndëshkime dhe se zyrtarët përgjegjës të institucioneve, por edhe ndërtuesit që kanë ndërtuar pa leje, duhet të japin llogari për degradimin që u është bërë pyjeve.
KOHA ka raportuar gjatë javës se mbi 40 objekte pa leje janë ndërtuar buzë Liqenit të Batllavës. Pylli është mbushur me shtëpi e vila, disa prej të cilave janë në ndërtim e sipër, e disa veçse janë ngritur në dy e tri kate.
Xhirimet e realizuara fundmarsin e këtij viti e faktojnë trendin në rritje të ndërtimeve, krahasuar me qershorin e vitit të shkuar.
Ndërtimet janë bërë pa pëlqimin e Agjencisë së Pyjeve për ndërrimin e destinimit të tokës nga pyjore në ndërtimore dhe për prerjen e pyjeve, sikurse e parasheh Ligji për pyjet.
Edhe pse Ministria e Mjedisit, në përgjigje dhënë për KOHËN kishte thënë se për ndërtimet në atë zonë, përgjegjësia është e Komunës, sipas drejtorit të DQIPGJ-së, Besim Zogu, në takimin e prillit është sqaruar se Ministria dhe Komuna duhet marrin masa për ndërtimet në atë pjesë.
“Bazuar në legjislacionin në fuqi, kompetentë për pyje janë: Agjencia Pyjore e Kosovës dhe Komuna, varësisht nga kategoria, ndërsa ndërtimet janë kategori I (e parë) e ndërtimit e që përsëri, duke u bazuar në ligjet për ndërtim, kjo kategori është kompetencë e komunave përkatëse”, kishte thënë Ministria.
E Besnik Mulliqi, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Podujevës, ka treguar se janë lëshuar 13 vendime për rrënime të objekteve pa leje dhe se pritet përfundimi i procedurave për ekzekutimin e tyre.
“Situatën e kemi gjetur të trashëguar. Është një zonë që është ndërtuar shumë. Por punën e parë që kam bërë pas marrjes së detyrës është zona e Batllavës dhe Orllanit, ku kam kërkuar raport nga inspektorët. Të njëjtat objekte nuk janë të pajisura me dokumentacione të nevojshme, siç është pëlqimi në Komunë dhe një numër tjetër i dokumentacioneve”, ka thënë Mulliqi.