Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka vazhduar me gafa. Ajo gjatë ditës derisa ngushëllonte për vdekjen e ish-komandantit të KFOR-it në Kosovë, Klaus Reinhardt, iu referua atij si komandanti i parë i KFOR-it. Gërvalla kishte huqje edhe më herët në informacione, të cilat më pas i kishte edituar. Për gabime ishte arsyetuar kohë më parë para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ia ka huq përsëri.
Duke ngushëlluar për vdekjen e ish-komandantit të KFOR-it në Kosovë, Klaus Reinhardt, ajo i është referuar atij si komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë.
Por, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë ishte Sir Michael David Jackson, ndërsa Reinhardt ishte komandanti i dytë i kësaj force.
Postimi i Gërvallës në Facebook është edituar më pas, duke e bërë komandanti i parë gjerman i KFOR-it në Kosovë.
Nuk është hera e parë që Gërvalla ka huqje të tilla në informata.
Kur ndodhi shpërthimi në Spitalin e Tetovës, teksa shprehu ngushëllime për familjarët e personave që humbën jetën, Gërvalla bëri një huqje.
Në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, në vend se të etiketojë ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i bëri një tag një tifozi të lojtarit Zlatan Ibrahimoviq.
Por gabimin e ka rregulluar më pas.
Faqja zyrtare në Twitter e ministrisë që udhëhiqet nga Donika Gërvalla është e njohur për gafe të tilla edhe më herët, ku para kësaj ishte ngatërruar flamuri i NATO-s me atë të OKB-së.
Ajo ka postuar një fotografi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke e paralajmëruar vizitën e tij në Kosovë më 1 korrik, por në vend se të vinte flamurin e NATO-s, ajo ka vënë flamurin e OKB-së në tri vende.
Një huqje nga MPJ-ja ishte bërë edhe në urimin për ditën e pavarësisë së Andorës, kur kishte ngatërruar flamurin, duke e vendosur atë të Moldavisë.
Në fakt, MPJ-ja dhe ministrja Gërvalla janë kritikuar edhe më herët për postimet në Twitter, sidomos për atë që kishte të bënte me Rusinë, kur dyshohej se ishte bërë me ndihmën e “google translate”.
Ministrja Gërvalla, para Komisionit për Punë të Jashtme e kishte arsyetuar këtë me limitimin prej 270 karakteresh.