Arbëri

Me tri rregullore, synohet disiplinimi i administratës

Nëpërmjet tri rregulloreve që janë finalizuar, por që ende nuk janë vënë në rend dite për miratim, Qeveria ka listuar masat ndaj zyrtarëve me mungesë kompetence dhe ndaj atyre që bëjnë shkelje disiplinore ose penale. Sanksionet përfshijnë edhe mundësinë e largimit nga puna.

Qeveria ka finalizuar pakon me dokumente që përmbajnë masa ndaj punonjësve në shërbimin publik.

Drafti i njërës prej rregulloreve që janë në proces të konsultimeve publike, ka të bëjë me vlerësimin e pamjaftueshmërisë profesionale në shërbimin civil.

Bazuar në dokument, pamjaftueshmëria profesionale nënkupton mungesën e plotë të aftësive të nëpunësit civil për të përmbushur detyrat e punës të lidhura me pozitën e tij; mungesën e përsëritur të saktësisë dhe përkushtimit; apo mungesën e përsëritur të përmirësimit profesional në realizimin e detyrave.

Nëpunësi të cilit i shqiptohet pamjaftueshmëria profesionale, mund ta presë edhe largimi nga puna, nëse për këtë vlerëson komisioni disiplinor.

“Masat që mund të shqiptohen ndaj nëpunësit civil për pamjaftueshmëri profesionale janë: ndjekja e detyrueshme e trajnimit për përmirësim të aftësive profesionale; transferimi i përhershëm në një pozitë tjetër të shërbimit civil; inicim i procedurës disiplinore në Komision Disiplinor”, thuhet në pakon e dokumenteve për masat ndaj punonjësve në shërbimin publik.

Rregullorja tjetër që është draftuar, trajton çështjen e pezullimit nga marrëdhënia e punës.

Bazuar në të, ndërprerja e përkohshme e marrëdhënies së punës mund të bëhet edhe në situata që nuk i ka paraparë ligji. Rregullorja rikthen mundësinë e suspendimit të atyre që përballen me procedura disiplinore ose penale.

“Nëpunësit civil i pezullohet marrëdhënia e punës sipas detyrës zyrtare në këto raste: kur ndaj nëpunësit është iniciuar procedurë disiplinore dhe komisioni disiplinor vendos se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga nëpunësi civil, pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës së tij; ndaj nëpunësit civil është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij; mbahet në arrest apo paraburgim”, thuhet në Rregullore.

Në kuadër të pakos së legjislacionit sekondar që lidhet me disiplinimin e zyrtarëve, është edhe drafti i rregullores për përfundimin e marrëdhënies së punës. Në të parashihen rrethana të largimit, krahas atyre që i liston ligji.

“Marrëdhënia e punës në shërbimin civil përfundon me lirimin nga shërbimi civil, (edhe) në këto raste: për shkak të refuzimit të paarsyetuar të nëpunësit për të pranuar transferimin; pas dy (2) vlerësimeve “e papranueshme” të rezultateve në punë, dy (2) herë radhazi; kur nëpunësi i kategorisë së ulët, mesme apo të lartë drejtuese anëtarësohet në një parti politike ose kur nëpunësit e niveleve të tjera bëhen anëtarë të organeve drejtuese të një partie politike; kur nëpunësi refuzon sistemimin në pozitën e kategorisë profesionale;  kur nëpunësi në listën e pritjes, nuk ricaktohet në një pozitë të lirë të shërbimit civil, brenda afatit prej nëntë (9) muajsh”.

Draftet e të tria rregulloreve janë në proces të konsultimit publik dhe janë sponsorizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.