Arbëri

Me ndryshimin e Ligjit, kosovarët do të trajtohen njëjtë me banorët e BE-së dhe të SHBA-së

Qëllimi kryesor i ndryshimit të Ligjit për të huajt në Shqipëri është që të tërheqë në këtë vend pensionistët e vendeve të zhvilluara që dëshirojnë të përfitojnë nga klima dhe kostoja më e ulët e jetesës në Shqipëri. Në një kohë kur Shqipëria po përjeton një valë të lartë emigracioni, ky vend është bërë shtëpi e dytë për shumë pensionistë të huaj. Në Durrës më shumë se 300 italianë janë kthyer në banorët e rinj të qytetit bregdetar. Po ashtu, ka interesim edhe nga vendet nordike

Ligji për të huajt në Republikën e Shqipërisë do të ndryshojë për të dytën herë brenda vitit.

Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë ndryshimet në ligj, të propozuara nga Këshilli i Ministrave, para shpërndarjes së Parlamentit, për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Nga ndryshimet në ligj përfitimi i shtetasve nga Kosova është minimal. Përfitimi i shtetasve të Kosovës është barazimi i tyre me shtetasit amerikanë dhe me banorë të vendeve anëtare të BE-së për lejet e qëndrimit.

Ndërkohë, studentët nga Kosova dhe nga trojet e tjera shqiptare që studiojnë në Shqipëri përjashtohen nga tarifa shtetërore për pajisjen me leje qëndrimi.

Një vit më parë Kuvendi i Shqipërisë kishte ndryshuar Ligjin nr. 108/2013, për të huajt.

Ndryshimi i radhës i paralajmëruar, sipas shumicës parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë dhe përfaqësuesve të Qeverisë, do të bëhet bazuar në një analizë paraprake të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti shkatërrimtar i datës 26 nëntor 2019, ku ka nevojë të rindërtohet brenda një periudhe kohore të arsyeshme, ndërkohë që edhe më parë Shqipëria është përballur me pamjaftueshmëri të fuqisë punëtore për shkak të emigracionit, si dhe me atë që mund të cilësohet si “papunësi strukturore” ku vendet e punës nuk përputhen me kualifikimin e krahut të punës.

Qeveria e Shqipërisë ka evidencuar si problem me rëndësi në tregun e saj të punës mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar për plotësimin e nevojave të punëdhënësve. Neni 33 i Projektligjit ka bërë barazimin e shtetasve të Republikës Kosovës me ata të SHBA-së dhe të vendeve anëtare të BE-së për lejet e qëndrimit.

“Shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetasit e Republikës së Kosovës, kur aplikojnë për herë të parë dhe i plotësojnë kriteret e përgjithshme, të përcaktuara në nenin 36 të këtij ligji, përfitojnë leje qëndrimi me afat 5-vjeçar”, thuhet në nenin 33 të Projektligjit.

Ndërkohë që pika “ç” e këtij neni bën të mundur që leja e qëndrimit të bëhet e përhershme në rast se i huaji ka pasur qëndrim të ligjshëm për 5 vjet radhazi në Shqipëri dhe ka lidhje ose veprimtari të qëndrueshme në vend. Neni 36 i Projektligjit kushtëzon me këtë rast shtetasin e huaj për t’u quajtur banor i përkohshëm në Republikën e Shqipërisë. Shtetasi i huaj quhet banor i përkohshëm në Republikën e Shqipërisë, vetëm pasi regjistrohet në zyrat e gjendjes civile të njësisë së qeverisjes vendore, ku ka vendqëndrimin e përkohshëm, si dhe duhet të njoftojë autoritetet përgjegjëse sa herë ndryshon vendqëndrimin, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 Përfitimi i studentëve nga Kosova dhe nga trojet e tjera shqiptare

Në nenin 140 të Projektligjit lidhur me tarifat shtetërore për lëshimin e vizës, lejes së qëndrimit dhe lejes unike, studentët nga Kosova dhe nga trojet e tjera shqiptare përjashtohen nga këto.

“Përjashtohen nga tarifa shtetërore për pajisjen me leje qëndrimi shtetasit e Republikës së Kosovës dhe shtetasit e përkatësive etnike shqiptare të republikave të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, që qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë për qëllime studimi”, thuhet në nenin 140 të Projektligjit.

Tarifat e lejeve të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë variojnë nga 40 deri në 200 euro. Kështu, tarifa për lejen e qëndrimit 3-mujor është 40 euro, leja e qëndrimit 1-vjeçar është 80 euro, 2-vjeçar 120 euro, 3-vjeçar 160 euro, ndërsa e përhershme 200 euro. Në këto tarifa nuk është e përfshirë vlera e kartës e cila paguhet veçmas.

Ndërkohë në nenin 61 të Projektligjit rregullohen lejet unike të punëtorëve ndërkufitarë, ku me këtë rast përfshihen edhe punëtorë, apo kompani nga Kosova që punojnë në zonat kufitare me Kosovën në Shqipëri.

“I huaji nga një vend fqinj me Republikën e Shqipërisë pajiset me leje unike për punësim ndërkufitar si punëmarrës, punëdhënës ose i vetëpunësuar, në një zonë gjeografike kufitare të territorit të Republikës së Shqipërisë, të përcaktuara nga marrëveshje dypalëshe në fuqi për qarkullimin ndërkufitar, me kusht që të rikthehet në vendbanimin e tij të përhershëm çdo ditë ose të paktën një ditë në javë, duke ruajtur vendbanimin dhe vendqëndrimin në vendin e origjinës. Në mungesë të marrëveshjeve dypalëshe apo shumëpalëshe, punëtori i huaj, që pajiset me leje unike si punëtor ndërkufitar, i nënshtrohet legjislacionit vendas të mbrojtjes shoqërore”, thuhet në nenin 61 të Projektligjit.

Shqetësimi i Kurtit dhe i Ramës

Por ndryshe ndodh në Kosovë, dhe këtë shqetësim e ka shprehur edhe ish-kryeministri Albin Kurti dhe kandidati për këtë post, gjatë vizitës së tij në Shqipëri një vit më parë.

“Fakti që në Kosovë, për të pasur leje qëndrimi duhet të kesh leje pune e për të pasur leje pune, duhet të kesh leje qëndrimi, përbën një vistër anomalish, të cilat ne do t’i trajtojmë e do t’i eliminojmë në mënyrë që dy vendet tona (Shqipëri-Kosovë v.j.) të jenë sa më afër me njëra-tjetrën e të integruara për hir të qytetarëve tanë, të cilët e kanë edhe nevojë, se lëre më të drejtë, një bashkëpunim e një afrim të tillë”, ka deklaruar Albin Kurti gjatë vizitës zyrtare në Tiranë në shkurt të vitit 2020 .

Të njëjtin shqetësim ka shprehur në këtë takim edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kur tha se shqiptarët e Shqipërisë trajtohen për këtë rast në Kosovë njësoj si kinezët.

“Në Kosovë ka mbetur akoma procedura njësoj, si për kinezët, si për shqiptarët. Kjo është thjesht dhe vetëm çështje burokracie, nuk ka lidhje me vullnetin qeverisës që është i plotë. E sfida jonë, e ndamë dhe së bashku, është ta bëjmë makinën burokratike që të lëvizë me shpejtësinë e dëshirës tonë dhe në këtë aspekt, duke qenë se Albini vjen me energji të reja, është një potencial për të shtyrë më shumë dhe besoj që do të arrijmë ta shtyjmë më shumë”, pati deklaruar Rama.

Pensionistët e huaj, qëllimi kryesor i ndryshimit të ligjit

Përfitimet më të mëdha nga ndryshimet në Ligjin për të huajt do t’i kenë pensionistët që vijnë nga vendet anëtare të BE-së, por që kanë një pension 1 mijë euro e lart, të cilët pajisen me leje qëndrimi 1-vjeçar me të drejtë ripërsëritjeje. Qëllimi kryesor i ndryshimit të Ligjit për të huajt në Republikën e Shqipërisë është synimi i Qeverisë së Shqipërisë që t’i tërheqë në këtë vend pensionistët e vendeve të zhvilluara që dëshirojnë të përfitojnë nga klima dhe kostoja më e ulët e jetesës në Shqipëri. Synimi i Projektligjit është që veç thjeshtimit të procedurave, dokumentacioneve dhe kritereve të tjera për të rinjtë, apo personat që aplikojnë për një vend pune në Shqipëri, është që të përthithet edhe ai që njihet si “emigrimi i pensionistëve”.

Propozimi i Qeverisë, që shfuqizon Ligjin aktual për të huajt, krijon një leje të posaçme qëndrimi për pensionistët. Në nenin 85 thuhet shprehimisht se: “kushtet që duhen plotësuar saktësohen në pikat e tjera të këtij neni”.

Në pikën dy thuhet se “ai duhet të provojë përmes një dokumentacioni nga vendi ku merr pensionin, ky pension duhet të jetë të paktën 1 mijë euro në muaj dhe të tërhiqet nga një bankë në territorin e Shqipërisë”. Leja e qëndrimit për pensionist mund të rinovohet çdo vit, ndërsa me këtë leje ndalohet ushtrimi i çdo aktiviteti tjetër, si punësimi apo hapja e ndonjë biznesi.

Me regjimin aktual ligjor, të huajt nuk mund të aplikojnë si pensionistë, por me leje si vullnetarë dhe u kërkohet që të paguajnë taksa dhe kontribute shoqërore.

Në një kohë kur Shqipëria po përjeton një valë të lartë emigracioni, ky vend është bërë shtëpi e dytë për pensionistët e huaj. Në Durrës më shumë se 300 italianë janë kthyer në banorët e rinj të qytetit bregdetar. Njësoj si në vitet ‘90 kur shqiptarët u dyndën në shtetin fqinj, për një jetesë më të mirë, italianët sot, për të njëjtin motiv, atë ekonomik, kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar moshën e pensionit. Kostoja e ulët e jetesës, tatimet e larta të pensioneve në Itali, deti, klima, ushqimet, por edhe njohja e gjuhës italiane nga shqiptarët janë disa nga arsyet pse pensionistët italianë kanë zgjedhur Durrësin për të jetuar.

Ministria e Financave thotë se krahas shtetasve italianë, ka interes të shtuar edhe nga ata të vendeve nordike, të cilët të joshur nga klima e mirë dhe kostoja e ulët e jetesës kanë nisur të blejnë prona në bregdet, kryesisht në Sarandë, për të kaluar moshën e pensionit në Shqipëri.