Arbëri

Maqedonci: Nënshkrimi i marrëveshjes me SHBA-në e garanton forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes

Më 13 qershor, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara pritet të firmosin dokumentin kornizë që garanton bashkëpunim më të gjerë mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes. Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, thotë se marrëveshja synon forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, si dhe bashkëpunimin afatgjatë me SHBA-në. E njohës të çështjeve të sigurisë e shohin këtë me kontribut për parandalimin e kërcënimeve hibride

Marrëveshja kornizë për bashkëpunim në mbrojtje, të cilën Kosova pritet ta nënshkruajë më 13 qershor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka rëndësi të veçantë për mbrojtjen e territorit dhe për përforcimin e raporteve mes dy vendeve, ka thënë ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje mes Departamentit amerikan të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës e paralajmëroi një ditë më parë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

E Maqedonci tha se nëpërmjet dokumentit, që e mbulon periudhën prej vitit 2025 deri më 2030, synohet të krijohet bashkëpunim afatgjatë me Shtetet e Bashkuara.

“Përmes kësaj marrëveshjeje do të specifikohen edhe më tej fushat e bashkëpunimit me qëllim arritjen e objektivave të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, rritjen e ndërveprueshmërisë në mes forcave tona, bashkëpunimin në fushën e Industrisë së mbrojtjes dhe kontributin e përbashkët të vendeve tona për paqen dhe sigurinë regjionale dhe globale”, ka deklaruar ai.

Ai tha se të këtilla marrëveshje e memorandume bashkëpunimi ushtarak nuk kanë për qëllim kërcënimin e ndonjë vendi, porse zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rritjen e bashkëpunimeve që kontribuojnë në përafrimin e Kosovës me NATO-n.

Maqedonci sqaroi se marrëveshja është pjesë e një procesi të nisur më herët, që ka marrë miratim në parim nga Qeveria, e që është përditësuar më pas.

Nënshkrimin e saj, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, e kualifikoi mjet efikas në parandalimin e veprimeve kërcënuese nga Serbia, si dhe në hapjen e rrugës për lidhje të ujdisë të kësaj natyre edhe me vendet e Bashkimit Evropian.

“Zgjerimi i këtyre marrëveshjeve e bënë shumë më të qëndrueshme sigurinë apo paransdalimin e një mundësie të një lufte hibride, çfarë po tenton Serbia, gjegjësisht Rusia në aspektin gjeostrategjik, të implikohet në Ballkan duke krijuar situata konfliktuoze. Mendoj se në këtë drejtim nuk do të jenë vetëm këto dy marrëveshje, por do të vazhdohet edhe me vendet e Bashkimit Evropian, si Gjermania, Franca, Italia edhe të tjera”, u shpreh Ibishi

Qeveria i pati dhënë miratim në mars marrëveshjes, me të cilën Kosova e SHBA-ja angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushat e planifikimit të mbrojtjes, qëndrueshmërisë strategjike dhe ngritjes së kapaciteteve strategjike ushtarake.