Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se uron që javët e ardhshme të rifillojë dialogu me Kosovën dhe Serbinë.
Macron në konferencë për media në Tiranë është pyetur nëse mendon se Bashkimi Evropian po e humb kredibilitetin në dialog.
Atij iu përmendën deklarat e djeshme të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që foli për mosbalancimin e BE-së në dialog dhe se po penalizohet pala që zbaton rendin kushtetues.
“Udhërrëfyesi është shumë i qartë dhe kemi kaluar shumë kohë me dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Është legjitime që BE-ja të kërkojë që të ketë avancime konkrete në çështjet politike mbi zgjedhjet e komunave që nuk ishin të kënaqshme, mbi çështjet e sigurisë. Kjo është e njohur nuk ka asgjë të re”, tha Macron, që u paraqit së bashku në konferencë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. “Mendoj se kjo nevojë urgjente nuk është humbje besueshmërie. Duhet të dalin nga kjo përballje që bllokon situatën. Uroj që javët e ardhshme të rifillojmë dialogu edhe me Prishtinën edhe me Beogradin, sepse secili vend është përballur me vështirësi politike sociale. Kërkesat janë legjitime dhe nuk duhet të lënë të vendoset një dialog i tërthortë, pasi nuk është mënyra e duhur për të avancuar”.
BE-ja të premten kritikoi veprimet e fundit të Policisë së Kosovës në veri.
Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në veri, me mbylljen e objekteve të cilat shfrytëzoheshin për shërbime nga sistemi i Serbisë, janë rrezik për përshkallëzim të situatës.
Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll disa objekte, të cilat shfrytëzoheshin në kuadër të sistemit të Serbisë. Janë marrë nën kontroll një ndërtesë që përdoret nga Shërbimi Nacional për Punësim, ambientete e Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, palestrës sportive, muzeut të qytetit dhe disa institucioneve të tjera.
“Operacionet, inspektimet dhe mbylljet e fundit të policisë në Kosovë rrezikojnë të përkeqësojnë tensionet dhe të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale, si dhe të minojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet në reagim, në të cilin në veçanti është përmendur shqetësimi për operacionet ndaj “Ujësjellësit Ibër” në Mitrovicën e Veriut dhe për mbylljen e fabrikës në Zubin-Potok.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit midis komuniteteve. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit në largim Kurti dhe autoriteteve në Kosovë t’i ndalin këto mbyllje, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin masat përshkallëzuese”, thuhet më tej në reagim.
BE-ja në reagim ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen me konstruktivitet në implementim të marrëveshjes për normalizim dhe implementim të aneksit, si dhe të marrëveshjeve të tjera “pa vonesa dhe pa parakushte”. Këtu ka përmendur edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Rama me Macronin diskutuan për përfshirjen e Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës – Prishtina
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se me presidentin francez Emmanuel Macron, është diskutuar për mundësinë e përfshirjes së Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës – Prishtinë.
“Kemi diskutuar gjithashtu për mbetjet, dhe në këtë drejtim po punojmë për të zhvilluar një plan të përgjithshëm, që bazohet jo vetëm në strategjinë që kemi, por edhe në hapa konkretë pune. Ky është një kapitull shumë i rëndësishëm në negociatat me BE-në, dhe ka ende shumë për të bërë. Bashkëpunimi me ekselencën franceze do të jetë një vlerë e shtuar në këtë proces. Diskutuam gjithashtu mundësinë e përfshirjes së Francës në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, dhe do të shqyrtojmë më tej si mund të realizohet ky bashkëpunim. Në fund, më vjen mirë që, krahas këtyre projekteve, mund të shohim përparimin e një iniciative të vogël por të rëndësishme: transformimin e ish-shtëpisë së diktatorit Hoxha në një qendër kulturore, që ka filluar të funksionojë, duke u shndërruar në një hapësirë për rezidenca artistësh shqiptarë dhe të huaj”, tha Rama.
Presidenti Macron ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare më 17 maj, pas pjesëmarrjes së tij një ditë më parë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, të mbajtur në Tiranë.