Një ndër risitë e këtij ligji është se për shtetasit e Kosovës, të SHBA-së e BE-së, kur aplikojnë për herë të parë, lëshohet leje unike qëndrimi me afat 5-vjeçar menjëherë, me të drejtë rinovimi më vonë me leje qëndrimi të përhershëm, diçka që më parë nuk ka ekzistuar
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancë plenare me 87 vota pro, 6 kundër dhe 2 abstenime projektligjin e paraqitur nga qeveria e këtij vendi “Për të huajt”.
Projektligji që tashmë është shndërruar në ligj, synon rregullimin e regjimit të hyrjes, të qëndrimit, të punësimit dhe të daljes së të huajve në/nga Republika e Shqipërisë, duke e përafruar legjislacionin e migracionit me direktivat e BE-së. Një ndër risitë e këtij ligji është se për shtetasit e Kosovës, të SHBA-së e të BE-së, kur aplikojnë për herë të parë, lëshohet leje unike qëndrimi me afat 5-vjeçar menjëherë, me të drejtë rinovimi më vonë, me leje qëndrimi të përhershme, diçka që më parë nuk ka ekzistuar. Neni 33 i ligjit ka bërë njehsimin e shtetasve të Republikës së Kosovës me ato të SHBA-së dhe vendeve anëtare të BE-së për lejet e qëndrimit.
“Shtetasit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetasit e Republikës së Kosovës, kur aplikojnë për herë të parë dhe plotësojnë kriteret e përgjithshme, të përcaktuara në nenin 36, të këtij ligji, përfitojnë leje qëndrimi me afat 5-vjeçar”, thuhet në nenin 33 të projektligjit.
Ndërkohë që pika ç e këtij neni bën të mundur që leja e qëndrimit të bëhet e përhershme në rast se i huaji ka pasur qëndrim të ligjshëm për 5 vjet radhazi në Shqipëri, dhe ka lidhje ose veprimtari të qëndrueshme në vend. Neni 36 i projektligjit kushtëzon me këtë rast shtetasin e huaj për t’u quajtur banor i përkohshëm në Republikën e Shqipërisë. Shtetasi i huaj, quhet banor i përkohshëm në Republikën e Shqipërisë, vetëm pasi regjistrohet në zyrat e gjendjes civile të njësisë së qeverisjes vendore, ku ka vendqëndrimin e përkohshëm, si dhe duhet t’i njoftojë autoritetet përgjegjëse sa herë ndryshon vendqëndrimin, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Projektligji ‘Për të huajt’ është një iniciativë tërësisht e re ligjore dhe vjen në një moment për t’iu përgjigjur dinamikave të migracionit, si dhe adresimit të problematikave të vërejtura deri më tani, dhe për të rritur më tej standardet e trajtimit të shtetasve të huaj në Shqipëri, duke e bërë Shqipërinë një vend më atraktiv për të huajt”, deklaroi nga foltorja e Kuvendit, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi.
Me këtë legjislacion të ri për të huajt, sipas Çuçit, po krijohen procedura më të lehtësuara për lejet e qëndrimit, duke shmangur burokracinë, që në jo pak raste ishte bërë pengesë sidomos për investitorët potencialë dhe për fuqinë punëtore.
Por, ky projekt nuk është një iniciativë e shkëputur, dhe së bashku me Ligjin për shtetësinë dhe Ligjin për azilin në Republikën e Shqipërisë, tashmë të miratuara, plotësojnë 360 gradë regjimin për trajtimin e të huajve në Shqipëri. Gjatë hartimit të projektligjit janë kryer të gjitha proceset e dëgjesave, rekomandimeve nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, aktorëve të shoqërisë civile, Dhoma e Tregtisë dhe institucione të pavarura, për të garantuar pajtueshmërinë e dispozitave të ligjit me të drejtat dhe liritë e parashikuara në Kushtetutë dhe instrumentet ndërkombëtarë tashmë të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
Projektligji “Për të huajt” që tashmë ka marrë miratimin e Kuvendit dhe pret dekretimin nga ana e presidentit të vendit, adreson një nga mangësitë e legjislacionit të mëparshëm, duke integruar pajisjen me leje pune dhe qëndrimi në një dokument të vetëm. Pra, në atë që do të quhet leje unike. Kështu garantohet një procedurë e vetme e aplikimit për të huajt që kanë për qëllim të punojnë dhe të qëndrojnë në territorin e Republikës Shqipërisë. Ky është një hap shumë i rëndësishëm, i cili u garanton të huajve që kanë qëndrim të rregullt në Shqipëri, një procedurë të vetme aplikimi duke kursyer kohë dhe shpenzime, si në tarifa dhe në përgatitjen e dokumentacionit. Shtetas të huaj që kërkojnë qëndrim për arsye punësimi, nëpërmjet këtij ligji do t’i drejtohen vetëm një sporteli të migracionit dhe duhet të dorëzojnë vetëm një dosje me dokumente.
“Risi e këtij ligji është se për shtetasit e Kosovës, të SHBA-së dhe të BE-së dhe, kur aplikojnë për herë të parë, ne parashikojmë lëshimin e lejes unike të qëndrimit me afat 5-vjeçar menjëherë, me të drejtë rinovimi më vonë me leje qëndrimi të përhershme, diçka që më parë nuk ka ekzistuar”, tha ministri Çuçi.
Por, sipas ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, ligji ka edhe sfidat e veta.
“Përmirësimi i fushës së të drejtave të të huajve në drejtim të mbrojtjes së migrantëve dhe anëtarëve të tyre të familjes, refugjatëve, azilkërkuesve, si edhe parashikimi për hartimin e programit të integrimit për të huajt”, janë sfidat në zbatimin e ligjit sipas ministrit Çuçi.
Ligjit i ri parashikon përmirësimin e marrjes së informacionit, procedura të lehtësuara për t’u pajisur me leje qëndrimi, si dhe forcimi institucional i ofrimit të shërbimeve për emigrantët, gjë që do të plotësohet edhe me paketën e akteve nënligjore që do të dalin në funksion dhe zbatim të legjislacionit të ri. Për herë të parë, ky ligj po u jep mundësinë e pajisjes me leje qëndrimi disa kategorive të reja të të huajve që nuk kanë qenë të parashikuar më parë në legjislacionin e mëparshëm në Republikën e Shqipërisë.
Nga ndryshimi i ligjit “Për të huajt” në Republikën e Shqipërisë, përfitues janë studentët nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare. Në nenin 140 të ligjit lidhur me tarifat shtetërore për lëshimin e vizës, lejes së qëndrimit dhe lejes unike, studentët nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare përjashtohen nga këto tarifa. “Përjashtohen nga tarifa shtetërore për pajisjen me leje qëndrimi shtetasit e Republikës së Kosovës dhe shtetasit e përkatësive etnike shqiptare të republikave të Serbisë, Malit të Zi dhe të Maqedonisë, që qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë për qëllime studimi”, thuhet në nenin 140 të ligjit.
Tarifat e lejeve të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë variojnë nga 40-200 euro. Kështu që tarifa për lejen e qëndrimit 3-mujore është 40 euro, leja e qëndrimit 1-vjeçare është 80 euro, 2-vjeçare 120 euro, 3-vjeçare 160 euro, ndërsa e përhershme 200 euro. Në këto tarifa nuk është e përfshirë vlera e kartës, e cila paguhet veçmas.
Ndërkohë, që në nenin 61 të projektligjit rregullohen lejet unike të punëtorëve ndërkufitarë, ku me këtë rast përfshihen edhe punëtorë, apo kompani nga Kosova që punojnë në zonat kufitare me Kosovën në Shqipëri. “I huaji nga një vend fqinj me Republikën e Shqipërisë pajiset me leje unike për punësim ndërkufitar si punëmarrës, punëdhënës ose i vetëpunësuar, në një zonë gjeografike kufitare të territorit të Republikës së Shqipërisë, të përcaktuara nga marrëveshje dypalëshe në fuqi për qarkullimin ndërkufitar, me kusht që të rikthehet në vendbanimin e tij të përhershëm çdo ditë ose të paktën një ditë në javë, duke ruajtur vendbanimin dhe vendqëndrimin në vendin e origjinës. Në mungesë të marrëveshjeve dypalëshe apo shumëpalëshe, punëtori i huaj, që pajiset me leje unike si punëtor ndërkufitar i nënshtrohet legjislacionit vendas të mbrojtjes shoqërore”, thuhet në nenin 61 të ligjit.
Gjithashtu, përfitues janë edhe kategoritë e personave pa shtetësi, duke iu garantuar atyre standarde për lëshimin e lejes së qëndrimit, e duke përmbushur kështu të drejtën për qëndrimin e ligjshëm, konform konventave ndërkombëtare. Përfitues janë edhe kategoria e punonjësve lëvizës, apo ata që quhen “nomadët digjitalë”, të cilët janë shtetas të huaj që punojnë nga distanca, ku instrument kryesor pune kanë mjetet e teknologjisë së informacionit. Pajisja e tyre me leje qëndrimi si punonjës lëvizës do të synojë tërheqjen e tyre në Shqipëri, duke marrë në konsideratë numrin në rritje të të huajve që punojnë në internet, në distancë, për kompanitë me bazë në vendet e tjera, si dinamikë e zhvillimit global të punësimit, e evidentuar kjo veçanërisht gjatë 2 vjetëve të fundit të pandemisë. Kjo i shërben jo vetëm rritjes së konsumit vendës, por edhe tërheqjes në Shqipëri të punonjësve me kualitete digjitale, të cilët duke i integruar në shoqëri, i japim një shtysë edhe echo-sistemeve teknologjike dhe “start-up”-eve në vend. Një kategori tjetër përfitimi janë kategoria e pensionistëve të huaj, të cilët sigurisht do të shprehin dëshirën për të jetuar në Shqipëri, duke u siguruar mundësinë për të aplikuar për një leje qëndrimi për pensionistë, pranë autoriteteve shtetërore për migracionin, nëse preferojnë sigurisht, Shqipërinë, si një destinacion për të jetuar. Gjithashtu, kategori tjetër është kategoria e të huajve që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë, dhe sigurisht që ofrohet një lehtësi për të gëzuar dhe disponuar pronën. Kjo është një kategori në rritje e të huajve, e cila deri më tani nuk ka qenë e rregulluar nga ligji, por që përbën investim serioz në tregun e pasurive të paluajtshme. Përfitues janë edhe kategoria “au pairing”, siç quhet, e cila do t’u krijojë mundësinë të rinjve të huaj që duan të njohin gjuhën dhe kulturën e Shqipërisë, duke qëndruar përkohësisht në Shqipëri, pranë një familjeje shqiptare.