Arbëri

Liderët shtetërorë: Luan Haradinaj zgjodhi lirinë mbi jetën, atdheun mbi gjithçka

Luan Haradinaj

Luan Haradinaj është përkujtuar në përvjetorin e 28-të të rënies së tij, nga krerët institucionalë.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Haradinaj ka zgjedhur lirinë mbi jetën e atdheun mbi gjithçka.

“Në përvjetorin e rënies së Heroit Luan Haradinaj, përkulemi me nderim para jetës dhe sakrificës së tij. Ai ishte ndër të parët që zgjodhi lirinë mbi jetën, atdheun mbi gjithçka. Gjaku i tij dhe i të gjithë heronjve të UÇK-së, është gurthemel i lirisë sonë”, ka thënë ajo. 

Ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se 6 maji është përvjetori i rënies së Haradinajt dhe shënimi i humbjes së një atdhetari e patrioti të kombit. 

“Aksionet e tij guerile kundër policisë serbe kanë qenë të panumërta, sepse në mendje e zemër kishte atdheun e dashur dhe gëzimin e lirisë bashkë me të gjithë ne. Luani u vra kur i kishte 23 vjeç teksa kalonte kufirin e ish-Jugosllavisë që ndante shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri, të cilin e përshkonte shpesh për shkak të studimeve por edhe rastit për të realizuar aksione kundër forcave serbe e bartur armatim për të furnizuar luftëtarët e UÇK-së. 6 maji i vitit 1997 është përvjetori i rënies së tij dhe shënimi i humbjes së një atdhetari e patrioti të kombit”, ka thënë ai. 

Sot bëhen 28 vjet nga rënia e heroit Luan Haradinaj, i cili kishte rënë në njërën nga betejat e para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj 1997, në kufirin shqiptaro-shqiptar.