Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të martën mbrëma ka publikuar letrën e plotë të cilën ia ka dërguar kryetarit të Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, si përgjigje ndaj ofertës së kryeministrit në detyrë për të lidhur koalicion.
Në letër shfaqen qëndrimet e njëjta që i dha gjatë pasdite kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku e ka refuzuar ofertën e Kurtit për koalicion, por ka kërkuar që të ketë qeveri transitore deri në zgjedhjen e presidentit.
“Kryetari Abdixhiku e ka njoftuar z. Kurti se qëndrimet dhe bindjet e LDK-së mbesin konsistente. Kryetari Abdixhiku propozon fillimin e një procesi të ri konsultativ, që parasheh përfshierjen e partive politike parlamentare shqiptare, me qëllim formimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit. Kjo Qeveri Nacionale e Tranzicionit do të ketë afat të caktuar, qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues. LDK-ja shpreh gatishmërinë të drejtojë këtë proces konsultativ për të zgjidhur krizën aktuale dhe garantimin e stabilitetit kombëtar në vend”, thuhet ndër të tjera në letrën e LDK-së.

