Arbëri

Larg objektivave, kapacitetet e instaluara të energjisë së ripërtëritshme arrijnë në 280 megavat

Kosova vazhdon të jetë e varur nga prodhimi i energjisë prej qymyrit. Me gjithë shtimin e kapaciteteve, prodhimi i energjisë së ripërtëritshme është larg arritjes së caqeve të përcaktuara për të arritur shkallën 30 për qind të pjesëmarrjes deri në 2030. Ndërkohë, potencialet për investime në këtë fushë konsiderohen të mëdha

Mbi 280 megavat janë kapacitetet e instaluara të energjisë së ripërtëritshme në vend. Edhe pse Kosova konsiderohet se ka potencial për prodhimin e 700 deri në 1 mijë megavat të energjisë vetëm nga era, aktualisht prodhohen vetëm 140 megavat.

Sipas Besfort Kosovës, hulumtues në Balkan Green Fondation, strategjia e energjisë që është në proces të hartimit duhet të mbështesë projektet e kësaj fushe.

“Energjia e erës ka ndikim më të madh në rrjet për shkak të fuqisë së saj në sistemin elektro-energjetik dhe ndikimin minimal që ka ndaj ndryshimeve të kohës. Natyrisht që ndikohet nga erërat, por që është më stabile se ato hibride që kanë ndikim negativ në tharjen e lumenjve, por edhe që Kosova nuk ka shumë potencial të madh hibrid, ndërsa potencial më të madh pas erës ka energjinë e diellit”, ka thënë ai.

Strategjia e energjisë pritet që të vendosë caqet e burimeve të ripërtëritshme dhe të rrisë efiçiencën në industri dhe amvisëri. Por nga Ministria e Ekonomisë nuk kanë dhënë detaje lidhur me atë se çfarë do të përmbajë kjo strategji. Nuk kanë treguar as nëse do të ketë rindërtim të TC “Kosova A”, ashtu siç kishte deklaruar Bordi i KEK-ut kohë më parë.

Në gusht të vitit të kaluar Bordi i kësaj ndërmarrjeje kishte njoftuar për disa vendime që ishin marrë për termocentralin “Kosova A”. Aty ishte edhe përgatitja e dokumentit teknik lidhur me termocentralin “Kosova A” dhe përgatitjen e letrës për shprehjen e interesit për rindërtimin e tij.

“Vendimet e BPD-së janë si në vijim: për përgatitjen e draft-dokumentit teknik lidhur me termocentralin ‘Kosova A’, respektivisht përgatitjen e draft-letrës për shprehjen e interesit lidhur me rindërtimin e saj, që do t’i prezantohen aksionarit për vlerësim dhe vendimmarrje. Ky vendim është marrë duke pasur parasysh vjetërsinë e Termocentralit A që ndërlidhet ngushtë me sigurinë e punëtorëve, sigurimin e qëndrueshëm me energji elektrike dhe investimet vjetore të mëdha për mirëmbajtje”, thuhet në komunikatën e KEK-ut lëshuar në gusht.

Por ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Bordi i KEK-ut nuk i ka nisur procedurat për rindërtimin e “Kosovës A”.

“Formulimi i Bordit të KEK-ut në atë komunikatë nuk ka qenë më i duhuri për atë se çka ata planifikojnë të bëjnë, kjo pas diskutimeve që i kemi pasur me ta”, ka thënë ajo.

Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe punuese. Por, sipas planit aktual në prodhim përdoren dy blloqe, kurse njëri prej tyre është rezervë “e nxehtë “ për shkak të gatishmërisë se tyre të ulët, që është pasojë e vjetërsisë së tyre.

Por përfaqësues të shoqërisë civile janë shprehur kundër ndërtimit të “Kosovës A”.

“’Kosova B’ duhet të ripërtërihet në kuptimin e fuqisë së saj, të jetë më miqësore me mjedisin, të jetë më efiçiente, ndërsa ne mendojmë se ‘Kosova A’ duhet të zëvendësohet me burime më miqësore të energjisë nga era apo burime të tjera të ripërtëritshme, për shkak se potencialin e kemi shumë të madh dhe e kemi shfrytëzuar shumë pak dhe atë me erë”, ka thënë Besfort Kosova, hulumtues në Balkan Green Fondation.

Kosova deri në vitin 2030 obligohet që të ketë rreth 30 për qind të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

Ditë më parë është finalizuar Parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, i cili përbëhet nga 27 turbina me kapacitet të tërësishëm prej 105 megavatesh. Funksional është edhe centrali i erës në Kitkë të Anamoravës me 9 turbina me kapacitet prej 36 megavatesh.

Në Kosovë janë të instaluara panele solare me një kapacitet prej 10 për qind, ndërsa sa u përket hidrocentraleve ato janë rreth 80 megavat. Për këto të fundit ka pasur reagime të shumta shkaku i dëmeve që u kanë shkaktuar lumenjve dhe funksionimit të tyre pa leje mjedisore.