Arbëri

Kuvendi i Suharekës nuk e shfuqizon vendimin e kthyer nga niveli qendror

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Suharekës nuk e kanë shfuqizuar vendimin për lejimin e pagesës së shujtave për punonjësit e administratës komunale, i cili ishte kthyer prapa nga niveli qendror. Shumica e kuvendarëve kanë kundërshtuar shfuqizimin e këtij vendimi pasi sipas tyre Ekzekutivi është dashur që të konsultohet paraprakisht me organet përkatëse lidhur me ligjshmërinë e këtij vendimi. Por drejtuesit e qeverisë komunale kanë sqaruar se ata kanë proceduar një kërkesë të Sindikatës së punëtorëve të administratës komunale që ka kërkuar pagesën e shujtave nga janari i vitit 2022 dhe se ka qenë vet kërkesa e kuvendarëve opozitarë që zbatimi i këtij vendimi të nis nga korriku i këtij viti, gjë që edhe është kontestuar nga niveli qendror për shkak të mosplanifikimit të mjeteve financiare në buxhetin e këtij viti.

Kryesuesi i KK-së së Suharekës, Bexhet Kuçi, ka përkujtuar se organi më i lartë vendimmarrës komunal ka aprovuar kërkesën e Sindikatës së punëtorëve të administratës komunale, dhe se niveli qendror e ka kthyer prapa për rishqyrtim.

Ministria e Financave në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi për arsye se nuk ka mjete të planifikuara në buxhetin e këtij viti për këtë kategori”, ka thënë ai. Tutje, ka sqaruar se kërkesa e Sindikatës ka qenë që pagesa e shujtës të bëhet nga viti 2022, por se gjatë seancës së KK-së, kuvendarët patën kërkuar që zbatimi i këtij vendimi të nisë nga korriku i vitit 2021, gjë që edhe ishte miratuar.

Anëtari i KK-së, Dukagjin Palushi, ka theksuar se Sindikata e gëzon të drejtën që të adresojë kërkesë, por se Ekzekutivi është dashur ta konfirmojë nëse ka mjete për zbatimin e këtij vendimi, dhe vetëm atëherë ta sjellë propozim-vendimin për shqyrtim në KK.

“E para punë është që ju si Ekzekutiv, me kërku falje. Pastaj me kërku votën për shfuqizim”, ka deklaruar Palushi, duke shtuar se në këtë rast lëshimin e ka bërë qeveria lokale dhe jo KK-ja.

Edhe Jeton Rrakaqi i PDK-së ka shprehur qëndrimin se nuk është hera e parë që qeveria komunale sjellë në KK vendime të pastudiuara mirë.

“Para se me sjellë këtu propozim-vendimin, ju është dashur me u konsultu me organet përkatëse”, ka theksuar ai, duke shtuar se grupi i këshilltarëve të PDK-së do të votojë kundër shfuqizimit të këtij akti.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremi, ka kërkuar nga këshilltarët opozitarë që jenë korrektë në këtë pikë.

“Kërkesa e Sindikatës ka qenë që vendimi të hyjë në fuqi nga janari i vitit 2022. Pastaj ka pas përfaqësues të partive që kanë kërkuar që vendimi të zbatohet nga ky vit, dhe ashtu është votuar. Ministria ka bërë të ditur se ligjshmëri nuk ka. Por ne kemi bërë kërkesë për 2022, dhe jo për 2021. Prandaj, nuk kemi nevojë për me kërkua falje”, është shprehur Muharremi.

Edhe kryesuesi Kuçi ka përkujtuar se kërkesa ka qenë që shujta të paguhet nga viti 2022 dhe se kuvendarët kanë propozuar që kjo pagesë të nis nga korriku i këtij viti, dhe që shuma ditore mos të jetë 2 euro por 2.5 euro.

Lidhur me këtë ka reaguar Rrakaqi i PDK-së duke shtuar se në rrethana të tilla është dashur që këshilltarët nga pozita të votojnë kundër, dhe jo vendimi të miratohet në mënyrë unanime.

Ndërkaq Nexhat Ramadani i LDK-së ka theksuar se propozimi për fillimin e pagesës nga muaji korrik ka ardhur pasi pagesa në vitin 2022 mund të rregullohej me procesin e planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm.

s’keni pasë guxim për me u ballafaqu dhe logjika juaj është që me ia lënë përgjegjësinë KK-së”, ka thënë ai, duke kundërshtuar shfuqizimin e vendimit.

Në anën tjetër, Ardian Kotorri i AAK-së ka pohuar se debati për këtë çështje është i pakuptimtë, pasi kërkesa ka ardhur për vitin 2022, derisa vullneti i përbashkët i anëtarëve të Kuvendit ka qenë që pagesat e shujtës të fillojnë nga korriku i vitit 2021, gjë që është kontestuar nga niveli qendror.

Pas diskutimeve, propozimi për shfuqizimin e vendimit është vënë në votim. Votat kundër është dashur që të numërohen dy herë, me ç’rast është vërtetuar se shumica e kuvendarëve kanë votuar kundër shfuqizimit të vendimit të kontestuar nga MF-ja përkatësisht MAPL-ja.

© KOHA.