Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka një kusht për ta pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese përkitazi me mandatarin për formimin e Qeverisë së re. Do ta respektojë atë, vetëm në rast se në këtë dokument nuk “caktohen” afate që nuk i përmban as akti më i lartë juridik i shtetit.
“Ne do ta respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa ai është interpretim i Kushtetutës, siç është misioni i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti, raporton KOHA.
Pas një vizite në Burgun e Dubravës, kryeministri në detyrë ka theksuar se rasti i Dekretit për mandatarin është vendimi më i rëndësishëm i përbërjes së tashme të gjyqtarëve të Kushtetueses. Ai ka thënë se gjyqtarët janë të kufizuar vetëm në interpretimin e normave kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese duhet të punojë në qetësi, si e paanë, e pavarur, profesionale. Ajo duhet ta interpretojë Kushtetutën. Nuk mund ta shkruajë Kushtetutën as Gjykata Kushtetuese, as kryeministri, as presidenti. Kushtetuta mund të ndryshohet, përkatësisht shkruhet, vetëm me amendamente në Kuvendin e Republikës”, ka deklaruar kryeministri në detyrë.
Kushtetuta nuk përcakton kohën brenda së cilës duhet ta ofrojë emrin e mandatarit partia që merr kërkesën për këtë propozim nga presidenti.
Pas mocionit, Thaçi e ka pritur vetëm 20 ditë Vetëvendosjen, si parti e parë e dalë në zgjedhjet e fundit. Më pas, ia ka ofruar LDK-së mundësinë për ta propozuar mandatarin, nën supozimin se LVV-ja ka refuzuar ta paraqesë emrin e kandidatit të ri për kryeministër.
Ditën kur presidenti e ka nxjerrë Dekretin për ta caktuar Avdullah Hotin e LDK-së mandatar, partia e Kurtit e ka kontestuar në Kushtetuese dokumentin dhe Gjykata e ka pezulluar atë për kohën derisa ta nxjerrë aktgjykimin.
E në aktgjykim, sipas burimeve të KOHËS, pritet të përmendet afati 15-ditor, brenda të cilit partia duhet të japë përgjigje për emrin e mandatarit. Në rrethanën kur kjo nuk bëhet, me aktgjykim presidentit do t’i lihen duart e lira për të dalë tek një parti tjetër.
Mes eksponentëve politikë që kanë reaguar pas publikimit nga KOHA të këtyre informatave, është edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo, një vendim të tillë eventual e ka quajtur arnim për interesa të Thaçit dhe atyre që kanë humbur zgjedhjet.
Dekretit të presidentit Thaçi i është caktuar masë e përkohshme së paku deri më 29 maj, kur pritet që gjyqtarët e Kushtetueses të vendosin për këtë rast.