Arbëri

Kurti e Mustafa paralajmërojnë marrëveshje të shpejtë - rrezik bllokimi nga Kushtetuesja

Nisma Socialdemokrate ka ndërmarrë të premten një veprim, me të cilin mund ta bëjë të parealizueshme ujdinë e mbërritur të njëjtën ditë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike (LDK) për marrëveshje koalicioni, të planifikuar për ta finalizuar menjëherë pas certifikimit të rezultateve, shkruan sot Koha Ditore.

Albin Kurti ka thënë se certifikimi do të ndodhë javën e ardhshme, por Nisma i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të mos e lejojë këtë derisa ta japë verdiktin rreth një kontesti që e ka ngritur në këtë gjykatë.

Nëpërmjet një kërkese, subjekti politik që rrezikon ta humbë pragun zgjedhor nga rinumërimi i votave, që është në proces, i ka kërkuar Kushtetueses ta shpallë jokushtetues një vendim të Gjykatës Supreme, nëpërmjet të cilit u bë i mundur numërimi i një numri votash të diasporës, të cilat kishin mbërritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) pas 6 tetorit, datë kjo kur kosovarët u janë drejtuar kutive të votimit.

Shumica e votave që kishin mbërritur pas afatit që e përcakton ligji ishin për LVV-në. Sipas kërkesës së Nismës, “Aktgjykimi i kontestuar, përmes cenimit të të drejtave kushtetuese të natyrës procedurale ... ka pasur për pasojë cenimin e të drejtave materiale nga neni 45 i Kushtetutës, duke zvogëluar përqindjen e votës së fituar në zgjedhjet e datës 6 tetor 2019 në dëm të parashtruesit të kërkesës – koalicionit Nisma-AKR-PD”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)