Arbëri

Kurti: Duhet drejtësi për shqiptarët që u vranë në Armatën e Jugosllavisë

Albin Kurti

Në një diskutim mbi ushtarët e vrarë shqiptarë në Armatën e Jugosllavisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se institucionet e Kosovës dhe shoqëria s’i harrojnë ata që u vranë prej 1951-s, duke thënë se ata janë fiksuar në historinë e Kosovës e edhe në dosjet e krimeve të kryera nga Serbia.

Kurti u shpreh të hënën në Bibliotekën Kombëtare ku u mbajt ky organizim se për këto ngjarje duhet të kërkohet drejtësi, teksa theksoi se janë mbi 135 raste të tilla kur shqiptarët u vranë në Armatën e Jugosllavisë.

“Vrasja e djemve të rinj shqiptarë në Armatën e Jugosllavisë, teksa po e kryenin shërbimin ushtarak të obligueshëm, është një kapitull krejt i veçantë i krimeve të kryera nga Jugosllavia e veçanërisht nga Serbia ndaj shqiptarëve. Kjo histori është e shtrirë në një periudhë mbi 40 vjeçare: nga viti 1951 deri në vitin 1993, gjatë të cilës u vranë të paktën 135 ushtarë shqiptarë”, thuhet në shkrimin e Kurtit në Facebook.

Sipas tij, vrasja e parë e një shqiptari kishte ndodhur në korrikun e 1951-s, ku Ramadan Xhelil Gashi, si 20-vjeçar, ishte vrarë “pasi kishin dështuar ta bindnin të rekrutohej në shërbimin e fshehtë ushtarak.

Kurti tha se shteti serb kurrë s’ia ktheu trupin familjes.

“Rasti i parë i vrasjes së një ushtari shqiptar në ushtrinë e Jugosllavisë, ishte në korrik të vitit 1951, në një kazermë ushtarake në Vishegrad në Bosnje të Hercegovinës. Aty, pasi kishin dështuar ta bindnin të rekrutohej në shërbimin e fshehtë ushtarak, autoritetet ushtarake jugosllave e vranë Ramadan Xhelil Gashin. Me origjinë nga fshati Vërboc i Drenasit, Ramadan Gashi, aso kohe ishte vetëm 20-vjeçar kur e vranë. Nga atëherë kanë kaluar 74 vjet, por as sot e kësaj dite familja Gashi nuk e ka marrë trupin e Ramadanit, siç nuk kanë marrë as një shpjegim për rrethanat e vdekjes. Në të njëjtin vit, pra 1951 dhe sërish në Bosnje e Hercegovinë, por në kazermën e Bihaçit, u vra 22-vjeçari Ibrahim Emini. Prindërve të tij, babait Eminit dhe nënës Nazifes, nga fshati Gllamnik i Podujevës, nuk ua dhanë kurrë në dorëzim kufomën e djalit të tyre dhe as ndonjë shpjegim zyrtar se si u vra ai”, ka shkruar kryeministri në detyrë.

Ai ka potencuar se instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë e ka për detyrë të merret me hulumtimin dhe evidentimin e rasteve të tilla, derisa tha se “për ta do të kërkohet drejtësia dhe ata do të jenë në histori”.