(20:55) - Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i duhet edhe një mandat në opozitë, prandaj siç thotë ai, nuk i ofron koalicion. Kurti e quajti “lajm” kthimin e Fatmir Limajt në Kuvend, duke përmendur nofkën e tij gjatë luftës. Ai la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me të.
“Kosova ka qeveri, por nuk ka Kuvend. Sepse Kuvendi është thelbësor për të kontrolluar qeverinë dhe për të mbikëqyrur ndërmarrjet publike. Paradoksalisht, opozita po e lë Kosovën pa mbikëqyrje të ekzekutivit dhe pa shtëpinë e saj – Kuvendin”, ka thënë Kurti në RTK të martën në mbrëmje.
Ai përmendi se koalicioni me LDK-në dhe pakicat joserbe do të ishte stabil sepse numri i deputetëve do të ishte 77, e me përfshirjen e Nismës arrin në 80. Sipas tij, kjo është rruga më e mirë përpara, duke përjashtuar idenë për një qeveri teknike apo tranzicionale.
“Jam kundër qeverive teknike që e lënë vendin pa opozitë. Në një demokraci, opozita është thelbësore. PDK-së i duhet edhe një mandat në opozitë. Mezi pas 20 vjetëve e nxorëm në opozitë dhe nuk e kuptoj pse ka zell për ta rikthyer në pushtet nga ata që janë në opozitë e nuk janë pjesë e PDK-së”, u shpreh Kurti.
Më pas, Kurti foli për Limajn dhe Nismën Socialdemokrate.
“Është lajm që Fatmir Limaj, komandant Çeliku që njihej gjatë luftës, është kthyer në Kuvend, që NISMA Socialdemokrate, do duhej të jetë parti simotër e Vetëvendosjes, dhe ka tre deputetët, por le të mos harrojmë edhe një gjë tjetër – jo vetëm që u kthye Limaj, por ia mundësoi AAK-së ta kalojë pragun. Ka qenë shfrytëzim i dyanshëm”, ka thënë ai.
Kryeministri në detyrë la të hapur mundësinë për të bashkëpunuar me kryetarin e Nismës.
“Kam pasur takime me Limajn. Takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi për të bashkëpunuar, ku s’ka pasur marrëveshje për shkak të një parakushti, as kushti jo, për bashkëpunim në të ardhmen me pozitën e kryeparlamentarit. Unë jam në koalicion me Guxon dhe Alternativën, dhe t’ia japë kryeparlamentarin një partie me tre deputetë dhe ta lënë anash një parti që ka dyfishin – kjo e dëmton pariparueshëm marrëveshjen tonë paraprake”, ka deklaruar Kurti.
Kurti thotë se Glauk Konjufca do të jetë ministër
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka konfirmuar se Glauk Konjufca do të jetë ministër në qeverinë “Kurti 3”. Ai ka thënë se Konjufa po kthehet në ekzekutiv e Albulena Haxhiu në legjislativ.
“Ne kemi marrë vendim ta propozojmë ministren e Drejtësisë, gruan më të votuar, Albulena Haxhiun për kryetare të kuvendit, ndërkaq Glauk Konjufca jemi marr vesh që do të bëhet anëtar i qeverisë në ‘Kurti 3’. Glauku po vjen në ekzekutiv, Albulena po kthehet në legjislativ”, ka thënë Kurti në RTK.
Kurti: Do t’i kemi 61 vota për formimin e Qeverisë, por paraprakisht na duhet Kuvendi
(20:26) - Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur i bindur se do t’i sigurojë 61 vota të nevojshme për formimin e Qeverisë së re, por theksoi se hapi i parë dhe i domosdoshëm është konstituimi i Kuvendit të Kosovës, për të cilin nuk po mund të sigurojë votat.
Në një intervistë për RTK-në të martën mbrëma, Kurti ka thënë se mandati i kaluar është përmbyllur me sukses dhe për herë të parë në mënyrë të plotë. Ai përmendi arritjet e qeverisë që ka udhëhequr, duke theksuar “sovranitetin më të madh shtetëror, integrimin territorial, rritjen ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies sociale”.
“E kemi përfunduar një mandat për herë të parë në tërësi. I kemi synuar 500 mijë vota, kemi arritur rreth 400 mijë, një rezultat i mirë”, ka thënë Kurti.
Ai theksoi se kishin pritur që të konstituohet më shpejt Kuvendi pasi e kanë propozuar “gruan më të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit”.
“Propozimi për kryetare të Kuvendit është Albulena Haxhiu. Ajo ka marrë mbi 125 mijë vota dhe është gruaja më e votuar në zgjedhje. Nuk lejoj të shkelet gruaja më e votuar”, u shpreh Kurti, duke mos dhënë shenja se mund ta ndërrojë emrin e saj, siç po kërkojë disa parti të ish-opozitës.
“Provuam disa herë votimin, por nuk arritëm të sigurojmë 61 vota. Kërkuam edhe zgjidhje nga presidentja. Jemi në një situatë kur 10 herë është refuzuar formimi i një komisioni për votim të fshehtë”, ka thënë ai, duke shtuar se opozita po e bllokon procesin dhe po shkel Kushtetutën duke refuzuar të marrë pjesë në votim.
Siç tregoi kryeministri në detyrë, partive të ish-opozitës u ka kërkuar të mos ia imponojnë njëri-tjetrit për propozimin për kryetar dhe nënkryetarë të Kuvendit.
“Në momentin që konstituohet Kuvendi, unë si kryeministër në detyrë dhe si lider i partisë fituese, do t’i kem 61 vota për krijimin e Qeverisë,” përfundoi Kurti.
Nesër do të jetë përpjekja e 19-të për konstituimin e Kuvendit.