Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se në takimin e zhvilluar me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shprehur gatishmërinë për bashkëqeverisje.
Teksa ka thënë se hollësitë e ofertës nuk mund t’i bëjë të ditura pa përmbyllje të marrëveshjes.
“Kemi shprehur tashmë jo vetëm interesimin por edhe gatishmërinë për të bashkëqevërisur me Nismën. Kam bërë pak a shumë edhe një ofertë konkrete për Nismën, në mënyrë që gjithçka të përmbyllet sa më shpejt e sa më mirë. Mirëpo kur këto bisedime të përmbyllen me rezultatin final atëherë mund të flasim për hollësitë e përmbajtjes së saj. Për hollësitë e përmbajtjes së ofertës sonë mund të flasim vetëm atëherë kur bisedimet të jenë të finalizuara me atë marrëveshje”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se deri në fund të javës do të bëhet e ditur nëse ka marrëveshje me këtë parti, ose jo.
“Nuk e di çfarë do të ndodhë pas 30 ditëve. Ndërkohë ne duhet të qeverisim sepse i kemi kompetencat e kufizuara, por punët i kemi të shumta. Unë kam bërë një ofertë për Nismën dhe nuk do të mund t’i diskutojë elementet përbërëse para se të finalizohen ato biseda sepse punoj që kjo të bëhet në këtë fundjavë. Në këtë fundjavë ose do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose do ta kemi lajmin për mungesën e saj”, është shprehur ai.