Arbëri

Kryetari i Lezhës: Turistët po preferojnë t’i paguajnë plazhet private, jo të rrinë në publike me zero lek

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka thënë se këtë vit në këtë zonë, me një vendim të marrë janë zgjeruar plazhet publike. 

Sipas tij turistët mund t’i shfrytëzojnë këto plazhe pa paguar asgjë ose me një çmim simbolik.

“Ka një problem këtu sepse ka njerëz që nuk e kuptojnë, shkojnë te një zonë hoteliere e cila e ka stacionin e paguar dhe e vendos ajo çmimin dhe nuk shkojnë te zona publike, pastaj më thonë mua çmimi i lartë”, ka deklaruar Nderu të premten, në një lidhje direkte në emisionin “SOT” në KTV. 

Ai ka thënë se Bashkia që e udhëheq përgjigjet vetëm për zonat që i menaxhon vet. 

Sipas tij zonat publike janë të dukshme. 

“Ne ofrojmë të gjitha lehtësitë dhe mundësitë në plazhe publike me zero lek, ose me katër euro në Shëngjin, me 5 të Rana e Hedhun, me 3 në Tale”, është shprehur ai. 

Mirëpo sipas tij turistët po i preferojnë më shumë plazhet private. 

“Turistët po preferojnë më shumë pagesën, sepse plazhet publike po rrinë pothuajse bosh, njerëzit nuk preferojnë të rrinë pa lek, të marrin çadrat me vete, po preferojnë që të shkojnë në hoteleri, që të paguajnë shërbimin deri në 10 euro”, ka theksuar Nderu.

Ai ka thënë se nuk ka ngritje të çmimeve as në gastronomi. 

“Nuk operojmë më rritje çmimesh, sa i përket pastërtisë jemi nga plazhet më të pastra, sa i përket gastronomisë jemi qyteti që gatuajmë më së miri në rajon, që hahet më lirë se kudo në rajon”, është shprehur Ndreu.

Ai ka thënë se infrastruktura po përmirësohet nga viti në vit.

Nderu ka thënë se ka rritje të numrit të turistëve të huaj. Ka shtuar se ka edhe turistë polakë, çekë e gjermanë.