Prej korrikut të 2022-s e deri në qershor të 2023-s janë raportuar 2735 raste të dhunës, thuhet në një raport të GLPS-së. Viktimat më të shpeshta vazhdojnë të jenë gratë, ndërsa burrat në të shumtën e rasteve janë kryerësit e kësaj vepre penale. Kësisoj, nga numri total i viktimave, 2165 kanë qenë gra. Pasi ka dëgjuar këto të dhëna, ministrja e Drejtësisë ka dhënë kritika ndaj sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial
Rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje, konstatohet në një raport të Grupit për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), që është publikuar të enjten.
Prej korrikut të 2022-s e deri në qershor të 2023-s janë raportuar 2735 raste të dhunës. Viktimat më të shpeshta vazhdojnë të jenë gratë, ndërsa burrat në të shumtën e rasteve janë kryerësit e kësaj vepre penale. Kësisoj, nga numri total i viktimave 2165 kanë qenë gra.
Sipas raportit të GLPS-së, të bazuar në të dhënat e institucioneve, shumica e rasteve të dhunës në familje kanë ndodhur brenda raportit bashkëshortor. Por raporti shpreh kritika për trajtimin institucional të dhunës në familje.
Hulumtuesja Liridonë Salihi gjatë prezantimit të gjetjeve ka thënë se Prokurori i Shtetit në të shumtën e rasteve ngre aktakuzë ndaj të dyshuarve për dhunë në familje, porse kanë evidentuar raste kur aktakuzat janë të mangëta dhe kanë probleme në arsyetim dhe në kualifikim të veprës penale. Ndërkaq, për gjykatat Salihi ka theksuar se trajtimit të rasteve ato u kanë dhënë prioritet, porse sfidë mbeten dënimet e ulëta ndaj dhunuesve.
“Dënimi maksimal i shqiptuar është me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 1 viti e katër muaj, ndërsa dënimi që parashihet sipas Kodit Penal për veprën penale ‘dhunë në familje’ është dënim me gjobë dhe dënim me burgim deri në tre vjet”, ka thënë ai.
Sipas GLPS-së, gjatë kësaj periudhe, në 98 për qind të rasteve gjykatat kanë shpallur aktgjykime dënuese ndaj të akuzuarve për dhunë në familje, porse vetëm në 11 për qind të rasteve ata janë dënuar me burgim efektiv. Në 65 për qind të këtyre rasteve janë shqiptuar dënime me kusht.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga gjykatat që ta trajtojnë me seriozitet çështjen e ndëshkueshmërisë.
“Unë nuk jam e kënaqur që vetëm 11 për qind e rasteve, të cilat ju i prezantuat, marrin dënim efektiv. Është numër shumë i vogël. Prandaj, thërras Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që ta trajtojë këtë me seriozitet sepse Kodi Penal siç e dini parasheh dënim me gjobë dhe burgim deri në tri vjet. Por, unë në bazë të raportit që prezantuat nuk pashë asnjë dënim. Jo tri, por as dy vjet”, është shprehur ajo.
Por, gjyqtari i Themelores në Prishtinë, Sabit Sadikaj, mohoi se dënimet e shqiptuara janë të ulëta. Sipas tij, ato janë në përputhje me veprën penale.
“Gjykata i aplikon dënimet brenda minimumit dhe maksimumit që përcaktohet brenda Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Gjykata mendoj që jep dënime meritore – as të ulëta, as të larta”, ka thënë ai.
Si kundërpërgjigje ndaj kritikave për aktakuza të mangëta, prokurorja Mimoza Shala përmendi sfidat me ligjet në fuqi. Ajo tha se edhe pse është përgatitur Kodi i ri i Procedurës Penale, nuk ka ndryshuar neni 124 për dëshmitarët e liruar nga detyrimi për të dëshmuar.
“Pavarësisht se ka hyrë në fuqi Kodi i ri i Procedurës Penale, ka vazhduar të jetë e njëjta dispozitë, e njëjta e drejtë ligjore që viktima të mos detyrohet të dëshmojë për atë se çfarë ka ndodhur. Kjo po na paraqet probleme në praktikë”, është ankuar ajo.
Sipas raportit të GLPS-së, Policia e Kosovës është institucioni më i besueshëm për raportim të dhunës.
Majori Ramadan Ahmeti ka thënë se Policia është e angazhuar maksimalisht në këtë drejtim, porse, sipas tij, mbetet sfidë numri i madh i rasteve të dhunës në familje.
Në tryezën e organizuar janë dhënë edhe disa rekomandime për Policinë, Prokurorinë e gjykatat.
“Policia e Kosovës të rrisë efikasitetin në parandalimin dhe hetimin e rasteve të dhunës në familje, si dhe në arrestimin e të dyshuarve për këtë vepër penale. Ftohet Prokurori i Shtetit që aktakuzat e ngritura të jenë të plota dhe të përfshijnë prova të arsyetuara që vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit. Gjykatat ftohen të vazhdojnë trajtimin me prioritet të këtyre rasteve, aktgjykimet të jenë të plota e të arsyetuara, si dhe të aplikojnë në përpikëri Udhëzimin e Gjykatës Supreme për Politikën Ndëshkimore”, thuhet në raport.
Në raport është vënë theksi edhe te dështimi i institucioneve për zbatimin në praktikë të Ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, pavarësisht që ky ligj është në fuqi qe 8 vjet. Për këtë i është rekomanduar Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme që sa më parë t’i nisin procedurat për blerjen e teknologjisë që bën të mundshme mbikëqyrjen elektronike të këtyre personave.