Memli Krasniqi është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike. Ai u zotua për mobilizim për zgjedhjet lokale, ndërkaq mohoi çfarëdo mundësie koalicioni qeverisës në nivel qendror me Lëvizjen Vetëvendosje
Me përkrahje unanime nga delegatët, Memli Krasniqi është konfirmuar të shtunën edhe për një mandat të dytë kryetar i Partisë Demokratike.
Në Konventën e Përgjithshme të 11-të që u mbajt këtë të shtunë, Krasniqi ishte i vetmi kandidat në garë, e pas rizgjedhjes ai tha se kjo tregon për unitetin brenda partisë.
“Faktin që isha kandidati i vetëm e marr me përulësi, si unitet të fuqishëm të Partisë Demokratike të Kosovës, një besim lidhur me lidershipin tim për vitet e kaluara. Gara ka qenë e hapur, por nuk ka pasur kundërkandidat e këtë po e marr si besim shtesë dhe përgjegjësi. Kjo konventë ishte dëshmi e unitetit tonë”, ka thënë Krasniqi në një konferencë për media, pas konventës. “Votimi unanim ishte më shumë se legjitimitetit për mua, sepse më ngarkoi për të pasur një vizion të qartë për rrugën përpara nesh. Tash është koha për të folur sërish me qytetarët dhe për të ndërtuar fitoren, duke filluar nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit”.
E gjatë fjalimit në konventë, Krasniqi dha mesazh se jo të gjithë kryetarët aktualë të komunave që udhëhiqen nga PDK-ja, mund të llogarisin se do të rikandidohen.
“Tani unë e kuptoj se vjen një periudhë ku secili person e personalitet politik për një arsye ose tjetër ndjen se ka ardhur koha që t’u krijojë hapësirë gjeneratave të reja. Dhe natyrisht për ta, ne do të kemi gjithmonë mirënjohje dhe falënderim që kanë përfaqësuar me dinjitet identitetin e Parisë Demokratike”, ka thënë ai.
Gjatë fjalimit, kryetari i forcës së dytë politike më të madhe në Kuvend iu referua edhe ngërçit politik. Ai ritheksoi se PDK-ja nuk e voton asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit që ka qenë pjesë e qeverisjes së kaluar dhe mohoi çfarëdo mundësie për koalicion me Vetëvendosjen.
“Partia Demokratike e Kosovës vazhdon t’i thotë jo çdo ideje për bashkëqeverisje me partinë që e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje, sepse kush e solli Kosovën në gjendjen më të rëndë që nga paslufta, duhet të shkojë në opozitë”, ka thënë Krasniqi.
Të pranishmëve iu drejtua edhe nënkryetari Bedri Hamza, i cili në zgjedhjet e fundit nacionale ishte kandidat i PDK-së për kryeministër.
Sikur Krasniqi, edhe ai foli për ish-liderët e partisë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, që ndodhen në Hagë.
“Derisa të jenë sërish në mesin tonë, në emër të presidentit Thaçi dhe kryetarit Veseli, në emër të të gjithë atyre që dhanë gjithçka për këtë vend, le të ringrihemi edhe më të fortë, më të bashkuar dhe më krenarë se kurrë. Sepse, ju të gjithë e dini, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka lindur në zyrë dhe nuk është formuar as në qetësinë e sallave parlamentare. Ka lindur në përballje”, ka thënë Hamza.
Në zgjedhjet e fundit nacionale, PDK-ja e drejtuar nga Krasniqi e me kandidat për kryeministër Hamzën, rikthyen mesataren e votës së marrë ndër vite, pas rënies së shënuar më 2021-tën.