Arbëri

Krasniqi shpalos mesazhin “po pluralizmit, jo terrorizmit” në mbledhjen e KQZ-së

Mbledhja KQZ

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka shpalosur një mesazh “po pluralizmit, jo terrorizmit” në mbledhjen e KQZ-së që po mbahet sot. 

Mesazhi ishte drejtuar ndaj Listës Serbe. 

KQZ-ja kishte refuzuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetor, por të dielën Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur që ta urdhërojë KQZ-në ta certifikojë Listën Serbe. 

 

KQZ-ja mbajti mbledhjen e radhës. Në mbledhje u mirtua programi për trajnimin për trupat menaxhues të zgjedhjeve dhe stafit zgjedhor. U miratua procedura për votimin e personave me nevoja të veçanta, u miratua rekomandimi që personat e evidentuar si të vdekur të hiqen nga lista e votimit, u miratua rekomandimi për hapjen e Qendrës së Votimit në lagjen “Marigona Residence" në Graçanicë. Po ashtu u miratua zëvendësimi i anëtarëve të KKZ-së në Komunën e
Vushtrrisë dhe Gllogocit si dhe kurrikula e Trajnimit për Trajner dhe TMZ si dhe Shtojcat.

Në fillim të mbledhjes, u prezantua raporti informues lidhur me ecurinë e përgatitjes së Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025. Sipas raportit informues, është duke u zhvilluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës dhe që nga fillimi i saj më 28 qershor dhe deri më 24 gusht 2025, janë pranuar 8,107 kërkesa, prej të cilave 7,432 janë aprovuar, ndërkaq 675 të tjera janë refuzuar për shkak se nuk kanë bashkangjitur fotografinë e tyre duke mbajtur në dorë dokumentin identifikues. Afati për ndërrim të Qendrës së Votimit do të mbyllet këtë të premte, më 29 gusht 2025. Po ashtu, anëtarët u informuan lidhur me periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovë votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025. Sipas të dhënave, nga data 23 korrik, kur ka filluar procesi i regjistrimit, dhe deri më 25 gusht (ora 09:00), janë aprovuar 21,436 kërkesa të paraqitura përmes platformës elektronike https://diaspora.kqz-ks.org, ndërkaq janë refuzuar 5,244 për shkak se aplikuesit nuk kanë paraqitur dokumentin që dëshmon adresën e banimit apo adresa e deklaruar nuk është e njëjtë me adresën në dokumentin që e dëshmon atë. Afati për regjistrim do të mbyllet këtë të premte, më 29 gusht 2025.