(E përditësuar 14:05) - Memli Krasniqi është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në Konventën e 11-të që u mbajt të shtunën.
Krasniqi ka falënderuar delegatët e pranishëm për besimin e dhënë, “për të vazhduar së bashku punët e mira për Kosovën”.
“Faleminderit shumë, për besimin. Faleminderit për mbështetjen. Faleminderit që nderin dhe përgjegjësinë më të madhe jetësore ma dhatë edhe sot sepse kur jam bashkuar për herën e parë në PDK në pranverën e vitit 2004 nuk e kam ëndërruar e as nuk e kam pasur ambicie të jem kryetar i partisë së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit”, ka thënë lideri i PDK-së, sipas një njoftimi të partisë në Facebook.
Krasniqi u zotua se do të angazhohet për ta rikthyer PDK-në si partinë e parë në vend.
“Krejt çka di dhe krejt çka mundem do ta bëj për ta rikthyer Partinë Demokratike të Kosovës aty ku e ka vendin, si partinë më të madhe dhe udhëheqëse të Republikës së Kosovës”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi për herë të parë si kryetar i PDK-së u zgjodh në vitin 2021.
Para tij, kryetar të PDK-së ishin edhe Hashim Thaçi (1999 – 2016) e Kadri Veseli (2016 – 2020). Të dy aktualisht po gjykohen për krime lufte në Hagë.
Krasniqi në Konventën e PDK-së: Dua të vazhdoj si kryetar për misionin, jo për pozitën
(12:50) - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Konventën e 11-të të kësaj partie, duke iu drejtuar delegatëve të pranishëm, ka thënë se kjo konventë është thirrje për të vazhduar rrugën e bashkimit dhe fuqizimit, ashtu siç i kaluan të gjitha sfidat nga shkuarja e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në Hagë, në fitues të zgjedhjeve lokale në vitin 2021, dhe morën rreth 200 mijë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit me Bedri Hamzën kandidat për kryeministër.
Krasniqi është i vetmi kandidat për kryetar të PDK-së në Konventën që po mbahet të shtunën.
“Ky mandat mbaroi, por puna jo. PDK është në rritje, dhe rritja kërkon stabilitet. Po përgatitemi për fitore, dhe fitorja kërkon unitet. Prandaj, kërkoj mbështetjen tuaj për të vazhduar si Kryetar i juaji edhe në sfidat që i kemi përpara. Jo për pozitën, por për misionin. Jo për veten, por për rrugën që duhet ta ndjekim së bashku. Sepse punët që na presin: fitorja në zgjedhjet lokale, udhëheqja e qeverisë së ardhshme, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit, kthimi i Kosovës në partner serioz ndërkombëtar, nuk mund të presin. Dhe ne duhet të jemi ata që i udhëheqin”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, për 4 vjet, PDK-ja u ngrit, “u anëtarësua në rrjetin e familjeve evropiane dhe botërore të partive liberal-demokrate, organizoi Konventën 50/50 për fuqizimin dhe përfshirjen e grave në vendimmarrje, fuqizoi Rininë Demokratike të Kosovës, ku sot kryetarja e saj Arbnora është deputete”.
“Ne nuk flasim vetëm për të ardhmen. Ne duam ta projektojmë të ardhmen. Në Kuvendin e Kosovës kemi qenë zëri i maturisë dhe përgjegjësisë. Kemi dialoguar kur ka pasur mundësi, dhe kemi kundërshtuar kur ka qenë e nevojshme. Por, asnjëherë nuk kemi bërë kompromis me parimet tona. Kemi rrëzuar një numër të madh ligjesh në Gjykatën Kushtetuese, që cenonin interesin publik, të punëtorëve, familjeve dhe të vetë Republikës së Kosovës. Por, suksesin më të madh e arritëm me 9 shkurt: Kthimin e pluralizmit në Kosovë, e shpëtuam Republikën nga monizmi dhe nga sundimi njëpartiak”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se kur Kosova dhe PDK-ja ecin së bashku, ka vetëm një drejtim, përpara.
“Kauza jonë është Kosova. Kauza jonë është zhvillimi. Kauza jonë është e ardhmja. Dhe ne do ta ndërtojmë atë – së bashku”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, PDK-ja nuk garon vetëm për të rifituar komunat që i drejton aktualisht, por për t’i fituar edhe disa të tjera me radhë.
“Bedri Hamza, Agim Aliu, Shaqir Totaj, Fadil Nura, Ramiz Lladrovci, Ferit Idrizi, Besim Ilazi, Mehmeti Ballazhi, por edhe Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, janë shndërruar në kampionë të qeverisjes së mirë gjithandej Kosovës: Nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim! Ata janë kampionë të zhvillimit, transparencës dhe rezultateve, të konfirmuara e shpërblyera për këtë gjë. Tani, unë e kuptoj që vjen një periudhë ku secili person politik, për një arsye ose tjetër, ndjen se ka ardhur koha që t’u krijojë hapësirë gjeneratës së re. Dhe, natyrisht, për ta, ne do të kemi gjithmonë vetëm mirënjohje dhe falënderim, që kanë përfaqësuar me dinjitet identitetin e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, po ashtu, zotohemi bashkë këtu se do të punojmë pa ndalur të gjithë për t’i mbështetur kandidatët dhe kandidatet tona në zgjedhjet e kësaj vjeshte, me bindjen se shërbimi i tyre për qytetarët do të jetë shembulli me të cilin do të mburremi bashkë”, ka deklaruar ndër të tjera Krasniqi.
Nënkryetari i partisë, Bedri Hamza në fjalimin e tij ka thënë se PDK-ja nuk ka lindur në zyre, por ka lindur me përballje dhe shpirtin e rezistencës.
“Jemi forca me kontributin më të madh në lirinë dhe demokracinë e këtij vendi. Jemi të gatshëm për ta udhëhequr vendin, ne jemi partia e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ata nuk u thyen dhe nuk u përkulen kurrë”, ka theksuar ai
Ai ka deklaruar e edhe në rezultatet e 9 shkurtit kanë pasur rezultat të mirë, pasi kanë bashkuar qytetarët me programin e tyre për një jetë më të mirë.
“PDK nuk është alternativë, është nevojë e domosdoshme”, ka theksuar Hamza. /RTK