Ministri i Mbrojtjes në detyrë i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se gjatë javës së kaluar Kosova ka pranuar fluturaket pa pilotë “AeroVironment RQ-20 Puma” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Maqedonci ka njoftuar se pagesa për këtë sistem është bërë në vitin 2021 nëpërmjet programit shtet më shtet të njohur si Foreign Military Sale (FMS).
“Gjatë javës së kaluar pranuam fluturaket pa pilotë AeroVironment RQ-20 Puma të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministria e Mbrojtjes prokurimin e fluturakeve pa pilotë “Puma” nga ShBA-ja e ka realizuar përmes programit shtet më shtet të njohur si Foreign Military Sale (FMS). Pagesa për këtë sistem është realizuar në vitin 2021. Fluturaket Puma krahas fluturakeve tjera janë një kapacitet tjetër i nevojshëm për rritjen e aftësive të FSK-së në fushën e sistemeve ajrore pa pilot. Bashkëpunimi me ShBA në fushën e mbrojtjes po thellohet dhe zgjerohet vazhdimisht duke kontribuar në zhvillimin e ushtrisë tonë si dhe në arritjen e interesave të përbashkëta të dy vendeve tona”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Maqedonci nuk ka treguar se sa dronë janë blerë.
Sipas informatave online një sistem i dronëve RQ-20 Puna që përmban tre dronë dhe dy stacione bazë kushton afro 250 mijë dollarë.
Ato përdoren për një sërë misionesh kryesisht të natyrës monitoruese dhe taktike.
Kryeministri Albin Kurti, ka përgëzuar Ministrinë e Mbrojtjes për blerjen e dronëve.
“Më shumë sy në qiell, për më shumë siguri në tokë. Përgëzime Ministrisë së Mbrojtjes, urime Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai.
VIDEO