Mallrat e vendeve të rajonit kanë vërshuar tregjet e Kosovës edhe gjatë qershorit të këtij viti. U importuan afro 79 milionë euro mallra brenda një muaji. E eksporti i mallrave kosovare në vendet fqinje vazhdon të jetë i ulët. Sipas ekspertëve, pozita e pafavorshme e Kosovës do të thellohet kur të futet në tregun e përbashkët rajonal
Afro 79 milionë euro është vlera e mallit që ka importuar Kosova nga vendet e rajonit gjatë muajit qershor. Por, eksporti vendas karshi vendeve fqinje mbetet i pafuqishëm. U eksportuan mallra në vlerë prej 29 milionë euro.
Shifrat e eksporteve dhe importeve, të cilat rezultojnë me bilanc të thellë negativ tregtar, e vendosin Kosovën në një pozitë të pafavorshme krahas vendeve të rajonit.
Pëllumb Çollaku, bashkëpunëtor për hulumtime në Riinvest, thotë se kjo pozitë mund të thellohet edhe më tutje me rastin e futjes së Kosovës në tregun e përbashkët rajonal.
“Sipas parashikimeve, pozita e pafavorshme e bilancit negativ që ka Kosova në tregun e përbashkët mund të pritet thellohet edhe më tutje shkaku i mungesës së avantazhit krahasuar në industri të caktuara në të cilat gjendet Kosova aktualisht”, ka thënë Çollaku.
Kryeministri Albin Kurti ka kundërshtuar Mini-Schengenin, me nismën e tij për një marrëveshje të quajtur SEFTA, e cila promovon një bashkëpunim rajonal që bazohet në barazi dhe reciprocitet, që ka mekanizma zbatues dhe që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.
Por, Çollaku përmend disa politika që duhet t’i ndërmarrë Qeveria si preventivë në këtë udhëtim tregtar.
“Si një preventivë në këtë udhëtim do të duhej të ishte orientimi i politikave ekonomike nga Qeveria, në mënyrë që të forcohet avantazhi krahasues në industri të caktuara, në mënyrë që t’i marrim benefitet nga nja treg i tillë i përbashkët. Si shembull do të ishte rivitalizimi i kompleksit Trepça me industritë përpunuese që kishte dikur, më pastaj mund të jetë shtytja me politika nxitëse të sektorit të ICT-së”, ka theksuar ai.
Sipas të dhënave të Doganës në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në vendet e rajonit u eksportuan mallra në vlerë prej 114 milionë euro. Partnere kryesore të Kosovës në eksport ishin Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi.
Ndërsa mallra të këtyre vendeve që vërshuan Kosovën ishin në vlerën e mbi 309 milionë eurove. Partnere kryesore në import nga vendet e rajonit ishin Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Bazuar në të dhënat e vitit të kaluar, ka një ritëm pothuajse të njëjtë të importeve dhe eksporteve nga këto vende. Më 2020, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 210.7 milionë euro.
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në vitin 2020 arritën në 615,3 milionë euro, ose 18.7 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 22.4 për qind.
Kosova në raport me vendet e CEFTA-s
Kosova mesatarisht importon mallra në vlerë prej afro 700 milionë euro nga vendet e CEFTA-s pothuajse çdo vit. Por, eksportet vazhdojnë të jenë të ulëta – ato sillen rreth 130 milionë euro.
Vlera më e lartë e importit nga këto vende ishte shënuar në vitin 2017 – 856.1 milionë euro – derisa vlera më e lartë e eksporteve ishte gjatë vitit të kaluar – afro 210.7 milionë euro.
Bazuar në të dhënat e një dekade, shkëmbimi i përgjithshëm tregtar me vendet e anëtare të CEFTA-s ka arritur në mbi 8 miliardë euro për import, ndërsa mbi 1.4 miliardë për eksport.
Për një dekadë, Serbia ka shitur mallra në Kosovë mesatarisht rreth 300 milionë euro në vit, ndërsa bleu vetëm 25 milionë euro.
Por, kjo shënoi rënie gjatë vitit 2019, kur u vendos taksa 10 për qind, e më pas 100 për qind nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr atëkohë nga Ramush Haradinaj, e cila më pas u hoq nga Albin Kurti sa ishte kryeministër.
Në periudhën 2010-2020, në raport me vendet e tjera anëtare të CEFTA-s, pjesëmarrja e mallrave të Serbisë në tregjet e Kosovës sillet rreth 39 për qind, ndërsa në eksporte 18 për qind.
Të dhënat e fundit për sivjet tregojnë për një trend në rritje. Ndonëse muajin e parë 2021 importi nga Serbia ishte në vlerën e mbi 14.1 milionë euro, në muajin qershor kaloi mbi 25 milionë euro.
Tregtia e jashtme drejt ringjalljes
Tregtia e jashtme e Kosovës është ringjallur këtë fillimvit, duke tejkaluar edhe nivelet e parakrizës së COVID-19.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se vetëm gjatë qershorit Kosova importoi mallra në vlerë prej 393.2 milionë euro, që është një rritje prej 35.2 për qind më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Rritje pati edhe në eksport të mallrave. U eksportuan mallra në vlerë 72.9 milionë euro, që është një rritje prej 63.5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit stë kaluar.
Kjo paraqet një rritje mbi 57 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur tregtia u paralizua nga pandemia dhe 89 për qind më shumë sesa në vitin 2019.
Rritje pati edhe në import. U importuan mallra në vlerë prej afro 4 miliardë e 669 milionë euro, apo rreth 31.8 për qind më së shumë sesa në vitin 2020, ndërsa krahasuar me vitin 2019, rreth 27.4 për qind më shumë.
Partnere kryesore të Kosovës në eksport nga vendet e Bashkimit Evropian janë Italia, Gjermania, Austria dhe Holanda. Ndërsa nga vendet e CEFTA-s janë Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi.
Eksportet janë kryesisht me SHBA-në dhe Zvicrën.
Mallrat që futen në Kosovë nga vendet e Bashkimit Evropian janë kryesisht nga Gjermania, Italia, Greqia dhe Sllovenia.
Sipas të dhënave të ASK-së për muajin maj, vlera e deficitit tregtar ishte 53.9 për qind më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në vlerë monetare kjo kap shifrën prej 308,2 milionë euro në maj 2021, ndërsa 200,3 milionë në vitin 2020.
Eksporti ka mbuluar importin vetëm me 15.8 për qind. Eksporti i mallrave në muajin maj 2021 kishte vlerën 57,8 milionë euro, ndërsa importi 366,0 milionë euro, që është një rritje prej 49.2 për qind për eksport dhe 53.1 për qind për import krahasuar me majin e vitit 2020.
Mallrat që eksportohen nga Kosova për në vendet e tjera janë kryesisht metale bazë, artikuj të ndryshëm të prodhuar, si plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, ushqime të përgatitura, pije dhe duhan, produkte minerale, makineri dhe pajisje mekanike e elektrike.
Rritja e eksporteve dhe importit ka reflektuar në të hyrat buxhetore. Edhe buxheti i rishikuar që pritet të kalojë në Kuvend në lexim të dytë më 28 korrik parasheh që të arkëtohen 155 milionë euro përtej planifikimit në fillimvit, si dhe të shpenzohen 62 milionë euro më shumë.
Qeveria ka paraparë që deri në fund të vitit të hyrat të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro, e të shpenzohen 2 miliardë e 516 milionë euro.
Në arsyetimin e ndryshimeve në buxhet janë listuar dy prioritete kryesore: mposhtja e pandemisë nëpërmjet imunizimit masiv të popullatës, si dhe adresimi i rimëkëmbjes ekonomike, pasi të marrë fund pandemia.