Arbëri

Kosova dhe Serbia ende larg kompromisit

Kosova dhe Serbia nuk kanë vizion të qartë për kompromisin i cili do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ky është njëri prej konkluzioneve që ka dalë nga edicioni i dhjetë i Forumit të Sigurisë në Beograd, i cili këtë vit për herë të parë aplikoi model të përzier të organizimit të ngjarjeve, me platforma online dhe studio. Në forum po ashtu u konstatua se situata me pandeminë COVID-19 u shfrytëzua për ta shpejtuar “kapjen e shtetit” në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ku elitat udhëheqëse i dobësuan institucionet demokratike.

Mes temave të shumta, nën sloganin “S’ka Besim - S’ka Paqe”, vëmendje e veçantë i është kushtuar dialogut Kosovë-Serbi, me panelin ku pjesëmarrës ishin kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Drejtori i Programit në Forumin e Sigurisë, Marko Savkoviq, ka thënë për Kohën Ditore se fatkeqësisht ngjarja konfirmoi se kompromisi duket larg i arritshëm.

“E rëndësishme për ne si organizatorë dhe gjithë iniciativat e dialogëve ballkanikë është se ngjarja e veçantë u zhvillua. Ndërsa kishte mendime të ndryshme, nuk u përdorën fjalë të rënda. BE-ja, sikurse edhe SHBA-ja, u përpoqën t’i paraqesin qasjet e tyre mbështetëse. Ndërkaq, i dërguari special Lajçak ishte shumë i sigurt në bindjen e tij se përparimi në dialog (negociata) do të vijë më shpejt. Me një fjali, nuk ishim të zhgënjyer dhe mendoj se, duke pasur parasysh gjendjen e përgjithshme të dialogut, në vetvete ky ishte një hap pozitiv”, ka thënë Savkoviq.

Sipas tij, kjo është hera e parë që një ngjarje e organizuar nga Beogradi pati nikoqir kryeministrin e Kosovës.

“Debati online ndoshta ka ndihmuar. Pra, për fillim unë mendoj se kjo ishte një arritje e vogël, duke ‘normalizuar’ ngadalë një ndërveprim të tillë edhe në rajonin tonë, dhe jo vetëm në Bruksel, ose diku tjetër nëpër botë”, ka shtuar Savkoviq, teksa shpreson që edicionin e ardhshëm të kenë mundësinë ta presin kryeministrin e Kosovës, ose ndonjë përfaqësues tjetër të nivelit të lartë edhe fizikisht.

Dallimet rreth marrëveshjes finale

Por, mungesë besimi dhe qëndrime diametralisht të kundërta rreth marrëveshjes finale dhe ligjërisht të obligueshme kanë shfaqur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë. Derisa Hoti ka përsëritur disa herë se marrëveshja e paqes duhet ta ketë njohjen e ndërsjellë, Vuçiqit i ka penguar kjo duke fajësuar Kosovën se po kushtëzon themelimin e Asociacionit me diçka që nuk është nënshkruar në Bruksel.

Sipas Hotit, pavarësisht të kaluarës së dhimbshme, ku mijëra persona janë ende të zhdukur, Kosova ka treguar përkushtim në dialog, me synimin që të arrihet pajtimi final. Hoti e ka përsëritur se janë për zgjidhje sistematike, e jo zgjidhje kreative.

Por, qeveria që udhëheq ai është zotuar se do ta përmbushë obligimin për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Hoti e ka përjashtuar mundësinë e rihapjes së kësaj teme në tryezën e negociatave me Serbinë. Sipas tij, Asociacioni do të bëhet sipas udhëzimeve që ka dhënë Gjykata Kushtuese, e cila në vitin 2015 pati konstatuar shkelje në të shtatë kapitujt e marrëveshjes mbi të cilën pati vënë firmën ish-kryeministri Isa Mustafa.

Në anën tjetër, Vuçiq ka folur për marrëveshje kompromisi ku nuk humb vetëm Serbia.

Madje, ai i ka kërkuar Hotit që të mos e përmendë shpesh refrenin “dy shtete”, duke kujtuar se në këtë mes vetëm Serbia është shtet i pranuar në Kombet e Bashkuara.

Savkoviq vlerëson se mund të ketë vizione konkurruese për marrëveshje që mund të kualifikohen si kompromis.

“Por ka edhe shumë dilema dhe, siç e dini, vetë procesi është kritikuar ashpër, si këtu po ashtu edhe në Kosovë. ‘Kockat e zënkës’ mbeten të njëjta, zbatimi i marrëveshjeve të pazbatuara, fati i Asociacionit/Zajednicës, çfarë do të sjellë normalizimi në fund të fundit dhe a do ta përfshijë çështjen e njohjes. Folësit dhanë rrëfimet e tyre, por të gjithë ranë dakord që nuk mund të ecim përpara me një rrëfim të tillë”, ka theksuar Savkoviq. Sa i përket ekonomisë, sipas tij, Hoti e Vuçiç folën me tone pozitive për Marrëveshjen e Uashingtonit dhe përfshirjen e SHBA-së në proces.

Por, Savkoviq e sheh të vështirë nxjerrjen e një konkluzioni për kompromiset që mund t’u kërkohen palëve në vijim të procesit.

“Ekziston një përshtypje te publiku, por edhe te vendimmarrësit, që thonë se jemi duke u larguar nga nocioni i kompromisit - se Kosova nuk do të pranojë asgjë më shumë se njohjen dhe pranimin e shtetësisë së saj - dhe Serbia që kërkon një autonomi të plotë për serbët e Kosovës, pa njohje eksplicite. Prandaj, për fat të keq, duket se qëndrojmë larg njëri-tjetrit. Dhe të dyja palët duket se mendojnë që koha po punon për ta, gjë që e konsideroj si të çuditshme dhe të rrezikshme. Ndërkohë, ne mund të vazhdojmë të shkëmbejmë, komunikojmë, të punojmë së bashku, duke kërkuar më shumë normalizim. Dhe të përpiqemi të sjellim më shumë njerëz në proces”, ka potencuar Savkoviq.

Pandemia si justifikim për “kapjen e shtetit”

Për gjashtë ditë të edicionit jubilar janë mbajtur 24 panele me 92 folës dhe mijëra pjesëmarrës e ndjekës aktivë në internet.

Ndikimi i pandemisë në dobësimin e institucioneve demokratike në vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë një ndër temat e diskutuara në forum.

Donika Emini nga Platforma Civikos, e cila ka prezantuar punimin “Promovimi i Stabilitetit dhe Lehtësimi i Kapjes së Shtetit”, ka thënë se Bashkimi Evropian, duke shpresuar të shpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, reformat i ka fokusuar vetëm në stabilitet, por jo edhe në forcimin e demokracive të këtyre vendeve.

“Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian, duke kërkuar palë e liderë për dialog, ka minuar rëndësinë e reformave në rajon. Në shtetet e Ballkanit, udhëheqësit e elitave politike në pushtet përvetësuan të gjitha institucionet, duke mos lënë vend për opozitën”, ka thënë Emini.

“Nëse dikush donte të fuste masa kufizuese, pandemia u shfrytëzua si ‘terreni i përsosur për lojëra të tilla’. Ndërkohë, institucionet demokratike u dobësuan”, ka theksuar Savkoviq. Sipas tij, ky rrezik mund të shmanget me një angazhim më të madh të shoqërisë civile, duke kërkuar partnerë dhe forcim të aleancave edhe në raport me institucionet evropiane.

“Për shembull, Parlamenti Evropian tani do të luajë një rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin e dialogut ndërpartiak në Serbi, duke përfshirë ato parti që vendosën t’i bojkotojnë zgjedhjet, gjë e cila rezultoi me një parlament më pak të ligjshëm”, ka potencuar ai.

Bashkëpunimi dhe solidariteti në kohën e pandemisë, kriza në Mesdheun Lindor, rrëfimet anti-perëndimore, ndikimi i COVID-19 në krimin e organizuar, sfida e shpopullimit, bota pas zgjedhjeve në SHBA, si dhe perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, kanë qenë temat e tjera të diskutuara në edicionin e sivjetmë të forumit.

Organizatorët shpresojnë që edicionet e ardhshme të jenë në gjendje t’i organizojnë edhe fizikisht. Sipas Savkoviqit, kjo mund të arrihet nëse pandemia do të jetë më pak e ashpër dhe qytetarët i ndjekin më shumë udhëzimet.

Kosova dhe Serbia nuk kanë vizion të qartë për kompromisin i cili do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ky është njëri prej konkluzioneve që ka dalë nga edicioni i dhjetë i Forumit të Sigurisë në Beograd, i cili këtë vit për herë të parë aplikoi model të përzier të organizimit të ngjarjeve, me platforma online dhe studio