Kosova rrumbullakon të hënën 12 vjet prejse e ka shpallur Pavarësinë. Ajo ndodhet në kohën e “5 minuta para 12-ve”, për të ndërmarrë politika e veprime në funksion të konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë, por edhe që do t’i jepnin ritëm të ri zhvillimit të brendshëm.
Në vitin e 13-të të shtetësisë pritet të përcaktohet se çfarë do të jenë në të vërtetë – organika, kufijtë e jashtëm e funksionaliteti i brendshëm, por edhe statusi ndërkombëtar i shtetit do të varen shumë nga procesi i dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, që pritet të përfundojë me një traktat historik, e i cili mëtohet të firmoset sivjet.
Ndërkaq kualiteti qeverisës do të varet nga rruga të cilën do ta ndjekë gjenerata e re e politikanëve, e vënë në pushtet në fillim të këtij muaji, shkruan sot Koha Ditore.
Është bërë gati një dekadë, të cilën e ka shoqëruar një proces dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ai është sponsorizuar nga Bashkimi Evropian (BE). Fillimisht ka qenë i karakterit teknik, e më pastaj ka avancuar në atë politik. Përmbylljen e tij brenda disa muajve është duke e kërkuar me ngulm administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, por edhe liderë evropianë, sikur kancelarja gjermane, Angela Merkel, e presidenti francez, Emanuel Macron.
Procesi fillet i ka në 2010-n, kur Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara bëri thirrje që dialogu të zhvillohej, disa kohë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) iu përgjigj një kërkese të Serbisë, e cila kontestonte aktin e shpalljes së Pavarësisë nga institucionet e Kosovës. Gjykata dha verdiktin se shpallja nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Në dialogun teknik pala kosovare ka bërë hapa prapa. Mes shumë koncesioneve, ka pranuar që të heqë dorë edhe nga përdorimi i emrit kushtetues, kur të përfaqësohet në nisma rajonale. Në vend të “Republika e Kosovës” ka pranuar të prezantohet me denominimin “Kosovo*”. E fusnota e asteriskit ka këtë përmbajtje: “Ky shënim është pa paragjykim të qëndrimeve për status dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 dhe me Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”.
Tash nëpërmjet fazës finale të dialogut Kosova synon ta sigurojë ulësen në Kombet e Bashkuara (OKB), akt të cilit duhet t’i paraprijë shfuqizimi i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit që Serbia dhe aleatë të saj ende e përdorin si mjet për kontestimin e shtetësisë. Por, si kundërvlerë për këtë është përmendur opsioni i negocimit të kufijve të Kosovës, në pjesën që lidhet me Serbinë. Presidenti Hashim Thaçi, i cili ka përfaqësuar vendin në negociata edhe sa ka qenë kryeministër e edhe prej kur është vënë në majë të pushtetit, ka proklamuar gjatë idenë e “korrigjimit të kufijve”, por e cila është refuzuar në masë në Kosovë....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)