Arbëri

Kosnetti kërkon shkarkimin e Remit, merr shembull largimin e Selimit

Pas kritikave të shumta që ambasadori amerikan ia dha kryeministrit Ramush Haradinaj për emërimin e të dënuarit për krime lufte Sylejman Selimi, si këshilltar në kabinetin e tij, ky i fundit u lirua nga pozita, raporton KTV.

Kosnett ka reaguar edhe për një emërim që së fundmi e ka bërë presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Kosnett, duke u nisur nga raportimet për emërimin e Rrustem Mustafës si këshilltar i presidentit Thaçi, përsëriti se të dënuarit nuk kanë vend nëpër pozita udhëheqëse.

“Është inkurajuese të shoh që disa individë të dënuar të shkarkohen nga punë - kjo duhet të shndërrohet në procedurë standarde për qeverinë. Jam i kënaqur teksa shoh mediat duke raportuar për një kriminel lufte të emëruar... shkarkimi do të tregonte respekt ndaj sundimit të ligjit”, ka shkruar Kossnett në rrjetin social Twiter.

Rrustem Mustafa, i dënuar me 4 vjet burgim, figuron si këshilltar i presidentit Thaçi, që nga muaji shkurt i këtij viti.

Ndonëse në faqen zyrtare të Presidencës nuk figuron askund si këshilltar, Rrustem Mustafa, në Agjencinë Kundër-Korrupsion ka deklaruar se është i punësuar në Zyrën e presidentit, që nga muaji shkurt i këtij viti.

Përveç Presidencës, Mustafa është i angazhuar edhe në kryesinë e PDK-së, ish-partinë e presidentit.

KTV ka kërkuar sqarime nga Zyra e Presidencës, se për çfarë periudhe është angazhuar Mustafa dhe në cilën fushë do ta japë angazhimin e tij, por Presidenca nuk ka kthyer përgjigje.

E, përgjigje ka refuzuar të japë edhe vetë Rustem Mustafa.

Derisa shoqëria civile thotë se pikërisht emërimet e tilla, të personave të dënuar për krime, tregojnë më së miri se si funksionin sundimi i ligjit në Kosovë.

Sipas një monitorimi të IKD-së, është një numër i madh i zyrtarëve të cilët si të akuzuar vazhdojnë të jenë pjesë e politikë-bërjes në institucione.

Me 13 janar të këtij viti, Rrustem Mustafa kishte udhëtuar në Hagë, me ftesë të Prokurorisë Speciale për t’u intervistuar.