Arbëri

Komuniteti shqiptaro-amerikan letër Trumpit, e inkurajon për njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi

Donald Trump

Foto: Associated Press

Komuniteti shqiptaro-amerikan i është drejtuar me një letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke e inkurajuar fuqimisht ta ndjekë idenë e njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. 

“Për popullin e Kosovës dhe të Shqipërisë, ju jeni paqebërësi i shekullit. Në këtë frymë po ju shkruajmë në emër të Shqiptarëve për Amerikën (AFA) dhe organizatave të komunitetit shqiptaro-amerikan të listuara më poshtë për t’ju inkurajuar fuqimisht ta ndiqni idenë që mbështetët gjatë mandatit tuaj të parë: njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruhet në letrën drejtuar Trumpit.  “Shprehim mbështetjen tonë të plotë për thirrjet e fundit dypartiake për zbatim të menjëhershëm të njohjes së ndërsjellë si zgjidhja e vetme për arritje të paqes së qëndrueshme në këtë pjesë të rëndësishme të Evropës. Ky është qëllimi që keni mbështetur shumë herë, përfshirë edhe përmes përpjekjeve tuaja të fundit për t’i ndaluar armiqësitë e vazhdueshme të Serbisë dhe për të parandaluar një luftë të re në rajon”.

Në letër komuniteti shqiptaro-amerikan ka thënë se njohja e ndërsjellë nuk është thjeshtë formalitet diplomatik, por është rruga më efikase dhe pragmatike përpara

“Zgjatja e status quo-së aktuale është në thelb destabilizuese”, thuhet në letër. 

Në letër është përmendur ndër të tjera edhe sulmi në Banjskë në 24 shtatorin e vitit 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. E është përmendur edhe heqja e tarifave ndaj mallrave amerikane nga Kosova. 

“Kosova qëndron si kombi më pro-amerikan në botë, siç dëshmohet edhe nga fakti që është i vetmi vend evropian që ka arritur një marrëveshje me SHBA-në për shtetasit e vendeve të treta dhe vendi i parë në nivel global që propozon një tarifë zero për mallrat amerikane – vendim që hyri në fuqi javën e kaluar.  Kosova ka një prani jetike ushtarake të SHBA-së/NATO-së dhe është rreshtuar vazhdimisht me objektivat e politikës së jashtme të SHBA-së”, thuhet në letër. 

Letra është përkrahur nga shoqatat si Vatra Pan-Albanian Federation of America; AFA Albanians For America; AARC Albanian American Relations Council; Jehona e Malesise; Shoqata Kosova Michigan; Shoqata Malesia e Madhe; Shoqata Dukagjini; Shoqata Kastrati.

Në letër është përmendur Marrëveshja e Washingtonit e shtatorit të vitit 2020, për të cilën komuniteti shqiptaro-amerikan ka thënë se Serbia ka dështuar ta zbatojë. 

Komuniteti shqiptaro-amerikan i ka kërkuar Trumpit që procesi i normalizimit të arrihet në përfundimin e drejtë: njohje e ndërsjellë Kosovë – Serbi brenda kufijve ekzistuese. I ka kërkuar presidentit amerikan ta ripohojë publikisht këtë  si themel për paqe të qëndrueshme. E ka inkurajuar Trumpin që të mbështeten mekanizëm të fuqishëm për të siguruar zbatimin e plotë dhe në kohë të marrëveshjes. 

“Komuniteti shqiptaro-amerikan, ashtu siç ka mbështetur kthimin tuaj në Shtëpinë e Bardhë, është i gatshëm ta mbështesë çdo përpjekje që çon këtë bllokim të gjatë drejt një zgjidhjeje përfundimtare”, thuhet në letër.