Komuna e Podujevës nëpërmjet Hartës Zonale kishte tentuar që të krijonte një zonë turistike pranë Liqenit të Batllavës. Por një gjë e tillë ishte refuzuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ende pa dalë në shqyrtim publik. Pas kësaj ishin refuzuar edhe kërkesat për ndërtime të restoranteve dhe vilave në atë pjesë
Komuna e Podujevës kishte paraparë krijimin e një zone turistike që do të lejonte ndërtimet pranë Liqenit të Batllavës, në draft-hartën zonale para se ajo të dilte për shqyrtim në publik. Aty parashihej zgjerimi i zonës së banimit, gjë që do të legalizonte edhe ndërtimet pa leje që janë bërë në atë pjesë.
Por kjo është refuzuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila kishte kërkuar që të merreshin parasysh vendimet dhe legjislacioni në fuqi për zona të mbrojtura sanitare.
Kjo ka bërë që Harta Zonale (HZ) e miratuar në fund të majit të mos lejojë ndërtime në zonën rreth Liqenit, në të cilën janë identifikuar rreth 45 ndërtime pa leje.
Gjatë shqyrtimit publik të këtij dokumenti ishin refuzuar edhe kërkesat për ndërtim të restoranteve dhe vilave në atë pjesë.
Drejtori i Inspektoratit në Podujevë, Besnik Mulliqi, ka thënë se Ministria nuk e ka aprovuar zonën turistike.
“Harta Zonale ka paraparë që atje të bëhet një zonë turistike me kushte, por Ministria na ka refuzuar dhe ka lënë vetëm hapësira të caktuara të vogla për banim, sepse aty është fshat dhe ka njerëz që duan të ndërtojnë shtëpi”, ka thënë ai.
Në hartën e miratuar thuhet se “për shkak të rëndësisë kombëtare dhe vlerave të rëndësishme natyrore sipas PZHK–së është rekomanduar që për zonën e Liqenit të Batllavës të hartohet një plan i hollësishëm rregullues dhe të zbatohet me përpikëri. Mirëpo, duke iu referuar kritereve peizazhike të dala nga Raporti i Vlerësimit Strategjik Mjedisor për projekt, Hartës Zonale të Kosovës, ligjeve, akteve nënligjore dhe UA 08/2017, HZK-ja nuk lejon ndërtime në këtë zonë dhe rekomandon mbrojtjen strikte nga degradimi”.
Në komentet e MMPHI-së që ka siguruar KOHA, Komunës i kërkohet që të marrë parasysh vendimin e Qeverisë për shpalljen e zonës së Liqenit si të mbrojtur ujore, Ligjin për ujërat dhe Udhëzimin Administrativ për zonat e mbrojtura sanitare.
“Të mos parashihen banime për turizëm përreth zonës së Liqenit të Batllavës, sidomos në pjesën jugore”, thuhet në komentet e Ministrisë.
MMPHI-ja ka thënë se zgjerimi i tokës për banim në afërsi të Liqenit të Batllavës është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
KOHA ka raportuar se si institucionet duke bartur përgjegjësinë te njëra-tjetra nuk kanë marrë masa për ndalimin e ndërtimeve në atë pjesë.
“Kemi mbajtur takim, pjesë e takimit kanë qenë edhe nga Ministria dhe APK-ja. Po mundohemi që të gjejmë një zgjidhje ose që kush ka dhe çka ka kompetencë. Sipas meje, ende nuk është e sqaruar sa duhet. Secili institucion po mundohet t’ ikë përgjegjësisë. Ne si nivel lokal nuk i kemi ikur përgjegjësisë”, ka thënë Mulliqi.
Por, se cili institucion ka keqpërdorur detyrën ose i ka ikur përgjegjësisë, do të vërtetohet nga organet e drejtësisë, pasi ky raport dhe dokumentacionet e tjera kanë përfunduar në Prokurori.
Komuna e Podujevës ka lëshuar 13 vendime për rrënim të objekteve pa leje, të cilat janë në pritje të shqyrtimeve për ekzekutim.
Mulliqi ka thënë se herë pas here kanë lëshuar edhe vendime të tjera për rrënim siç janë tarracat ose themelet e objekteve.
“Ne presim edhe përgjigje prej Prokurorisë, pasi ka objekte atje që kanë përfunduar krejt dhe ka një udhëzim administrativ, i cili thotë se në rast se vlera e investimit është më e madhe sesa vlera e tokës nuk duhet të rrënohet, kështu që është goxha një katrahurë e udhëzimeve administrative që nuk mund t’i jep zgjidhje kësaj çështjeje”, ka thënë Mulliqi.
Një raport i Auditorit të Brendshëm të Agjencisë së Pyjeve ka kontestuar se drejtori i Drejtorisë Qendrore për Pylltari dhe Gjueti, i cili vepron në kuadër të APK-së, Besim Zogu, nëpërmjet urdhëresës dhënë inspektorëve që lënda të bartet në Ministri, kishte dyshime se është tentuar që të iket nga përgjegjësia për marrjen e masave adekuate ligjore për ndalimin e aktiviteteve të paligjshme për këtë rast.
Sipas raportit, me këtë është penguar inspektori në ushtrimin e detyrave të tij ligjore.
Në fund të prillit ishte mbajtur një takim mes zyrtarëve të Agjencisë, Inspektoratit të Pyjeve, Ministrisë së Mjedisit, asaj të Bujqësisë dhe Komunës së Podujevës për të diskutuar lidhur me ndërtimet pranë Liqenit të Batllavës. Por, as në këtë takim të mbajtur pas interesimit të KOHËS për masat që janë ndërmarrë për ndalimin e ndërtimeve pa leje e prerjen e pyjeve, nuk është sqaruar përgjegjësia që kanë palët për këto ndërtime.
Mbi 45 objekte janë identifikuar si pa leje buzë Liqenit të Batllavës, e të cilat janë ndërtuar pas vitit 2018 dhe që nuk përfitojnë nga Ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
Pylli është mbushur me shtëpi e vila, disa prej të cilave janë në ndërtim e sipër, e disa veçse janë ngritur në dy e tri kate.
Xhirimet e realizuara fundmarsin e këtij viti e faktojnë trendin në rritje të ndërtimeve, krahasuar me qershorin e vitit të shkuar.
Ndërtimet janë bërë pa pëlqimin e Agjencisë së Pyjeve për ndërrimin e destinimit të tokës nga pyjore në ndërtimore dhe për prerjen e pyjeve, sikurse e parasheh Ligji për pyjet.
Edhe pse Ministria e Mjedisit, në përgjigje dhënë për KOHËN, kishte thënë se për ndërtimet në atë zonë përgjegjësia është e Komunës, sipas drejtorit të DQIPGJ-së, Besim Zogu, në takimin e prillit është sqaruar se Ministria dhe Komuna duhet të marrin masa për ndërtimet në atë pjesë.
“Bazuar në legjislacionin në fuqi, kompetentë për pyje janë: Agjencia Pyjore e Kosovës dhe Komuna, varësisht nga kategoria, ndërsa ndërtimet janë kategori I (e parë) e ndërtimit e që përsëri, duke u bazuar në ligjet për ndërtim, është kompetencë e komunave përkatëse”, kanë thënë nga Ministria.