Arbëri

Kompania “Mabetex Group” e Behgjet Pacollit ende e pasigurt për projektin e Aeroportit të Vlorës

Ende nuk dihet nëse Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe ajo e Zonave të Mbrojtura në Shqipëri do ta pajisin kompaninë koncesionare “Mabetex Group” me Deklaratën Mjedisore, që do t’u hapte rrugë punimeve

Tiranë, 30 korrik - Kompania “Mabetex Group” e Behgjet Pacollit është ende e pasigurt për projektin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, megjithëse Këshilli i Ministrave i Republikës Shqipërisë ka miratuar më 6 qershor kontratën koncesionare me konsorciumin Mabetex, YDA Group dhe 2A group për nisjen ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Sipas marrëveshjes koncesionare, puna pritet të fillojë brenda 14 muajsh, periudhë e cila parashikon studimin e plotë mjedisor dhe operacional të pistës, duke qenë se ajo ndodhet në afërsi të zonës së mbrojtur të Lagunës së Nartës. Sipas legjislacionit në fuqi në Shqipëri, kontrata koncesionare do të duhet të miratohet edhe në parlament përpara se të hyjë në fuqi.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe ajo e Zonave të Mbrojtura në Shqipëri do ta pajisin kompaninë koncesionare “Mabetex Group” me Deklaratën Mjedisore, që do t’u hapte rrugë punimeve. Këtë fakt e ka bërë të ditur drejtori i Agjencisë Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) në Shqipëri Zamir Dedej.

“Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura nuk ka asnjë informacion në lidhje me kontratën koncesionare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës”, thotë Dedej, ndonëse vendndodhja e kësaj vepre aeroportuale ndodhet brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë. Konsorciumi “Mabco Construction” i Behgjet Pacollit, i regjistruar në Zvicër, YDA – Group e Turqisë dhe 2A Group SHPK do të jenë tri kompanitë që do ta ndërtojnë aeroportin e Vlorës me një vlerë investimi prej 104 milionë euro. Ndërkohë që paketën kontolluese të aksioneve do ta ketë Behgjet Pacolli me 50% të aksioneve, kompania turke YDA – Group do të ketë 48% të aksioneve, ndërsa kompania nga Shqipëria 2A Group SHPK 2% do të ketë 2% të aksioneve.

Aeroporti i Vlorës do të jetë një hapësirë ku do të ulen avionë transoqeanikë, ndërsa sipas zyrtarëve qeveritarë në Shqipëri, pritet t’i japë një zhvillim të madhe ekonomisë së zonës, por jo vetëm. Edhe në këtë rast, qeveria e këtij vendi del garant për trafikun e munguar në këtë kontratë.

Ndërkohë, 36 organizata mjedisore në Shqipëri dhe vendet fqinje të Ballkanit u kanë drejtuar një letër të hapur qeverisë shqiptare, si edhe delegacioneve evropiane në vend kundër ndërtimit të aeroportit të Vlorës në territorin e peizazhit të mbrojtur ligatinor Vjosë-Nartë.

“Jemi tejet të shqetësuar për këtë situatë në të cilën ndodhemi, për arsye se ndërtimi i aeroportit Vlorës do të dëmtonte në mënyrë të pakthyeshme ekosistemin e peizazhit të mbrojtur Vjosë – Nartë,” shprehen organizatat mjedisore. “Një nismë e tillë sjell dhe përshpejton një model ekonomik aspak miqësor ndaj mjediseve natyrore, i cili stimulon zhvillimin e pakontrolluar dhe të paqëndrueshëm, si dhe shkatërron në mënyrë të pakthyeshme resurset dhe vlerat natyrore të zonës”, citohet në letrën e hapur të 36 organizatave.

Ndryshe nga kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë që shohin projektin i aeroportit një investim në infrastrukturë që do të sjellë zhvillim ekonomik, organizatat e shoqërisë civile shqetësohen mbi ndikimin që ky projekt do të ketë në një mjedis të mbrojtur. “Laguna e Nartës dhe mjediset përreth përfaqësojnë një nga ekosistemet ligatinore më të mëdha e më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Mesdheut,” theksojnë organizatat në letrën dërguar qeverisë. “Vjosë-Narta, përveçse është zonë e mbrojtur në rang kombëtar, është gjithashtu pjesë e pothuajse të gjitha rrjeteve ekologjike ndërkombëtare në të cilat një zonë natyre në Shqipëri mund të bëjë pjesë,” shtojnë ato.

Në zonën e grykëderdhjes së lumit Vjosa dhe lagunës së Nartës janë regjistruar mbi 200 lloje të shpendëve të egër, 33 prej të cilave janë pjesë e ‘listës së kuqe’ të Shqipërisë si popullata në risk. Një rrezik tjetër potencial që parashtrohet prej aktivistëve është ai i sigurisë së fluturimeve ajrore, si pasojë e aksidenteve që mund të shkaktohen nga numri i madh i zogjve dhe shpendëve në këtë zonë me avionët që do të ngrihen në të ardhmen nëse aeroporti ndërtohet. “Kjo zonë përfaqëson një prej segmenteve më të rëndësishme të korridorit të shtegtimit të Adriatikut, ku qindra-mijëra shpendë gjejnë ushqim dhe strehë gjatë sezoneve të shtegtimit,” theksojnë ato. “Disa prej këtyre shpendëve kanë përmasa dhe peshë të tillë që nëse përplasen me aeroplanët mund të shkaktojnë aksidente tragjike”, shtojnë ekspertët mjedisorë në letrën e tyre të hapur, ndërsa theksojnë se Shqipëria nuk ka as edhe një arsye përse të humbasë një pasuri natyrore kaq të larmishme në bregdetin e Adriatikut. “Ndërtimi i një infrastrukture të tillë brenda zonës së mbrojtur bie në kundërshtim me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar për ruajtjen e natyrës, duke shkelur në tërësi kuadrin ligjor për ruajtjen e natyrës dhe në veçanti Ligjin e Zonave të Mbrojtura dhe një sërë konventash të cilat Shqipëria, si vend sovran, me integritet dhe aspiratë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i ka ratifikuar”, përfundon letra e 36 organizatave mjedisore.

Biznesmeni nga Kosova i shndërruar në politikan është refuzuar dy herë për investime strategjike në Shqipëri. Pas refuzimit nga ana e qeverisë “Berisha” për të blerë hotel Dajtin në qendër të Tiranës, Behgjet Pacolli është refuzuar edhe për të investuar në bregdetin e Shqipërisë Qendrore, në Divjakë të Lushnjës. Arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë se biznesmeni Pacolli me investimin e tij në bregdetin e Divjakës rrezikonte kryesisht Pelikanin Kaçurrel, një specie vazhdimisht e rrezikuar të zhduket. Bregdeti i Divjakës është një ndër pikat më perëndimore të banuara nga Pelikani Kaçurrel.

“Mabetex”, një shoqëri ndërtimesh nën pronësinë e biznesmenit dhe politikanit Behgjet Pacolli, propozoi fillimisht në vitin 2017 synimin për të marrë tokën nën pronësi publike përgjatë bregut të detit pranë lagunës së Karavastasë në bashkinë Divjakë me synimin për të ndërtuar një seri pallatesh e hotelesh me vlerë investimi të premtuar prej 1 miliard dollarësh. Pas viteve 2000, Behgjet Pacolli ka qenë i interesuar për blerjen e hotel “Dajtit” në qendër të Tiranës, hoteli më I mirë në Shqipëri përgjatë sundimit komunist në këtë vend. Madje, Pacolli ka paraqitur edhe ofertën për blerjen e këtij hoteli. Por, rotacioni politik në Shqipëri në vitin 2005, ku në pushtet u rikthye koalicioni i djathtë i kryesuar nga Sali Berisha, ku ky i fundit mori edhe drejtimin e qeverisë, çoi në anulimin e shitjes së hotel “Dajtit”, i cili më vonë i është shitur Bankës së Shqipërisë. Kjo shitje nga ana e qeverisë “Berisha” është kritikuar nga opozita socialiste, aktualisht në qeveri.

© KOHA Ditore