Arbëri

Kërkohet ndëshkimi i prindërve të nxënësve që braktisin shkollimin

Dhjetëra raste të braktisjes së mësimit nga komuniteti ashkali janë regjistruar në shkollat e Komunës së Lipjanit gjatë këtij viti shkollor.

Kjo ka nxitur reagimin e shoqërisë civile në këtë komunë, sipas së cilës institucionet publike është dashur të punonin më shumë për parandalimin e një dukurie të tillë.

Ndonëse Komuna e Lipjanit prej vitesh e ka të themeluar ekipin për parandalim, në disa raste ai nuk ka pasur sukses.

Nga shoqëria civile është kërkuar që Komuna, por edhe Qendra për Punë Sociale, t’i kushtëzojnë me dhënien e ndihmave sociale prindërit e fëmijëve që braktisin mësimin.

“I takon Qendrës për Punë Sociale që të gjejnë mekanizma detyrues në mënyrë që kur të aplikojnë për skemën sociale të gjendet mekanizëm apo të kushtëzohet, shembull, dhënia e ndihmës sociale me ndonjë vërtetim ose ndonjë mënyrë tjetër e vazhdimit të shkollimit të këtyre fëmijëve”, ka thënë Bekim Krasniqi, drejtor në OJQ “YAHR”.

Ndërkohë, Lulzim Qerimi, nënkryetar i Komunës së Lipjanit për komunitetin pakicë, ka thënë se Komuna në bashkëpunim me një organizatë kanë shpenzuar qindra-mijëra euro për t’i funksionalizuar pesë qendra për mësimin shtesë për nxënësit që mbesin mbrapa nga komuniteti ashkali, andaj po bëhet përpjekje që fëmijët dhe të rinjtë e këtij komuniteti të shkollohen sa më shumë.

“Aty ku fillon braktisja, ne automatikisht së bashku me drejtorin dhe me prindërit intervenojmë, kështu që unë apeloj që secili institucion duhet ta kryejë punën që i takon, qoftë edhe sanksionimet për prindër. Qendra për Punë Sociale duhet t’i marrë këto raste”, ka thënë Lulzim Qerimi, nënkryetar i Komunës për komunitetet pakicë.

Disa nga prindërit e fëmijëve që kanë braktisur shkollimin, të kontaktuar nga KOHA, nuk kanë dashur të flasin. E paqasshme ka qenë edhe drejtoresha për Punë Sociale në Lipjan, Makfirete Shamolli.