Katër shqiptarë janë në mesin e 325 të akuzuarve të grupit mafioz më të fuqishëm të Italisë, “Ndragheta”. Ky grup do të përballet me drejtësinë italiane në një nga proceset gjyqësore më të mëdha, pasi në dosje si të dyshuar janë të përfshirë politikanë, avokatë dhe biznesmenë.
Robert Lazaj, Afred Lucaj, Eduard Tahiri, dhe Florian Tahiraj janë shqiptarët e akuzuar si pjesëtarë të grupit, si dhe ish-avokati Giancarlo Pittelli e politikani Nicola Adamo. Prokurori i çështjes, Nicola Gratteri ka theksuar se gjyqi do të zbulojë jo vetëm krimet e Ndragetas, por edhe përfshirjen e zyrtarëve.
“Nuk është vetëm një gur në mur kundër mafisë, por është gjithashtu i rëndësishëm për të kuptuar evolucionin e Ndrangheta, e cila jo vetëm që përfshihet në korrupsion dhe ryshfet, por është lidhur me administratën publike, me të ashtuquajturit ‘Jakat e bardha’. Ky proces do të zbulojë një pasqyrë se çfarë është mafia kalabreze sot – jo më një mafi barinjsh që rrëmbejnë, por një korporatë e madhe kriminale”, deklaroi prokurori Nicola Gratteri.
Në dosje janë regjistruar mbi 400 aktakuza, ku të dyshuarit po përballen për vrasje, trafik droge, ryshfet, dhe pastrim parash. Ndërkohë rreth 900 dëshmitarë pritet të paraqiten në gjykim, i cili po zhvillohet në një ndërtesë të sigurisë së lartë në qytetin e Lamezia Terme, e cila është në zemër të territorit ku vepron “Ndrangheta”.
Ndërtesa është shndërruar në një sallë të madhe gjyqi enkas për këtë çështje. Procesi që pritet të zgjasë të paktën një vit përqendrohet në familjen Mancuso, e cila përbën një grup të fuqishëm brenda klanit “Ndrangheta”.Shumica e të dyshuarve u arrestuan gjatë operacioneve të ndërmarra në Itali, Gjermani, Zvicër dhe Bullgari në dhjetor të vitit 2019.
Në një raport që Antimafia italiane ka botuar para gjashtë muajsh ka dalë me konkluzionin se Shqipëria është prodhuesi i parë i marihuanës në Evropë e ndër vendet e para në nivel botëror ku grupet kriminale shqiptare vazhdojnë të jenë ndër më kryesoret e më komplekset në Itali. Ndërkohë që raporti nënvizon se ka ardhur koha që grupet kriminale shqiptare të konsiderohen mafi. E reja më e fundit, që nënvizon raporti i Antimafisë italiane, është në ndryshimin e rolit që ka marrë Shqipëria në skenarin kriminal kombëtar e ndërkombëtar të trafikut të drogës, duke u bërë vendi transit kryesor i trafikut të heroinës nga Afganistani e Azia Qendrore, dhe grupet kriminale shqiptare në rolin e agjentëve importojnë sasi të mëdha kokaine nga Kolumbia për tregun evropian.
Mafia shqiptare investon paratë në atdhe
Gjithashtu Antimafia italiane konfirmon përdorimin e teknologjisë së avancuar në përdorimin e skafeve me drogë të nisura nga Shqipëria e të telekomanduara automatikisht nga larg e pa pilot. Për herë të parë Antimafia italiane sinjalizon se paratë e fituara nga aktiviteti i paligjshëm, organizatat kriminale shqiptare i investojnë në atdhe, pra në Shqipëri, në asetet strategjike si në sektorin e ndërtimit e të turizmit. Gjithashtu i përdorin për blerjen e heroinës nga Azia e kokainës nga Kolumbia.
Antimafia italiane informon gjithashtu se grupet kriminale shqiptare janë të pranishme në pjesën më të madhe të territorit italian e janë ndër organizimet etnike më komplekse e të afta të veprojnë në nivele të ndryshme. Nga njëra anë shfaqen në aksione individuale apo në bashkëpunim për llogari të të tjerëve e kryesisht në krime specifike, e nga ana tjetër është konstatuar ekzistenca e organizimeve kriminale shqiptare të strukturuara prej shumë kohësh në territorin italian me karakteristika tipike mafioze.
Në një raport që Antimafia italiane ka botuar gjashtë muaj më parë, ka dalë me konkluzionin se grupet kriminale shqiptare vazhdojnë të jenë ndër më kryesoret e më komplekset në Itali
Në lidhje me identifikimin e grupeve kriminale shqiptare si mafia shqiptare, raporti i Antimafisë italiane nënvizon se deri më tani nuk ka një vendim gjykate që në marrjen e vendimit kanë konsideruar edhe rëndesën e fajit si grupe mafioze e ndoshta sugjeron raporti “në të ardhmen do të ishte e nevojshme në planin interpretues marrja në konsideratë e termit “mafi jotradicionale”, siç janë mafitë “Cosa Nostra”, “Sacra Corona Unita”, “Ndrangheta”, “Camora” etj) siç u bë me vendimin numër 10/220, i marrë më 16 mars 2020“.
Sipas Raportit të Antimafisë italiane, karakteristikë kryesore e kriminalitetit shqiptar është përkatësia e grupeve në bazë lidhjesh familjare ose raporteve të anëtarëve që vijnë nga i njëjti qytet apo zonë shqiptare e që kanë të njëjtin kod sjelljeje. Veprimi i aktivitetit kriminal shqiptar shprehet kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike, në trafikun e armëve, në trafikun e qenieve njerëzore, si dhe në shfrytëzimin e prostitucionit që shpesh e kryejnë në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale etnike në Itali, si ato rumune e nigeriane.
Lidhjet e mafisë shqiptare me grupet e tjera

Grupet kriminale më të strukturuara shqiptare kanë lidhje në nivel transnacional me grupet homologe shqiptare në vendet e ulëta, në Belgjikë, në Austri, në Francë, në Spanjë, në Gjermani, në Britaninë e Madhe, e në Amerikën Qendrore e Jugore. Janë organizime kriminale që dialogojnë drejtpërdrejt me referuesit e tyre në Shqipëri për aktivitetet kriminale më komplekse. Grupet kriminale shqiptare importojnë drogën kryesisht marihuanë e heroinë nga Shqipëria (vend transit) e kokainë nga vendet e ulëta e në rastet e tjera transportojnë drejtpërdrejt nga vendet ku prodhohet droga.
Disponibiliteti i armëve, i burimeve financiare dhe i drogës me çmime konkurruese, kanë stabilizuar marrëdhënie të konsoliduara mes grupeve kriminale shqiptare e mafisë autoktone italiane favorizuar nga objektivat e përbashkëta të aferave kriminale e mungesa e konfliktualitetit për zotërimin e territorit. Prania prej një kohe të gjatë në territorin italian ka bërë që grupet kriminale shqiptare të integrohen e të asimilojnë një model sjelljeje e aftë të veprojë në kontekstet multietnike e në bashkëpunimin me grupet italiane jomafioze apo të etnive të tjera. Brigjet e Puglias mbetet pika nevralgjike për futjen e drogës përmes rrugës ballkanike nga Shqipëria drejt Italisë.
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë sapo ka miratuar Strategjinë kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, 2021–2025, dhe planin e veprimit 2021–2022, ku 160 milionë euro do të përdoren për 5 vjet nga shteti shqiptar në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda
Ndërkohë që Këshilli i Ministrave i Republikës Shqipërisë sapo ka miratuar Strategjinë kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, 2021–2025, dhe planin e veprimit 2021–2022, ku 160 milionë euro do të përdoren për 5 vjet nga shteti shqiptar në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Synime kryesore janë ndjekja e parave të organizatave kriminale jashtë kufijve, pastrimi i tyre në Shqipëri, trafiqet e armëve, lëndëve narkotike e qenieve njerëzore, por edhe të veprave të artit. Në strategji theksohet që megjithëse Komisioni Evropian ka vlerësuar një lloj progresi lidhur me sekuestrimet dhe konfiskimet e pasurive kriminale, numri i çështjeve me dënime përfundimtare për pastrim parash mbetet i ulët.
Krahas vijimit të zbatimit të Planit të Veprimit të dakordësuar me Task-Forcën e Veprimit Financiar për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, nevojiten përpjekje për të forcuar hetimet financiare dhe luftën kundër pastrimit të parave.
“Një vëmendje e shtuar i duhet kushtuar identifikimit dhe konfiskimit të pasurive kriminale të vendosura jashtë vendit ose të paarritshme, zbatimit të rregullave për konfiskimin e zgjeruar dhe ngrirjen paraprake të pasurive, si dhe përdorimit sistematik të hetimeve paralele financiare për krimin e organizuar, të cilat duhet të shoqërojnë sistematikisht procedimet penale që nga fillimi”, theksohet në strategji.
Një prej objektivave kryesore të strategjisë, goditja e krimit ekonomik të pastrimit të parave, do të mbështetet, përmes përmirësimit të proceseve të identifikimit, sekuestrimit dhe konfiskimit të financave dhe aseteve të grupeve kriminale. Kjo, sipas strategjisë, do të ngushtojë hapësirën e veprimit, fuqisë financiare, por dhe motiveve të përfshirjes në struktura të krimit të organizuar, si dhe pamundësimin e riinvestimit të të ardhurave të përfituara nga veprimtari të paligjshme.